Ndërlidhjet

MENAXHIMI MË I MIRË I BUXHETIT MUNDËSON RRITJEN E PAGAVE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Megjithë faktin se buxheti i konsoliduar i Kosovës është i kufizuar, me një menaxhim më të mirë, të ardhurat e punëtorëve në institucionet publike, do të mund të rriten për një përqindje të vogël, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike.

Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se në këtë drejtim mungon një planifikim i mirëfilltë i investimeve, qoftë kapitale apo shpenzimeve buxhetore. Ai thotë se Kosova aktualisht gjendet në një situatë të vështirë dhe kërkon një analizë më të thellë, dhe sipas tij, ajo që dramatizon situatën më tepër është neglizhenca e institucioneve vendore, përballë kërkesave për rritjen e pagave të punëtorëve në shërbimet publike.

“Sikur të kish pasur një mundësi të dialogut apo të komunikimit të mirëfilltë, ndoshta kërkesat do të jenë më të zbutura. Por nuk është koha të analizohet vetëm sistemi shëndetësor, të njëjtën situatë e kemi në arsim, tjetrën situatë e kemi në lëmi të tjera të ekonomisë kosovare. Dhe vërtet është një situatë tejet konfuze, por duhet të ketë zgjidhje”, thotë zoti Gërxhaliu.

Një tjetër mundësi për qeverinë është edhe shfrytëzimi i suficitit të buxhetit, thotë zoti Gërxhaliu.
“Dhe në qoftë se analizohet krejt kjo situatë nga kjo prizmë, atëherë popullata dhe të punësuarit në shërbimet publike mendojnë se ka mundësi dhe buxheti duhet të mjaftojë për mbulimin e kërkesave të tyre,” tha zoti Gërxhaliu.

Të hyrat buxhetore në krahasim me kërkesat e numrit të madh të punëtorëve në shërbimet publike janë shumë të vogla, thotë dekani i Fakultetit Ekonomik, Sabaudin Komoni.
Megjithatë ai pohon se edhe këto mjete të pakta buxhetore nuk shpenzohen në mënyrë racionale.

“Ekziston një parim në buxhet që duhet të aplikohet, kursimi dhe shfrytëzimi racional i mjeteve. Këtu në Kosovë nuk aplikohet ai princip,” thotë zoti Komoni.

Zoti Komoni, ndërkaq thotë se pagat e punëtorëve në institucionet publike janë shumë të vogla në krahasim me vëllimin e madh të punës.
Dhe për këtë arsye thotë ai, qeveria e Kosovës duhet të punojë më tepër në këtë drejtim.

“Mendoj se pagat duhet të rriten me një përqindje sa do të vogël, veç sa të diktohet në opinion se qeveria po interesohet për fatin e tyre, për punën, për shërbimet, të cilat janë në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Prandaj e arsyetoj kërkesën e punëtorëve shëndetësore, por dhe qeveria duhet të merret më tepër me këto probleme”, tha zoti Komoni.

Tash e shtatë vjetë me radhë, pushteti në Kosovë përballet me kërkesa të vazhdueshme nga institucionet publike për rritjen e pagave të punëtorëve. Përveç sistemit të arsimit, i cili në shumë raste ka kërkuar rritje pagash nëpërmjet grevave, së fundi edhe Qendra Klinike Universitare tash e 22 ditë me radhë është duke mbajtur një grevë. Por, edhe kësaj radhe, qeveria e Kosovës ka deklaruar se përmbushjen e kërkesave të parashtruara nga grevistët e pamundëson buxheti i kufizuar.
XS
SM
MD
LG