Ndërlidhjet

ZYRTARËT E BE-SË DHE KARLA DEL PONTE KËRKOJNË NGA VENDET E BALLKANIT BASHKËPUNIM ME TRIBUNALIN E HAGËS


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte, është takuar sot në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, ku ka kërkuar bashkëpunim të vendeve të Ballkanit me Tribunalin e Hagës.
Përfaqësuesit e BE-së thanë pas këtyre takimeve me zonjën Karla Del Ponte, që vendet e rajonit duhet ta dinë se nëse nuk bashkëpunojnë me Tribunalin e Hagës, do ta kenë tepër të vështirë edhe në raportet me BE-në. Havier Solana tha se vendimet e veta për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit, Bashkimi Evropian do t'i marrë në bazë të vlerësimeve të zonjës Karla Del Ponte dhe se ajo sot më shumë ka raportuar për mosbashkëpunimin e këtyre vendeve. Si mund të shënojmë sivjet 10 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë dhe si mund të duket kjo në sytë e viktimave të këtij gjenocidi, nëse të akuzuarit kryesorë për këtë Radovan Karaxhiç dhe Radko Mladiç janë ende në liri të plotë, tha Karla Del Ponte dhe me këtë konstatim u pajtua edhe Havier Solana. Del Ponte në takimin me gazetarët sot refuzoi të flasë për atë se kur mund të konfirohet ndonjë aktakuzë eventuale për Kosovën, por konfirmoi se i ka dorëzuar që në dhjetor gjashtë aktakuza të reja. Këto aktakuza kanë të bëjnë me tërë territorin e ish-Jugosllavisë. "Siç e dini unë nuk flas për aktakuzat e reja publikisht. Mundem vetëm të konfirmoj se në bazë të mandatit që kemi patur, ne i kemi dorëzuar edhe gjashtë aktakuza të reja dhe presim tani që gjykatësit të marrin vendim për to." E pyetur se a kanë gjykatësit ndonjë afat kohor se deri kur duhet t'i konfirmojnë apo refuzojnë këto aktakuza, Del Ponte tha se nuk ka ndonjë afat por zakonisht kjo ndodh për dy deri katër javë, ndërsa në këtë rast duhet patur parasysh se edhe gjykatësit e Hagës janë shumë të zënë me procedura të ndryshme në këtë Tribunal. Këto aktakuza do të jenë aktakuzat e fundit për territorin e ish-Jugosllavisë, që do t'i ngrejë Tribunali i Hagës.

XS
SM
MD
LG