Gashi i LDK-së kërkon “veprim të përgjegjshëm” pas zgjedhjeve
Arben Gashi nga LDK-ja ka kërkuar nga partia e tij "reflektim dhe veprim të përgjegjshëm" pas rezultatit zgjedhor.
Ai, përmes një postimi në Facebook, tha se rezultati, që e nxjerr partinë e tij në vend të tretë, "nuk mund të injorohet".
Bazuar në të dhënat e deritanishme, LDK-ja ka fituar 13 për qind të votave, shifër më e ulët krahasuar me rezultatin e 9 shkurtit, kur fitoi 18 për qind të votave. Edhe në atë zgjedhje, LDK-ja doli fuqia e tretë politike në vend.
Me mbi 30 për qind të votave të numëruara, LVV-ja merr mbi 121 mijë vota
Sipas 33.52 për qind të votave të numëruara, LVV-ja ka thelluar epërsinë ndaj partive të tjera, duke marrë 48.10 për qind të votave, apo 121.435 vota.
Krahasuar me vendin e dytë, PDK-në, që ka 19.41 për qind, partia e Albin Kurtit ka diferencë në vota me të prej mbi 72 mijë votash.
LDK-ja është e treta me 13.89 për qind të votave dhe AAK-ja me 7.67 për qind.
Rezultatet e para: LVV-ja prin
Në bazë të 16 për qind të votave të numëruara, sipas KQZ-së, LVV-ja po prin me 46.77 për qind të votave.
E dyta është PDK-ja me 19.77 për qind, pasuar nga LDK-ja me 13.5 për qind.
Bazuar në këto të dhëna, AAK-ja ka fituar 7.57 për qind të votave.
Haradinaj: I kënaqur me rezultatin, pres një marrëveshje për Qeverinë mes LDK-së dhe PDK-së
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, tha pas mbylljes së vendvotimeve se sipas informacioneve që kanë nga komisionerët, partia e tij ka fituar 8 për qind të votave.
“Ky rezultat na bën krenarë me punën tonë”, tha ai, duke shtuar se pret rezultatin final, pas numërimit edhe të votave me kusht, të diasporës dhe me postë.
Ai tha se pret që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të arrijnë një marrëveshje dhe të formojnë Qeverinë e re, “për shkak se e dimë që bllokada është shkaktuar nga Lëvizja Vetëvendosje”.
“AAK-ja nuk ka vendosur kushte dhe nuk vendos kushte për opozitën. LDK dhe PDK e kanë një partner dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për t’i dhënë vendin shumicën”, theksoi ai.