Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

RAMUSH HARADINAJ, LAHI IBRAHIMI DHE IDRIZ BALAJ DEKLARUAN SE JANË TË PAFAJSHËM NDAJ AKUZAVE TË TRIBUNALIT


Augustin Palokaj, Hagë

Ramush Haradinaj, Lahi Brahimi dhe Idriz Balaj janë deklaruar sot në Tribunalin e Hagës se ndihen tërësisht të pafajshëm për të gjitha pikat me të cilat i ngarkon aktakuza e lëshuar nga prokuroria e këtij tribunali. Në Tribunalin e Hagës sot është bërë paraqitja e parë në gjykatë e këtyre tre të akuzuarve shqiptarë të Kosovës, ish-luftëtarë të UÇK-së. Gjykatësit kanë lexuar një nga një secilën pikë të aktakuzës, ndërsa ka pyetur në mënyrë individuale secilin nga të akuzuarit që të deklarohen rreth tyre. Gjykatësit gjatë seancës kanë lexuar një përmbledhje faktografike të aktakuzës që i ngarkon tre të akuzuarit me krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, që prokuroria pohon të jenë kryer në vitin 1998, në zonën e Kosovës perëndimore që përfshin komunat e Pejës, Gjakovës, Deçanit, Istogut dhe Klinës, ku komandant zone ishte zoti Ramush Haradinaj. Paraqitja e parë në Gjykatën e Hagës e të akuzuarve Haradinaj, Balaj dhe Brahimi, zgjati më shumë se një orë e gjysëm, pasi gjatë seancës u lexuan edhe shumë pjesë nga statuti i Tribunalit, në mënyrë që të akuzuarit të njihen me procedurat dhe të drejtat e tyre. Gjykatësi tha se brenda të paku 20 ditëve, do të duhej të thirrej edhe një seancë statusore, ndërsa i njoftoi të akuzuarit që në çdo moment prej ditës së sotme mund të paraqesin përmes mbrojtjes së tyre edhe kërkesën formale për lirim të përkohshëm, për t'u mbrojtur në liri dhe se sipas fjalëve të gjykatësit, një kërkesë e tillë do të shqyrtohej nga trupi gjykues, që pritet të caktohet, dhe të merret parasysh edhe pozicioni i prokurorisë. Mbrojtësi i zotit Ramush Haradinaj, avokati Dikson paralajmëroi se së shpejti do të kërkojë lirimin e përkohshëm të klientit të tij Haradinaj.
" Unë pres që për këtë të diskutoj edhe me miqtë nga prokuroria, sepse mendoj se zoti Haradinaj është një rast pa precedencë, që një kryetar qeverie, posa të njoftohet që ndaj tij egziston një aktakuzë, të japë dorëheqjen dhe të dorëzohet menjëherë vullnetarisht në Hagë", ka thënë avokati i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke pohuar se ai është duke bashkëpunuar me Tribunalin e Hagës. Sipas rregullave të Tribunalit të Hagës, gjykatësit duhet të vendosin për kërkesën e një të akuzuari për mbrojtjen në liri, dhe për këtë zakonisht është e mirëseardhur që një lirim të tillë të mos e kundërshtojë prokuroria dhe që në vendin ku i akuzuari do të qëndrojë me liri të përkohshme, në rastin e Haradinajt, pra në Kosovë, të ketë qetësi dhe autoritetet e atij vendi të japin garanca të nevojshme se liria e të akuzuarit nuk do të jetë rrezik për dëshmitarët potencialë dhe se ai do t'i përgjigjet çfarëdo thirrjeje të Tribunalit të Hagës për t'u paraqitur në seanca. duke marrë parasysh sjelljen e deritanishme të zotit Ramush Haradinaj dhe qetësinë që mbretëron në Kosovë pas dorëzimit të tij vullnetar, vlerësohet se gjasat janë të mëdha që ai të lejohet të mbrohet në liri. Kjo është e rëndësishme dhe për faktin se mund të kalojnë ndoshta dy apo tre vite derisa të fillojë procesi gjyqësor, sepse tani në Tribunalin e Hagës janë shumë raste dhe shumë seanca gjyqësore janë të zëna.

XS
SM
MD
LG