Ndërlidhjet

Albin Kurti në konferencë për media me 28 dhjetor.
Albin Kurti në konferencë për media me 28 dhjetor.

LVV fiton bindshëm - i hapet rruga për formimin e qeverisë së re

  • Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.
  • Sipas rezultateve preliminare, fituese e zgjedhjeve është LVV-ja e Albin Kurtit, me mbi 49 për qind të votave të fituara.
  • KQZ tha se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze.
  • Dalja në zgjedhje ishte 45 për qind.
17:21 28.12.2025

Partitë bëjnë thirrje për dalje në votime

Kur kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve në 38 komuna të Kosovës, përfaqësues të partive të ndryshme politike po u bëjnë thirrje qytetarët që të shfrytëzojnë këtë kohë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese.

Deri më tani, sipas institucioneve, nuk ka pasur ndonjë incident të madh dhe aktualisht nuk ka asnjë të ndaluar për veprat penale që ndërlidhen me zgjedhjet.

Ndërkaq, KQZ-ja ka raportuar se në disa qendra të votimit ka pasur ndërprerje të rrymës, por që KEDS-i ka intervenuar duke e zgjidhur problemin.

17:24 28.12.2025

KQZ publikon daljen në zgjedhje deri në orën 17:00

Në platformën e KQZ-së po publikohen të dhënat për daljen në zgjedhje deri në orën 17:00. Sipas procesimit të 98.12 për qind të vendvotimeve, dalja është 38.25 për qind.

Kjo nënkupton se deri më tani kanë votuar 764.694 votues.

Harta e mëposhtme tregon daljen në zgjedhje në të gjitha komunat e Kosovës:

18:02 28.12.2025

Policia interviston një qytetar në Graçanicë nën dyshimet për shantazhim të votuesve  

Disa media kosovare kanë raportuar se një person, i quajtur Millosh Steviq, është arrestuar në Graçanicë për cenim të procesit zgjedhor, përkatësisht për shantazhimin e votuesve që të votojnë për Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Në stacionin policor në Graçanicë, për Radion Evropa e Lirë konfirmuan se Steviq po merret në pyetje, por nuk dhanë detaje duke shtuar se hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

Steviq është aktivist i Listës Serbe. Ai ishte ndër serbët nga Kosova që në fund të tetorit marshuan drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

18:29 28.12.2025

Prokuroria jep detaje për rastin në Graçanicë

Prokuroria Themelore në Prishtinë dha detaje të tjera për shoqërimin në Polici të Millosh Steviqit në Graçanicë, i cili dyshohet se ka ndikuar te qytetarët për të votuar.

Sipas Prokurorisë, nga informatat anonime të pranuar, Steviq po ashtu “ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit”.

“Personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Ndërkohë, gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i njëjti është intervistuar nga organet kompetente”, u tha në njoftim.

Radio Evropa e Lirë më herët konfirmoi se Steviq po intervistohet në stacionin në Graçanicë.

Ai është aktivist i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Steviq ishte ndër serbët nga Kosova që në fund të tetorit marshuan drejt Beogradit për t’i dhënë mbështetje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG