Puna nga shtëpitë duhet të “kthehet në normë”, ka thënë kryeministri belg, Alexander De Croo më 16 tetor, teksa ka bërë të ditura kufizimet e reja në lëvizje si pasojë e përkeqësimit të situatës me koronavirus në Belgjikë.
Sikur edhe shumë aspekte tjera të përditshmërisë, pandemia e koronavirusit ka ndryshuar edhe mënyrën e të punuarit, meqë kufizimet e vëna, me qëllim të ndaljes së këtij virusi, janë përcjellë me thirrjet për qëndrim sa më të madh në shtëpi dhe mbajtje të distancës fizike.
Prej muajit mars, kur koronavirusi edhe është shpallur pandemi, nëpër rrjetet sociale janë publikuar një mori materialesh që kanë treguar vështirësitë apo të mirat e punës nga shtëpitë.
Gazetarja e rrjetit televiziv amerikan, Hala Gorani ka qenë njëra prej tyre, e cila ka publikuar në llogarinë e saj në Instagram materialin që ka treguar se si ajo është përkujdesur që gjithçka të jetë në rregull, derisa ka nisur transmetimi i emisionit nga shtëpia e saj.
Ndërkohë arritja e objektivave ka ngjallur diskutime rreth asaj nëse duhet kthyer nëpër ambiente të punës pas përmirësimit të situatës epidemiologjike, pa harruar edhe dilemat rreth performancës nga ambientet shtëpiake.
Shtëpi vs. zyrë. Cila fiton?
Alban Sahiti nga kompania softuerike “Tenton” në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka vërejtur rënie të kualitetit të punës së punëtorëve nga shtëpitë, mirëpo vendimi për t’u kthyer në zyrë është marrë për arsye tjera.
“Ka ekzistuar dëshira për kthim në zyrë, pasi përveç punës të ketë edhe kënaqësi dhe argëtim dhe njëri-tjetrin. Pra të ketë më shumë lidhje mes punëtorëve, ekipi të jetë më i komponuar”, ka thënë Sahiti.
SHIKONI EDHE: Sa është e sigurt dalja në zyrë gjatë kohës së pandemisë?Sipas tij puna nga shtëpitë mund të kryhet, sidomos në kompani të tilla si "Tenton", e cila punon kryesisht për tregje të jashtme, mirëpo aspektet tjera njerëzore i mungojnë këtij formati.
“Shumë herë, disa gjëra edhe mund të kryhen online ose mund të kryhen bisedat online, por kur takohesh ballë për ballë është një emocion më ndryshe dhe mendoj që kuptohen gjërat më lehtë. Gjithashtu edhe komunikimi me ekipin bëhet më i lehtë kur jemi të gjithë së bashku në zyrë. Funksion edhe puna online shumë mirë, mirëpo organizimet që i bëjmë zakonisht – në mënyrë që të kemi ndonjë aktivitet së bashku – mungonin nga shtëpitë”, thotë ai.
Por, Eljesa Nreci, studente që jeton në Nuremberg të Gjermanisë, duket se nuk e ka këtë problem. Ajo ka punuar nga shtëpia edhe para se të shpërthente pandemia, dhe atë me vetëdëshirë. Tash e gati një vit ajo ka hapur faqen për shitje online të rrobave “SAiT TWO”, dhe gjithçka ka thënë se organizon prej shtëpisë, në bashkëpunim me një punëtore tjetër. Edhe kur e ka hapur biznesin e saj të vogël, ajo nuk e ka planifikuar që i njëjti të funksionojë nga zyra.
“Më pëlqen sepse mund ta menaxhoj kohën ashtu si më përshtatet mua. Filloj punën atëherë kur unë dua, sepse ndonjëherë nuk ke shumë energji në mëngjes. Më pëlqen edhe për faktin që mëson shumë për vetëdisiplinën, duhet ta motivosh veten sepse nuk e ke dikë afër të të tregojë se çfarë duhet të bësh apo kur duhet të bësh diçka, si dhe mendoj që mund të jesh më kreativ sepse ndërkohë mund të shikosh diçka tjetër dhe të motivohesh dhe si përfundim të duket që koha po ec shumë më shpejt dhe unë vetë jam më pozitive”, ka thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Ajo e menaxhon vetë faqen online, organizon sesione të fotografisë, porosit rrobat nga Italia, komunikon me klientët, shkruan tekstet për faqen, si dhe bën gati pakot për dërgesa.
SHIKONI EDHE: Rriten blerjet online në Kosovë – më të kërkuarat vaji, pastat dhe veshjet sportiveTeksa ka folur për të mirat e punës nga shtëpitë, Nreci përmend që në këtë mënyrë ka shmangur kostot e mbajtjes së një zyreje si dhe udhëtimin në punë, duke thënë se shpesh mund të jetë stresues.
Ajo ka thënë se aktualisht ka edhe një punë tjetër, por nëse do t’i duhej të vendoste, versioni nga shtëpia do t’i përshtatej më shumë.
“Do të vendosja për shtëpinë sepse ndonjëherë e marr laptopin dhe shkoj në ndonjë kafiteri apo restorant, kam dëshirë që ta ndërroj vendin, ndërsa në punë e ke gjithmonë ambientin e njëjtë”, ka thënë ajo.
Shtëpisë i mungon komunikimi mes kolegëve
Por, edhe puna nga shtëpia ka mangësitë e veta.
Nreci ka thënë se përveç humbjes së sensit të kohës, ndonjëherë mungon komunikimi me kolegët dhe diskutimet për ide të ndryshme.
“Në shtëpi ndonjëherë nuk e vëren si po kalon koha, shembull në punë e di saktë që kur të përfundon orari dhe shkon në shtëpi, ndërsa nga shtëpia nuk ke ku të shkosh sepse veçse je në shtëpi. Më ka ndodhur që e kam humbur sensin e kohës dhe disa herë kam mbetur tërë natë në laptop duke e rregulluar faqen dhe kam harruar që të nesërmen më duhet të zgjohem e të funksionoj sërish”, shprehet ajo.
Dallimet e tilla në preferenca, dikush pro punës nga shtëpia e dikush kundër, kanë shtyrë shumë kompani që të ofrojnë sistem hibrid të punës, tri herë në javë punë nga shtëpia, dy të tjera në zyrë, apo anasjelltas.
Gabim në server
Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!
Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web
Edhe Alban Sahiti ka thënë se kompania "Tenton" mund ta aplikojë një gjë të tillë në të ardhmen.
“Jemi duke shqyrtuar mundësi që të kombinojmë orarin, pasi e kemi parë që arrijnë të kryhen punët. Nëse është ndonjë ditë që po bie shi, apo dikush nuk dëshiron të shkojë në zyrë, më mirë është qëndrimi në shtëpi, por performanca të jetë e mirë sesa shkuarja në zyrë pa ndonjë disponim”.
I pyetur nëse ai dhe bashkëpronarët tjerë do të ishin të gatshëm për të mbyllur krejtësisht zyrën me rreth 20 punëtorë, Sahiti është përgjigjur negativisht, duke thënë se jo të gjithë pjesëtarët e stafit do ta pëlqenin atë vendim.
“Kur punon me ekip më të madh është më problematike, sepse dikush dëshiron të punojë nga shtëpia e dikush jo. Kjo mund të ndikojë që dikush edhe të kërkojë punë tjetër, vetëm që të punojë në zyrë, andaj na duhet t’i hormonizojmë mundësitë që të funksionojnë për të gjithë ekipin”, ka thënë Sahiti.
Si vepruan kompanitë tjera ndërkombëtare?
Me qëllim të ofrimit të fleksibilitetit, kompanitë, Google, Salesforce dhe Facebook kanë qenë disa prej bizneseve që kanë thënë se punëtorët e tyre do të mund të punojnë nga shtëpitë, deri të paktën verën e vitit të ardhshëm.
Kompani tjera po ashtu me nam si, Twitter, Coinbase dhe Shopify, kanë thënë se punëtorët e tyre mund ta shfrytëzojnë përjetësisht mundësinë e punës nga shtëpitë.
SHIKONI EDHE: Twitter i lejon stafit të punojë përgjithmonë nga shtëpiaGjiganti teknologjik amerikan, Microsoft, ka qenë i fundit që i është bashkuar kësaj valleje.
Ndërkohë këtë çështje në nivel shtetëror është duke e diskutuar aktualisht Gjermania.
SHIKONI EDHE: Gjermania pritet ta bëjë të ligjshme punën nga shtëpia edhe pas pandemisëAutoritetet e këtij vendi kanë thënë se dëshirojnë t’iu ofrojnë punëtorëve të tyre të drejtë ligjore që të punojnë nga shtëpitë.
Ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil ka thënë së fundmi për Financial Times se projektligji për këtë gjë do të prezantohet brenda javësh, ashtu që punëtorët të mund ta shfrytëzojnë këtë version pune kur të kenë mundësi.
Puna nga shtëpia rrit shqetësime për pabarazi gjinore
Pavarësisht të mirave, jo të gjithë mund të punojnë nga shtëpitë.
Përveç specifikave të ndryshme në profesione, kjo mënyrë e të punuarit ka ngritur shqetësime për pabarazi gjinore, pasi një studim i kryer nga Universiteti Yale në Shtetet e Bashkuara, ka treguar se gjatë kohës së pandemisë nënat kanë shpenzuar më shumë kohë duke kryer punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët, në krahasim me baballarët.
Gratë po ashtu është thënë se kanë qenë në përqindje më të madhe që kanë punuar në prani të fëmijëve, në krahasim me burrat.
“Ekzistojnë disa ide, të mbështetura nga studime të pakta, sipas të cilave puna nga shtëpitë është pjesërisht e mirë për nënat”, ka thënë Thomas Lyttelton, udhëheqës i studimit nga Departamenti i Sociologjisë në Yale.
SHIKONI EDHE: Bizneset e grave në rrezik të mbylljes nga pandemia“Ndonëse puna nga shtëpitë mund t’iu ndihmojë nënave që të kombinojnë punën me kujdesin ndaj fëmijëve, studimi ynë sugjeron se kjo gjë ndikon edhe në sasi joproporcionale të kryerjes së punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve në krahasim me baballarët”, ka thënë mes tjerash ai.