Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PETERSEN: NDARJA E KOSOVËS ËSHTË OPSION I PAMUNDUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndarja e Kosovës nuk do të jetë në agjendën e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës ka deklaruar sot në Prishtinë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto deklarata ai i ka bërë pas takimeve që ka pasur me krerët e institucioneve të Kosovës, me të cilët siç është bërë e ditur ka biseduar për përmbushjen e standardeve dhe për pakicat.
"Një çështje që nuk do të jetë në agjendën e bisedimeve për statusin është ndarja e Kosovës, mirëpo mënyra më e mirë për t’u siguruar për këtë është afrimi dhe integrimi i minoriteteve," tha Petersen, duke bërë të ditur se kishte emëruar kanadezin Craig Jannes, këshilltar për pakicat, veprim, të cilit edhe kryeministri Haradinaj, i është përgjigjur me emërimin e Nexhemedin Spahiut këshilltar për pakicat.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, pas takimit me zotin Petersen tha se përfshirja e pakicave në shoqërinë e Kosovës dhe integrimi i tyre është i rëndësishëm për proceset e tanishme:
"Unë fola për një integrim të minoritetit serb në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës, por që të punojmë në këtë plan dhe na duhet vullneti i tyre. Ne do t’i kryejmë punët tona".
Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, e ka ngritur sot çështjen e domosdoshmërisë së egzistimit të garancive ndërkombëtare për mosndarjen e Kosovës dhe disa çështje të tjera:
"Kosovës dhe kosovarëve u duhet përcaktimi i qartë i bashkësisë ndërkombëtare se nuk do të ketë ndërrim të kufijve të Kosovës, nuk do të ketë ndarje etnike të Kosovës dhe nuk do të ketë decentralizim mbi baza etnike, " tha Daci për të shtuar se do të ketë komuna minoritare, pra edhe të serbëve, aq sa do të jetë e nevojshme për zhvillimin normal të shoqërisë dhe për plotësimin e nevojave të qytetarëve. Zoti Petersen bashkë me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, kanë takuar grupet për standardet dhe kanë diskutuar për përmbushjen e tyre, tha vetë kryeministri Haradinaj:
"Kemi pasur grupinn e punës në nivel ministror dhe tani grupin e punës me kryetarët e komunave. Në takimin e sotëm jemi informuar edhe për angazhimet që po ndërmerr bashkësia ndërkombëtare dhe UNMIK-u në Kosovë".
Ndërkohë që kryeministri Haradinaj e ka quajtur të rëndësishëm përmirësimin e pozitës së pakicave, kryeadministratori Jessen Petersen, tha se ka përmirësime të pozitës së minoriteteve:
"Ka pasur përmirësim të konsiderueshëm në situatën e sigutisë, duke u mbështetur edhe në faktin se që nga qershori në Kosovë nuk ka pasur asnjë incident me motive etnike," tha shefi i UNMIK-ut Petersen, sipas të cilit, megjithatë shumëçka ka mbetur për t’u bërë për përmirësimin e lirisë së lëvizjes dhe për qasjen e barabartë të pjesëtarëve të pakicave në shërbimet publike. Mirëpo, Petersen tha se të hënën e ardhshme do të kërkojë nga autoritetet e Beogradit të kuptojnë se Kosova po ecën përpara dhe ka muaj shumë të rëndësishëm para vetes, prandaj serbët duhet të jenë pjesë e proceseve dhe të shfrytëzojnë vendet në parlament dhe në qeveri.





XS
SM
MD
LG