Ndërlidhjet

Bizneset e grave në rrezik të mbylljes nga pandemia


Ilustrim
Ilustrim

Biznese të udhëhequra nga gratë në Kosovë janë goditur rëndë nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

‘Let Center’, një institucion edukativ arsimor privat i udhëhequr nga Lida Hoxha është një biznes i cili u ndikua nga pandemia COVID-19.

Tre vite më parë ajo hapi biznesin e saj ‘Let Center ‘ i cili punëson 15 persona, shumica prej tyre janë gra.

Përkundër shumë sfidave që kishte pasur tri vite më parë ajo arriti ta hapte biznesin e saj.

Gjithçka shkonte shumë mirë, thotë Hoxha, derisa në Kosovë filluan masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Sigurisht që ka qenë një afektim direkt në biznesin tonë. Ne jemi qëndrim ditor për fëmijët dhe në momentin që qeveria ka dal me një vendim për të mbyllur shkollat dhe institucionet arsimore, ne jemi mbyllur. Humbjet janë të mëdha duke pasur parasysh që kemi pasur dy shtëpi me qira të cilat janë të kushtueshme, shërbimet tjera si dhe stafi i cili është paguar”, thotë ajo.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars.

Hoxha thotë se gjatë kësaj kohe nuk ka pezulluar askënd nga puna, por që vë në dyshim se kur të rifillohet më punën do të mund të këtë punë për të gjithë.

“Realisht që tre muaj të gjithë jemi në pritje nuk kemi menduar se do të zgjasë kaq shumë. Tani do të shohim a do të kthemi të gjithë në punë si do të shkojë rihapja. A do të sjellin të gjithë fëmijët në kopsht dhe a do të punohet me numër të njëjtë të fëmijëve”, thotë Hoxha.

Masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë prekur ekonominë e Kosovës. Humbjet konsiderohen të mëdha dhe atë deri në 6 milionë euro në ditë sipas parashikimeve të bëra nga institucionet e Kosovës.

Organizatat ekonomike në Kosovë në bazë të një hulumtimi kanë vënë në pah se mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.

Hoxha: Ende nuk e morëm ndihmën nga shteti

Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth 180 milionë euro për Pakon emergjente fiskale. Në një nga masat e kësaj pakoje qeveria kishte paraparë të ndihmojë punëdhënësit në mbulimin e pagave të punëtorëve në vlerë prej 170 euro për dy muaj, prill dhe maj dhe 50 për qind të qirasë.

Hoxha bëri kërkesë për ndihmë për të mbuluar pagat e punonjëseve të saj, por deri më 28 maj shumica e punëtorëve të saj nuk i kanë marrë pagesat.

“Është thënë Pako emergjente tani jemi në maj dhe disa prej punëtorëve nuk janë paguar. Po ashtu edhe sa i përket qirasë pronarët e shtëpive ku ne i kemi me qira ende nuk kanë marrë ndihmën që ju takon nga shteti”, thotë Hoxha.

Për vonesat që janë duke u bërë në zbatimin e Pakos emergjente fiskale qeveria në detyrë e Kosovës vazhdimisht ka thënë se janë procese administrative, por që gjithçka do të zbatohet nga kjo pako.

Hapja e institucioneve arsimore, thotë Hoxha do të mund të ndërpriste humbjet që po i shkaktohen biznesit të saj.

Oda Amerikane kërkon të mbështeten gratë sipërmarrëse

Qeveria e Kosovës ka paraqitur Pakon e rimëkëmbjes ekonomike, e cila, siç thuhet për ekonominë do të ketë ndikim prej mbi 1.2 miliard euro, për pesë vitet e ardhshme.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përmes një forumi virtual me gratë në biznes të organizuar javë më parë ka kërkuar që programi i rimëkëmbjes ekonomike të fokusohet në përkrahjen për gratë ndërmarrëse.

Bleta Zeqiri, kryeshefe ekzekutive në Chocolate Corner e pranishme në këtë forum, ka theksuar se pandemia me COVID-19 ka qenë sfida më e madhe në të cilën ka hasur deri më tani.

Ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së bizneseve të reja të krijuara apo drejtuara nga gratë gjatë kësaj periudhe, ndërsa, sa i përket mbështetjes së bizneseve nga Qeveria, ajo thotë se shpreson për një strategji të mirëfilltë të rimëkëmbjes ekonomike për bizneset dhe qytetarët, me theks të veçantë në ndihmë ndaj grave në biznes.

Viteve të fundit është rritur numri i grave sipërmarrëse. Ato vazhdojnë të përballen ende më sfida të shumta në mjedisin e biznesit. Përveç paragjykimeve, problem tjetër i të qenit grua në fushën e të bërit biznes është mungesa e kapitalit.

Ende ekziston një dallim i madh në mes numrit të bizneseve që drejtohen nga burrat dhe atyre që drejtohen nga gratë në Kosovë.

Këtë e tregojnë edhe statistikat zyrtare. Sipas platformës elektronike "Bizneset e Hapura", vetëm 11 për qind e bizneseve aktive në Kosovë udhëhiqen nga gratë.

XS
SM
MD
LG