Në zgjedhjet lokale më 15 tetor, të drejtën e votës e kanë më shumë 1.8 milion banorë nga rreth dy milionë sa ka Maqedonia, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës.
Ky numër më nuk u bën përshtypje partive politike, të cilat gjatë zgjedhjeve të parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar zhvilluan polemika e debate të shumta në lidhje me numrin e votuesve.
Lidhja Social-Demokrate që tani është në pushtet, për disa muaj me radhë ka mbajtur peng listën e votuesve me pretendimet se ajo nuk pasqyron numrin real të votuesve, apo se numri i votuesve nuk mund të jetë më i lartë se 1.5 milion syresh.
Kjo kishte bërë që lista të pësonte ndryshime duke larguar nga e njëjta më shumë se 30 mijë votues që dyshoheshin për të dhëna jo të sakta, ndërsa rreth 200 mijë të tjerë ishin vendosur në një vend të posaçëm të listës zgjedhore, pasi mendohej se ata janë shtetas, por që ndodhen jashtë vendit me punë të përkohshme.
Tani kjo parti, sikurse dhe të tjerat, nuk kanë bërë asnjë reagim për listën e votuesve që është miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve. E derisa partitë heshtin, njohësit e çështjeve politike dhe juridike vlerësojnë se lista nuk pasqyron realitetin pasi, sipas tyre, është absurde të mendohet se nga 2 milionë banorë, më shumë se 1.8 milion të kenë të drejtë vote.
“Kjo lë hapësirë për dyshime se lista zgjedhore nuk është e pastruar sa duhet dhe se do të ketë numër shumë më të madh të votuesve se sa që duhet të jenë realisht. E gjithë kjo është pasojë e pengesave dhe manipulimeve të ndryshme që e bëjnë të pamundur që ky proces të përfundojë një herë e përgjithmonë, që të kemi një qasje reale ndaj këtij problemi të ndjeshëm, që, vazhdimisht, që nga vendosja e pluralizmit, është përdorur për manipulime të ndryshme”, thotë Temelko Ristevski, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin Fon të Shkupit.
Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese, thotë se lista e papastruar zgjedhore, hap dyshime për rezultatin zgjedhor. Ai konsideron se nuk do të ketë parti, e cila do t’i humbë zgjedhjet dhe për këtë të mos e fajësojë listën zgjedhore. Neziri vlerëson se listë zgjedhore reale është vështirë të ketë, pa regjistrimin e popullsisë, proces ky që nuk po mund të zhvillohet tani dhjetë vjet.
“Me një listë zgjedhore të papastruar, të paazhurnuar, do të shkohet në zgjedhjet lokale dhe natyrisht se kjo do të sjellë shumë dyshime për rezultatet që do të dalin. Nuk besoj se do të ketë parti që do t’i humbë zgjedhjet në komuna të caktuar e që nuk do të drejtojë gishtin apo nuk do ta hedhë fajin te manipulimi me listën e votuesve, ndërkohë që KSHZ-ja nuk mund të bëjë asgjë më tepër pa pasur një regjistrim të qartë të popullsisë”, vlerëson Neziri.
Ai shton se në një situatë të tillë mbetet që procesi zgjedhor të paktën t’i nënshtrohet një monitorimi më të madh nga ana e organizatave joqeveritare që merren me këtë proces, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë.
Lista zgjedhore, sipas ish-anëtarit të KSHZ-së, Aleksandar Novakovski, mund të ketë pësuar ndryshime, duke marrë parasysh vërejtjet e OSBE-së, por, kjo sipas tij, vështirë të ketë rritur besimin në opinion për një listë zgjedhore reale.
“Më duhet të them se numri i votuesve për zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe zgjedhjet e tanishme lokale, ka një dallim shumë të madh. Besoj se numri i madh i votuesve që janë futur në listë, është bërë pas rekomandimeve të OSBE ODIHR-it nga raporti i fundit se në listën zgjedhore duhet të përfshihen edhe personat që kanë dokumente me afat të skaduar, por që me Kushtetutë kanë të drejtën e votës”.
“Por, jam i bindur se besimi në listën zgjedhor nuk është kthyer, kjo edhe me faktin se ende KSHZ-ja nuk ka dalë me qëndrim nëse e ka nënshkruar këtë listë dhe nëse ajo mendon se ajo paraqet gjendjen reale në vend”, thotë Novakovski.