Shkurtimisht për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pjesëmarrja e votuesve deri në orën 14:00 ka qenë 18 për qind.
- Aktualisht, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, mbi 33 për qind, ndërsa Zubin Potoku ka pjesëmarrjen më të ulët, pak mbi 3 për qind.
- KQZ-ja ka raportuar probleme me energjinë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, të cilat janë zgjidhur.
- Në Mitrovicën e Veriut, pjesëtarë të Listës Serbe - partisë më të madhe serbe në Kosovë - kanë shkuar të votojnë në mënyrë kolektive, siç ndodh zakonisht.
- Kandidatët për kryeministër, Albin Kurti (LVV), Bedri Hamza (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK), kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhje.
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shfaqur shpresën që rezultatet e zgjedhjeve do të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.
Prioritetet e pritshme të Qeverisë së re të Kosovës sipas analistëve
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, thotë se prioritet kryesor për Qeverinë e re, që pritet të dalë pas zgjedhjeve të sotme, duhet të jetë riparimi i besueshmërisë me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, si: SHBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ai thekson nevojën për një koordinim të disiplinuar, sidomos në fushat e sigurisë dhe dialogut me Serbinë, për të çuar përpara agjendën e Kosovës.
Në anën tjetër, Ilir Deda, ish-deputet, thotë se Qeveria e ardhshme duhet të fillojë menjëherë bashkëpunimin me shtetet e Quint-it për tema të bllokuara, si: anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe zbatimi i Asociacionit funksional për komunat me shumicë serbe.
Deda gjithashtu rendit si prioritet ndërtimin e një pakete socio-ekonomike për të stimuluar sektorin privat dhe rritjen e të ardhurave për qytetarët.
Më pak se pesë orë deri në mbylljen e vendvotimeve
Procesi i votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po vazhdon pa parregullsi të mëdha të raportuara.
Mbarëvajtja e procesit po monitorohet nga Policia e Kosovës, Prokuroria, si dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.
Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 14:20 kanë votuar 18.49% e qytetarëve me të drejtë vote.
Propaganda ruse në zgjedhjet në Kosovë
Para se të mbaheshin zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë, ekspertët paralajmëruan se inteligjenca artificiale po rrit rrezikun e përhapjes së propagandës ruse në media dhe rrjete sociale.
Një analizë e Radios Evropa e Lirë gjeti se në shumë prej postimeve me përmbajtje manipuluese, mohohet shtetësia e Kosovës dhe promovohen mesazhe që e paraqesin vendin si të korruptuar ose armiqësor ndaj serbëve.
Përveç mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe RT, narrativë të ngjashëm u shpërndanë edhe përmes kanaleve pro Kremlinit në Telegram dhe platformave të tjera online.
Për më shumë, mund të lexoni materialin më poshtë: