Ndërlidhjet

D'AMATO: STATUSI I KOSOVËS DUHET TË ZGJIDHET SA MË SHPEJT, QË TË DISKUTOHET INTEGRIMI NË BE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Një proces i përshpejtuar i integrimit të Ballkanit në Bashkimin Evropian, do të ndihmonte zgjidhjen e shumë vështirësive me të cilat po përballet aktualisht rajoni, ka thënë sot në Prishtinë, kryetari i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin dhe ish-kryeministër i Italisë, Giuliano D’Amato. Këto komente zoti D’Amato i ka bërë pasi i shoqëruar nga ish-presidenti i Gjermanisë, Weizecker është takuar me kryetarin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.
"Shumë vështirësi me të cilat rajoni aktualisht po përballet, mund të mënjanohen më lehtë me një prospekt të qartë dhe me procesin aktual të integrimit evropian," tha ish-kryeministri italian, D’Amato, për të shtuar se edhe Kosova do të ishte pjesë e këtij integrimi, mirëpo paraprakisht bashkësia ndërkombëtare duhet të dijë se cilët janë faktorët me të cilët duhet diskutuar çështja e integrimit evropian:
"Çështja e pazgjidhur gjatë e statusit të Kosovës, duhet të zgjidhet shpejt, përndryshe nuk do të jetë e qartë se kush janë lojtarët apo palët," tha D’Amato.
Ai ka thënë në vazhdim se, nëse ka vullnet të mirë te të gjitha palët dhe nëse ka mirëkuptim të ndërsjellë, atëherë mund të gjendet një zgjidhje, që do të ishte e pranueshme për Bashkimin Evropian.
Në anën tjetër presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se e kishte njoftuar zotin D’Amato dhe bashkëpunëtorët e tij për zhvillimet në Kosovë:
"E njoftova zotin D’Amato me progresin e Kosovës, me angazhimin e qeverisë për një zhvillim ekonomik, për përmbushjen e standardeve prioritare, mbrojtjen e minoriteteve, stabilitetin dhe po ashtu rrugën ndërkombëtare që është tani për të bërë vlerësimin e progresit".
Presidenti Rugova tha se synim i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në strukturat veriatlantike, ndërkohë që njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ishte hap i rëndësishëm i krijimit të qëndrueshmërisë, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Ndërkaq, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se pos vullnetit që ka për integrim, Kosova është e gatshme të marrë edhe përgjegjësitë dhe detyrat që i takojnë:
"Shpreha se e ardhmja e Kosovës është vullnet politik, për t’u zgjidhur me pavarësinë e Kosovës dhe po ashtu është domosdoshmëri, për vetë jetën tonë në Kosovë dhe dhashë garancat në emër të qeverisë, që ne jemi të vendosur që të ketë të ardhme në Kosovë, për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për serbët," tha Haradinaj, duke shprehur po ashtu gatishmërinë për të dhënë kontribut edhe në integrimin e vendeve të tjera të rajonit përmes dialogut të ndërsjellë.


XS
SM
MD
LG