Kush është në garë?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi gjithsej 24 subjekte politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në mesin e tyre janë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Në garë për ulëse në Kuvendin e Kosovës janë 1.146 kandidatë për deputetë, të certifikuar nga KQZ-ja nga të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse.
Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, ndërsa 61 mandate janë të nevojshme për të siguruar shumicën parlamentare dhe formimin e Qeverisë.
Elezi: Qendrat e votimit janë hapur me kohë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, bëri të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur sipas planit.
Në konferencën e parë për media, Elezi tha se materiali zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, është shpërndarë me kohë në të gjitha vendvotimet.
Ai u bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në zgjedhje.
Elezi shtoi se KQZ-ja do të nisë në mbrëmje publikimin e rezultateve preliminare, para orës 20:00.
Lista Serbe nis votimin kolektiv në Mitrovicën e Veriut
Pjesëtarë të Listës Serbe, partisë më të madhe serbe në Kosovë, kanë dalë për të votuar në mënyrë kolektive nga qendra e Mitrovicës së Veriut, në krye me kryetarin e partisë, Zllatan Ellek.
Votimi kolektiv është bërë një praktikë e zakonshme sa herë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje.
Në garë për dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, përveç Listës Serbe, janë regjistruar edhe Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit dhe Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviqit.
Votim kolektiv në Mitrovicë të Veriut
Fotoreporteri ynë Bujar Tërstena ka kapur disa pamje të votimit kolektiv në Mitrovicë të Veriut - komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Pushtetin lokal atje e ka Lista Serbe - partia më e madhe serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar.