Prokuroria jep detaje për rastin në Graçanicë
Prokuroria Themelore në Prishtinë dha detaje të tjera për shoqërimin në Polici të Millosh Steviqit në Graçanicë, i cili dyshohet se ka ndikuar te qytetarët për të votuar.
Sipas Prokurorisë, nga informatat anonime të pranuar, Steviq po ashtu “ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit”.
“Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Ndërkohë, gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i njëjti është intervistuar nga organet kompetente”, u tha në njoftim.
Radio Evropa e Lirë më herët konfirmoi se Steviq po intervistohet në stacionin në Graçanicë.
Ai është aktivist i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Steviq ishte ndër serbët nga Kosova që në fund të tetorit marshuan drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Policia interviston një qytetar në Graçanicë nën dyshimet për shantazhim të votuesve
Disa media kosovare kanë raportuar se një person, i quajtur Millosh Steviq, është arrestuar në Graçanicë për cenim të procesit zgjedhor, përkatësisht për shantazhimin e votuesve që të votojnë për Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.
Në stacionin policor në Graçanicë, për Radion Evropa e Lirë konfirmuan se Steviq po merret në pyetje, por nuk dhanë detaje duke shtuar se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.
Steviq është aktivist i Listës Serbe. Ai ishte ndër serbët nga Kosova që në fund të tetorit marshuan drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
KQZ publikon daljen në zgjedhje deri në orën 17:00
Në platformën e KQZ-së po publikohen të dhënat për daljen në zgjedhje deri në orën 17:00. Sipas procesimit të 98.12 për qind të vendvotimeve, dalja është 38.25 për qind.
Kjo nënkupton se deri më tani kanë votuar 764.694 votues.
Harta e mëposhtme tregon daljen në zgjedhje në të gjitha komunat e Kosovës:
Partitë bëjnë thirrje për dalje në votime
Kur kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve në 38 komuna të Kosovës, përfaqësues të partive të ndryshme politike po u bëjnë thirrje qytetarët që të shfrytëzojnë këtë kohë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.
Deri më tani, sipas institucioneve, nuk ka pasur ndonjë incident të madh dhe aktualisht nuk ka asnjë të ndaluar për veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet.
Ndërkaq, KQZ-ja ka raportuar se në disa qendra të votimit ka pasur ndërprerje të rrymës, por që KEDS-i ka intervenuar duke e zgjidhur problemin.