Ndërlidhjet

HOLOKAUSTI- TRAGJEDI QË ENDE DHEMB


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Këto ditë në mbarë botën po shënohet 60 vjetori i çlirimit të kampit famëkeq nazist Aushvitz. Sa është i informuar dhe i sensibilizuar opinioni kosovar rreth kësaj ngjarjeje dhe në përgjithësi lidhur me Holokaustin?
Sociologu Fadil Maloku thotë se opinioni kosovar duhet të mësojë më shumë për Holokaustin, qoftë edhe vetëm për faktin se një tragjedi të tillë, ndonëse në përmasa më të vogla, e kanë përjetuar edhe vetë shqiptarët në Kosovë.
"Opinioni i gjerë kosovar ka nevojë të informohet për Holokaustin, për shkak se ajo është një pjesë e gjithë njerëzimit, një tragjedi kolektive mbarë botërore. Opinioni jonë kosovar konsideroj që është mirë të informohet për Holokaustin, për shkak se edhe ne e kemi përjetuar një tragjedi, si histori edhe si komb, por jo me përmasa si i kanë përjetuar në Luftën e Dytë Botërore, sidomos hebrenjtë."
Avni Spahiu, nënkryetar i PEN Qendrës dhe drejtor i Radio Kosovës, thotë se kësaj tragjedie botërore në Kosovë nuk i është kushtuar ndonjë vëmendje e veçantë, por sipas tij kjo datë kurrsesi nuk duhet të harrohet.
"Mendoj se për Kosovën është me rëndësi që të shënohet kjo datë, jo vetëm për të përkujtuar viktimat e një periudhe shumë çnjerëzore, e cila nuk bën kurrsesi të harrohet, por si diçka që në një formë shumë më të butë, është përsëritur edhe në truallin e Ballkanit dhe sidomos edhe në Kosovë para 5-6 vjetësh. Unë mendoj se Kosova duhet ta shënojë këtë datë, t'i nderojë viktimat e Holokaustit, të nxjerrë mësime nga ajo ngjarje, të rikujtojë edhe njëherë se krimi kundër njerëzimit është i papranueshëm dhe se duhet krijuar një shoqëri, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë, pa diskriminime racore, etnike, etj, dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme për një shoqëri të cilën ne jemi duke e krijuar".
Zoti Maloku thotë se përgjegjësia për mosinformimin e opinionit publik mbi Holokaustin, u takon kryesisht mediave vendore.
"Unë nuk e fajësoj në këtë drejtim shoqërinë, opinionin publik. Për mua fajtorë në këtë drejtim janë mediat elektronike dhe mediat e shkruara, që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur".
Edhe zoti Spahiu pajtohet me një konstatim të tillë.
"Edhe unë mendoj se mediat janë fajtore për këtë. Mediat fatkeqësisht në Kosovë po merren vetëm me anën e politikës aktuale ditore dhe po harrojnë gjëra të tjera sepse misioni i mediave është që të ketë edhe një kujtesë historike që t'i rikujtojë ngjarjet e mëdha botërore, sidomos tragjeditë që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit. Ne si radio deri tani kemi patur një emision lidhur me këtë dhe kemi planifikuar që gjatë këtij muaji të kemi dhe dy tre emisione, që do të bëjnë fjalë për Holokaustin dhe për krimet që kanë ndodhur për njerëzimin pas Luftës së Dytë Botërore."
Për 60 vjetorin e Holokaustit, opinioni kosovar këto ditë është informuar nëpërmjet seancës së veçantë të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është transmetuar nëpër mediat vendore.

XS
SM
MD
LG