Krahasimi i rezultateve me zgjedhjet e kaluara
KQZ shpall rezultatet preliminare, LVV-ja fiton zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin preliminar të zgjedhjeve dhe Lëvizja Vetëvendosje është fituesja e zgjedhjeve me 49.80 për qind të votave të fituara.
Rezultatet preliminare u shpallën pas numërimit të 96.13 për qind të votave.
Radoniqi tha se pjesa tjetër e votave do të procesohen dhe publikohen në platformën online të KQZ-së.
Sipas rezultatit preliminar, PDK-ja është e dyta me 21.18 për qind të votave, LDK-ja me 13.77 për qind, AAK-ja me 5.74 për qind dhe Lista Serbe me 3.86 për qind.
Rezultatet e partive të tjera i gjeni KËTU.
Ndërkaq, shpallja e rezultateve përfundimtare do të bëhet pas numërimit të votave të diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votave me kusht.
“Numërimi i votave të kandidatëve [për deputetë] dhe konfirmimi i votave për subjektet politike do të nisë nesër nga ora 12:00, pasi i gjithë materiali gjatë gjithë natës do të pranohet në qendrat komunale të numërimit, dhe numërimi do të nisë nesër dhe do të vazhdojë në ditët në vijim”, tha Radoniqi.
Këto janë rezultatet e deritanishme, sipas komunave.
Abdixhiku s’e përjashton dorëheqjen nga kreu i LDK-së, merr përgjegjësinë për rezultatin
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se rezultati zgjedhor nuk është ai që ka pritur, duke shtuar se ky është moment i një “reflektimi të thellë” dhe i përgjegjësisë politike.
Në bazë të numërimit të 95 për qind të votave, LDK-ja është e treta me 13.80 për qind të votave. Kjo parti kishte 18 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti.
Abdixhiku tha se sa më shpejt do të thërrasë Kuvendin e partisë, duke mos e përjashtuar as mundësinë e dorëheqjes së tij nga kreu i LDK-së.
“Të gjitha janë në diskutim në Kuvendin e Përgjithshëm, natyrisht edhe dorëheqja, pa diskutim”, tha ao.
Abdixhiku, që udhëheq me LDK-në që pesë vjet, uroi fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, duke shtuar se vendi meriton stabilitet.
“E uroj fituesin, sepse Kosova ka nevojë për demokraci funksionale”, tha ai.