Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë pas zhvillimeve në Lindje të Mesme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën vonë një mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme.

Mbledhja është mbajtur me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Kryeministri Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundura përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar”, është thënë në një komunikatë të Kryeministrisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme kundër Iranit, të cilat kanë rezultuar me vrasjen e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei dhe dhjetëra figurave tjera të larta shtetërore.

SHIKONI EDHE: Kush ishte Ali Khamenei?

SHBA-ja bëri të ditur se sulmet i nisi pasi e kuptoi se Irani nuk kishte gatishmëri të bënte kufizime të theksuara në programin bërthamor dhe atë të raketave.

Është politikë e kamotshme e SHBA-së që Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore.

Irani është kundërpërgjigjur në ditën e nisjes së sulmeve, duke synuar bazat ushtarake amerikane në vendet e rajonit, por duket se raketat dhe dronët e tij janë rrëzuar.

SHIKONI EDHE: Gjenerali Jack Keane: Operacioni SHBA–Izrael synon çmontimin e udhëheqjes iraniane

Në komunikatën e Kryeministrisë është përmendur se Kosova solidarizohet me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore.

“Institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin. Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjikë”.

Izraeli tha të dielën se po i vazhdon sulmet kundër shënjestrave të regjimit “në zemër të Teheranit”, teksa Irani po kryen sulme në shtetet e Gjirit Arab.

Ndiqeni blogun tonë për t'u informuar në kohë reale për gjithçka që ndodh në Lindjen e Mesme.

SHIKONI EDHE: Trump: Do të vazhdojmë me “forcë të plotë” në Iran derisa t'i arrijmë objektivat

Për sulme është raportuar në Dubai të Emirateve, në Doha të Katarit, në Bahrein dhe Kuvajt.

Presidenti amerikan, Donald Trump e quajti Khamenein “një prej njerëzve më djallëzor në histori” dhe u bëri thirrje iranianëve ta marrin në duar shtetin e tyre.

Irani u zotua për “ofensivë shkatërruese” kundër bazave amerikane dhe Izraelit, në shenjë hakmarrjeje.

Trumpi i tha që të mos veprojë ashtu sepse do të përballet me forcën më të madhe të parë ndonjëherë.