Ndërlidhjet

NË KOSOVË VAZHDOJNË DEBATET MBI NATYRËN E LDB-SË


Nëse Lufta e Dytë Botërore në Kosovë ka pasur karakter të pastër antifashist apo ka pasur edhe natyrë ideologjike, kjo vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve kundërthënëse. Në mesin e historianëve vështirë është të gjendet dikush që do të thoshte se lufta, gjashtëdhjetë vjetori i përfundimit të së cilës shënohet këto ditë, ka qenë ideologjike, thotë profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Hakif Bajrami. Ai është marrë një kohë të gjatë me çështjet që kanë të bëjnë me Luftën e Dytë Botërore në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri. Mirëpo, ndryshe nga ai mendon Rexhep Abdullahu, kryetar i Partisë Nacional-Demokratike Shqiptare, i cili mendon se ajo ka qenë një luftë antifashiste me karakter ideologjik.
Por, profesori Hakif Bajrami këmbëngul se në themelet e saj Lufta Antifashiste nuk ishte ideologjike:
"Meqenëse nazizmi, përkatësisht fashizmi donte t’i spastrojë disa popuj, në radhë të parë hebrenjtë dhe të dominojë në Evropë, Lufta e Dytë Botërore në trojet evropiane dhe në të gjitha ato vise ku është zhvilluar nuk mund të quhet luftë ideologjike, por luftë antifashiste."
Mirëpo, krejt ndryshe mendon Rexhep Abdullahu nga Partia Nacional-Demokratike Shqiptare, aktivistë të së cilës madje kanë luftuar kundër partizanëve komunistë në Kosovë, duke i parë ata si kundërshtarë ideologjikë dhe nacionalë:
"Lufta e SHBA-ve, Anglisë dhe aleatëve të tjerë ka qenë antifashiste, për ta mbrojtur demokracinë në botë, dhe ka qenë një luftë e ashpër, sepse ka qenë një forcë si Rusia, e cila ka shfrytëzuar këtë moment, ka hyrë në aleancë jo për ta mbrojtur demokracinë në botë, por për të ardhur në shprehje forca internacionaliste komuniste."
Në anën tjetër, profesor Bajrami, duke argumentuar tezën e tij se Lufta e Dytë Botërore në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri nuk kishte karakter ideologjik, thotë:
"Shumë personalitete udhëheqëse të luftës nacional-çlirimtare në Shqipëri në strukturat më të larta të drejtimit të luftës antifashiste, nuk janë komunist. Edhe në Jugosllavi, personalitete e personalitete ishin jokomunistë. Ivan Ribari nuk ishte komunist, por ishte kryetar i AVNOJ-it. Në Kosovë, Mehmet Hoxha nuk ishte komunist, por ishte kryetar i Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar."
Historiani Hakif Bajrami shpjegon se nga 49 pjesëmarrës të konferencës së Bujanit dhe 61 të ftuar, dy të tretat nuk kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste, qoftë të Jugosllavisë, qoftë të Shqipërisë. Prandaj, sipas tij, ajo ka qenë një luftë çlirimtare.
Profesor Bajrami, i cili ka dhjetëra libra të botuara mbi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare në Kosovë, si shembuj për të ilustruar se ka qenë fjala për luftë antifashiste, në favor të tezës së tij, përmend edhe shembuj të tjerë:
"Merrni shembull brigadën “Zenel Hajdini”, rreth 80 për qind e luftëtarëve nuk kanë lidhje me komunizmin. Merre shembullin e aradhës “Bajram Curri”, unë jam autor i librit "Aradha Bajram Curri", vetë komandanti i aradhës Bajram Curri nuk është komunist por është antifashist, por nuk mund të flitet që komisari politik të jetë jashtëpartiak dhe kjo ndoshta mund të kritikohet."
Sidoqoftë, zoti Rexhep Abdullahu mendon se lufta e cila në fillim ishte vërtet antifashiste më vonë u vesh me petkun ideologjik dhe sipas tij, shqiptarëve iu bë e padrejtë për shkak se në këto hapësira kishte fituar ndikimi i lagerit rus me ideologjinë komuniste, siç shprehet Abdullahu.
"Në LDB ka pasur edhe luftë antifashiste, ku janë demokratët e botës dhe luftë ideologjike, ku janë rusët dhe lageri komunist i Lindjes."
Por, sipas historianit Hakif Bajrami, në mesin e partizanëve ka pasur edhe anëtarë shumë të njohur të Partisë Nacional Demokratike, të njohur në Kosovë, si NDSH:
"Çfarë lidhjesh ka pasur me komunizmin Qamil Luzha? S’kishte lidhje dhe as nuk ishte në parti kurrë, por ishte antifashist. Edhe Halim Spahia që ishte NDSH, pra i lëvizjes nacional-demokratike shqiptare, ka qenë antifashist."
Mirëpo, zoti Rexhep Abdullahu, pasardhës i Nacional-Demokratëve, thotë se është normale që patriotët shqiptarë në fillim janë mashtruar dhe kanë menduar se Partia Komuniste do t’u sjellë lirinë, mirëpo me kohë i kanë ndryshuar qëndrimet:
"Normal që shqiptarët e ndershëm ata që në fillim janë mashtruar dhe kanë menduar se partia Komuniste do ta sjellë lirinë, mirëpo një forcë politike, NDSH-ja ka qenë properëndimore dhe ka qenë luftë e rreptë edhe kundër komunizmit që e kanë ditur që mund të na e sjellë të keqen", thotë Abdullahu për të shtuar se nacional-demokratët shqiptarë që kishin orientim properëndimor kur e kuptuan esencën e komunizmit që po instalohej, menjëherë reaguan, siç ishte rasti i atentatit mbi Miladin Popoviqin, udhëheqës komunist, që e kreu Haki Taha, i cili edhe vetë një kohë ishte anëtar i lëvizjes partizane, por edhe i lëvizjes nacional-demokratike.
Por, profesor Bajrami këmbëngul se Lufta e Dytë Botërore në këto hapësira nuk ishte ideologjike, por një konflikt që synonte pengimin e ideologjisë fashiste, e cila synonte dominimin dhe pushtimin e shteteve dhe të popujve.

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG