Ndërlidhjet

UNMIK-U DHE QEVERIA PARALAJMËROJNË PËRSHPEJTIMIN E DECENTRALIZIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Procesi i decentralizimit në Kosovë do të fillojë të zbatohet shumë shpejt, me testimin e tij përmes pilot-projekteve, kanë pohuar sot shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen-Petersen dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryeadministratori ndërkombëtar, Jessen-Petersen, tha se në këtë çështje, pritet të ketë një konsenzus të përgjithshëm, duke përfshirë këtu dhe opozitën. Ndërkohë që kryeministri Haradinaj, paralajmëroi hapa konkretë në procesin e decentralizimit që nga java e ardhshme dhe premtoi që menjëherë do ta njoftojë opozitën me të gjitha vendimet e qeverisë. Ndërkaq zoti Petersen, tha se arritja e një pajtimi të përgjithshëm, në kuptimin e përfshirjes dhe pranimit të standardeve dhe decentralizimit, jo vetëm nga forcat politike, por edhe qytetarët e Kosovës, është kërkuar dhe në takimin e fundit të Grupit të Kontaktit, të mbajtur këtë javë në Prishtinë:
“Kur flasim për konsenzusin, këtu bëhet fjalë për një konsenzus të Kosovës në këtë çështje dhe pastaj është çështje tjetër, se në çfarë forme qeveria do ta përfshijë aty edhe opozitën, në mënyrë që edhe opozita të ndihet se është konsultuar për këtë proces”, tha Petersen.
Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj, tha se nuk pajtohet me akuzat opozitës se procesi aktual që po ndjek qeveria, e shpie Kosovën drejt ndarjeve etnike. Ai tha se javën e ardhshme, qeveria do të marrë vendimet paraprake para se të fillohet me testimin e procesit. Sipas tij, nuk pritet që deri atëherë të ketë kyçje të opozitës në këtë proces, por opozita, tha Haradinaj do të njoftohet në kohë lidhur me vendimet, që do t’i marë qeveria e tij dhe pas kompletimit të dokumentacionit përkatës, si tha ai, partitë opozitare do të ftohen që të jenë gjithashtu pjesë e procesit:
“Me pilot-komunat i japim mundësinë dhe arrijmë t’i integrojmë në jetën institucionale qytetarët e pakicave, që nuk ka ndodhur deri më tani. Si qeveri e Kosovës do të veprojmë, që opozita me kohë të jetë e njoftuar dhe t’i japë vlerësimet e veta mbi bazën e të vërtetës, të projektit që e ka qeveria. Në takimin e ardhshëm të qeverisë do ta kemi një diskutim paraprak rreth procesit që kemi para vetes e më pas materialet do t’ia kalojmë edhe opozitës”, tha Haradinaj.
Po në lidhje me fillimin e zbatimit të pilot-projekteve për decentralizimin, Petersen gjatë pasdites, ka biseduar dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin. Ky i fundit, e vlerësoi të papranueshme dhe ilegale nismën e qeverisë për shpalljen e pilot-komunave pa e kaluar vendimin në Kuvendin e Kosovës:
“Plani për decentralizim i qeverisë së Kosovës, është një plan ilegal për qytetarët dhe opozitën në Kosovës, prandaj si i tillë, duhet të diskutohet në Parlament, e pastaj të nxirret Ligji për Reformimin e Pushtetit Lokal, në mënyrë që të hapet rruga e zbatimit të reformës, e kurrësesi e pilot projekteve mbi baza etnike”, tha Thaçi.
Partia Demokratike, tha Thaçi do të jetë pjesë aktive e politikës në Kosovë, por jo e asaj politike, që sipas tij, po bën qeveria, e që ka për qëllim ndarjen e Kosovës në vija etnike.


XS
SM
MD
LG