Derisa pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia po i afrohet përvjetorit të katërt, konflikti po përkufizohet gjithnjë e më shumë nga qëndrime të ashpra dhe kufizime strukturore që lënë pak hapësirë për ndonjë përparim përmes bisedimeve, thanë ish-diplomatë dhe analistë amerikanë.
Pengesa kryesore për përparim në zgjidhjen e luftës më të madhe tokësore në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk është mungesa e angazhimit diplomatik, por mosgatishmëria e Moskës për t’i rishqyrtuar synimet e saj të luftës, thanë ekspertët.
Rusia “nuk po negocion me mirëbesim” dhe “nuk ka dëshirë ta përfundojë luftën” në kushtet e tanishme, tha Kurt Volker, i cili shërbeu si përfaqësues i posaçëm i SHBA-së për Ukrainën gjatë administratës së parë të Donald Trumpit.
“Këto bisedime nuk do të çojnë askund”, i tha Volker Radios Evropa e Lirë (REL) në një intervistë.
Sipas tij, bisedimet domethënëse për një armëpushim ose një zgjidhje politike do të kërkonin ndryshim themelor në stimujt e Kremlinit, si trysnia e shtuar ndërkombëtare ose kapaciteti i kufizuar për t’i vazhduar operacionet ushtarake.
SHIKONI EDHE: “Ukraina nuk po humb, Rusia nuk po fiton”: Situata në frontin e luftësPër Volkerin, struktura e bisedimeve është dytësore ndaj përmbajtjes së tyre.
“Formati nuk ka rëndësi; ka rëndësi përmbajtja”, tha ai, duke sugjeruar se Uashingtoni mund të përpiqet t’i ndryshojë llogaritjet e Moskës përmes mjeteve si sanksione dytësore ose dërgesa të zgjeruara armësh për Ukrainën, hapa që ai beson se ende nuk janë përdorur plotësisht.
James Gilmore, i cili shërbeu si ambasador i SHBA-së në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë gjatë administratës Trump, tha se ndarja e thellë midis Kievit dhe Moskës pasqyron shkaqet themelore të luftës: Rusia po kërkon të ruajë territorin që ka pushtuar dhe të fitojë territor që Ukraina vazhdon ta mbajë, ndërsa Ukraina po lufton për mbijetesën e saj si shtet sovran.
“Sipas mendimit tim, synimet e Rusisë dhe Ukrainës janë aq diametralisht të kundërta saqë nuk është realiste të pritet ndonjë përparim”, i tha Gilmore REL-it.
Ai hodhi poshtë sugjerimet se Kievi duhet të dorëzojë tokë si pjesë e një marrëveshjeje për paqe, duke i quajtur lëshimet e tilla “bazë e keqe për përfundimin e konfliktit” dhe duke theksuar se agresioni rus mbetet pengesa qendrore për një zgjidhje të qëndrueshme.
SHIKONI EDHE: A do të përfundojë sivjet lufta e Rusisë kundër Ukrainës?Të dy ish-zyrtarët thanë se trysnia shtesë duhet të drejtohet ndaj Moskës, jo ndaj Kievit, nëse duhet të krijohen kushte për diplomaci serioze.
Volker i përshkroi si të papërdorura plotësisht mjetet e politikës së SHBA-së, ndërsa Gilmore tha se Rusia ende nuk është përballur me stimuj mjaftueshëm të fortë për t’i rishqyrtuar qëllimet e saj.
Ngecja e diplomacisë
Përpjekjet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA-ja kanë nxjerrë në pah ngërçin. Palët nuk arritën t’i tejkalojnë dallimet mbi territorin dhe garancitë e sigurisë gjatë bisedimeve të mbajtura këtë javë në Gjenevë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se negociatorët ushtarakë kishin rënë dakord për mekanizma të mundshëm për monitorimin e një armëpushimi, nëse do të kishte vullnet politik.
Por, mosmarrëveshjet thelbësore politike, veçanërisht kërkesat territoriale të Rusisë, mbeten të pazgjidhura.
Kryenegociatori rus, Vladimir Medinsky, i përshkroi diskutimet si “të vështira por profesionale”.
Ndërkohë, Zelensky reagoi ashpër, duke sugjeruar se Medinsky - një historian revizionist dhe ish-ministër i kulturës - kishte futur një lloj interpretimi të diskutueshëm të historisë në bisedime.
Palët u pajtuan vetëm për t’i vazhduar bisedimet, pa shpallur një datë për rundin e ardhshëm.
Ndërkohë, sulmet e vazhdueshme me raketa dhe dronë nga Rusia ndaj infrastrukturës ukrainase nxjerrin në pah hendekun midis diskutimeve diplomatike dhe realiteteve në fushëbetejë.
Kufizime strukturore
Përtej ngërçit politik, disa analistë theksojnë faktorë afatgjatë strukturorë që po i formësojnë si luftën ashtu edhe perspektivat për paqe.
George Beebe, një ish-specialist i CIA-s për Rusinë, i cili tani është drejtor i strategjisë së madhe në Quincy Institute, tha se zotimet perëndimore për ta mbështetur Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” mbështeten në supozime që mund të zbehen me kalimin e kohës.
Popullsia në tkurrje e Ukrainës dhe kapaciteti i kufizuar për të prodhuar armë kyç, përfshirë raketa të mbrojtjes ajrore, e kufizojnë aftësinë e saj për ta përballuar një luftë të zgjatur pa angazhim më të madh nga Perëndimi.
Në të njëjtën kohë, theksoi Beebe, edhe nëse Rusia konsolidon kontrollin mbi territoret e pushtuara, ajo do të përballet prapëseprapë me një NATO më të madhe dhe më të bashkuar, një sfidë strategjike që përfitimet në fushëbetejë nuk mund ta zgjidhin.
“Ngrohim trupin dhe shpirtin”: Tendat në Kiev që mbrojnë ukrainasit nga acari
Ai sugjeroi se kostot në rritje për të gjitha palët mund t’i nxisin ato përfundimisht për të bërë kompromis. Por çdo negociatë, tha ai, ka gjasa të jetë e zgjatur dhe e ndërlikuar, sepse kërkohet marrëveshje inovative për sigurinë. Për shembull, garanci të mbështetura nga Evropa për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni i ardhshëm pa ofruar anëtarësim në NATO.
Duke folur këtë javë në një forum të organizuar nga Quincy Institute, John Mearsheimer, nga Universiteti i Çikagos, ofroi një perspektivë më skeptike.
Këmbëngulja e Moskës për neutralitetin e Ukrainës dhe kufizime mbi kapacitetet ushtarake të Kievit pasqyron atë që Kremlini e sheh si një kërcënim ekzistencial nga zgjerimi i NATO-s, tha ai.
“Pa braktisjen nga Rusia të këtyre pozicioneve thelbësore, negociatat domethënëse mbeten joreale”, tha Mearsheimer.
Llogaritjet në Moskë
Analistët pajtohen pothuajse plotësisht se trajektorja drejt paqes varet nga vendimet e marra në Moskë.
Nëse Rusia nuk ndryshon kurs ose nuk përballet me kosto ndjeshëm të rritura, përparimi diplomatik ka mundësi të kufizohet në marrëveshje teknike, si mekanizma të kufizuar armëpushimi, dhe jo në zgjidhjen gjithëpërfshirëse politike të nevojshme për t’i dhënë fund një lufte, kostoja njerëzore dhe rreziqet strategjike të së cilës vazhdojnë të rriten.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane, duke folur në kushte anonimiteti më 20 shkurt, kundërshtoi idenë se mundësia për kompromis është shteruar.
“Ndërsa sfidat janë të qarta, ne mbetemi të përkushtuar për të ndjekur çdo rrugë të mundshme”, tha zyrtari. “Përpjekja për të gjetur terren të përbashkët do të vazhdojë, edhe nëse përparimi është i ngadaltë dhe i vështirë”.