Ndërlidhjet

Pjesëmarrje e lartë në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari


Bilbord kundër migrantëve
Bilbord kundër migrantëve

Votimet në zgjedhjet e përgjithshme në Hungari zyrtarisht kanë përfunduar, por zyrtarët kanë thënë se disa vendvotime vazhdojnë të jenë të hapura, për shkak të numrit të njerëzve që po presin në radhë për të votuar.

Sipas të dhënave të Zyrës Kombëtare Zgjedhore, dalja në zgjedhje ka qenë shumë e lartë, duke tejkaluar daljen në zgjedhjet e vitit 2014.

Liderët opozitarë kanë thënë se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje rritë shanset e tyre ndaj kryeministrit Viktor Orban, i cili po kërkon që të fitojë mandatin e tretë radhazi si kryeministër dhe të katërtin në tërsi që prej vitit 1998.

Por, disa raportime sugjerojnë se dalja e lartë në zgjedhje përfshin edhe disa vendvotime kyçe ku Orban ka mbështetje të fortë.

Sipas të dhënave zyrtare deri në orën 18:30 kanë votuar 68 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Në zgjedhjet e 2014-ës, dalja e përgjishme në zgjedhje ishte 61,7 për qind.

Rezultatet e para preliminare pritet të dalin në orën 23.

Megjithatë, sondazhet parashikojnë se partia Fidesz do të kalojë partinë radikale nacionaliste Jobbik, socialistët dhe disa parti tjetra të majta më të vogla.

Sondazhet vënë në dyshim nëse Orban mund të fitojë shumicën prej dy të tretave, ashtu siç kishte fituar 8 vjet më parë, që i jep atij fuqinë për të ndryshuar Kushtetutën e vendit.

Rreth 8.3 milionë banorë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje. Ata votojnë për kandidatin e qarkut të tyre dhe një për një parti.

Pasi ka votuar në Budapest, 51-vjeçari Orban ka thënë se votimet në këto zgjedhje janë “për të ardhmen e Hungarisë” dhe ka ripërsëritur qëndrimin e tij se ai do të punojë për interesat e shtetit.

Kryeministri Viktor Orban
Kryeministri Viktor Orban

“Ne e duam shtetin tonë dhe do të luftojmë për të”, ka thënë ai.

Orban, i cili ka shërbyer si kryeministër prej 1998 deri më 2002, ka bërë fushatë me platformë kundër migrantëve dhe ka thënë se në këto votime hungarezët do të vendosin që të rimarrin shtetin e tyre.

“Sërish ata dëshirojnë që të na e marrin vendlindjen”, kishte thënë ai gjatë një tubimi zgjedhor në Budapest.

“Partitë që ju shërbejnë interesave të jashtme dhe politikanët që paguhen nga jashtë duan të qeverisin dhe ta kthejnë Hungarinë në shtet migrantësh”, kishtë thënë Orban.

Lideri i partisë Jobbik, Gabor Vona (Foto arkiv)
Lideri i partisë Jobbik, Gabor Vona (Foto arkiv)

Lideri i partisë Jobbik, Gabor Vona ka votuar sot në qytetin Gyongyos dhe ka thënë se rezultatet zgjedhore “do të përcaktojnë fatin e Hungarisë, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për dy gjenerata”.

Orban e ka filluar karrierën e tij politike si aktivist liberal në fund të viteve ’80. Në tetë vjetët e fundit, Qeveria e tij ka shtrirë kontrollin mbi mediet, bizneset dhe ka rritur ndikimin në sektorin bankar, të energjisë, ndërtimit dhe turizmit.

Disa kritikë e akuzojnë atë se është shumë mikpritës ndaj presidentit rus, Vladimir Putin. Orban në të kaluarën kishte qenë kritik i Putinit. Por, pas fitores në zgjedhjet e 2010-ës, ai ka bërë thirrje për transformimin e Hungarisë, duke marrë shembull Rusinë dhe Turqinë si shtete të suksesshme.

Liderët evropianë do të vëzhgojnë nga afër rezultatet në zgjedhje, pasi një fitore e partisë së Orbanit me gjasë mund të nxisë nacionalistët e krahut të djathtë edhe në vende të tjera të Evropës Qendrore, veçanërisht në Poloni dhe Austri dhe kjo gjë mund të rrisë shqetësimet rreth kohezionit në BE.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG