Ndërlidhjet

VAZHDON VIZITA E TADIÇ NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti i Serbisë Boris Tadiç, ndërsa ka vazhduar vizitat e tij nëpër komuna e vendbanime të ndryshme, kryesisht të populluara me banorë serbë, ka hasur edhe në protesta të qindra qytetarëve shqiptarë në Deçan, të cilët kanë hedhur vezë dhe topa bore në drejtim të eskortës dhe konvoit që përcillte presidentin serb. Me këtë rast janë thyer dritaret e një autobusi me gazetarë, që po përcillnin vizitën e tij në Kosovë, por nuk pati të lënduar.
Forcat speciale të policisë janë detyruar të ndërhyjnë për të siguruar vazhdimin e udhëtimit të konvojit që përcillte presidentin serb, ndërsa njoftohet edhe për tre persona të arrestuar.
Duke iu përgjigjur vlerësimeve të para në Prishtinë, se Tadiç nuk ka sjellë asgjë të re përsa i përket politikës së Serbisë ndaj Kosovës, presidenti serb ka pohuar se ai po qëndron në Kosovë, për t'u dërguar porosi edhe atyre që nuk janë serbë, bashkësisë ndërkombëtare, KFOR-it dhe të tjerëve, si dhe atyre që vlerësuan vizitën e tij si një provokim dhe tentim, për t'u shpjeguar se prania e simboleve shtetërore të Serbisë nuk është kurrfarë armiqësie.
Në vend ndalimin e tij të parë të sotëm në Rahovec, Tadiç u ka thënë serbëve të atjeshëm se dëshironte të ndikonte konkretisht për të përmirësuar jetën e tyre.
" Unë do të dëshiroja që të bëhen vepra konkrete në Kosovë për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve, duke patur parasysh dhe realitetin në të cilin jemi," tha zoti Tadiç, duke përmendur para së gjithash problemin e mungesës së lirisë së lëvizjes për serbët. Me këtë rast ai i ka bërë ftesë bashkësisë ndërkombëtare edhe njëherë që t'i shtojë masat e sigurisë në vendbanimet ku jetojnë serbët dhe posaçërisht joshqiptarët. Të gjithë ata që janë përgjegjës për gjendjen e çdo njeriu në Kosovë, që ai i ka quajtur pjesë të shtetit serb, duhet të bëjnë çfarë është në fuqinë e tyre që të përmirësojnë kushtet e jetesës së të gjithëve, sepse ata jetojnë pa liri, pa mundësi të lëvizjes dhe sepse të gjithë jetojnë në frikë, tha Tadiç.
Ai ka vizituar sot edhe manastirin e Deçanit dhe enklava të tjera të serbëve të Kosovës, ndërsa në orët e vona të mbrëmjes, ai do të vizitojë edhe komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.
Vizita e presidentit serb, është e para e këtij lloji në Kosovë, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe ajo besohet se po bëhet me qëllim të përfitimit të një mbështetjeje nga banorët serbë të Kosovës.
Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Kosovë, Tadiç ka vizituar fillimisht fshatrat Cërnicë dhe Shillovë të Gjilanit, për të vazhduar me vizitën në Kishën Orthodokse në Prishtinë dhe fjalimet në Shtërpcë dhe Hoçë të madhe të Rahovecit.



XS
SM
MD
LG