Ndërlidhjet

PRITET VLERËSIM POZITIV I STANDARDEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës presin që mbledhja e Këshillit të Sigurimit të nxjerrë të dërguarin e posaçëm për vlerësimin gjithëpërfshirës të standardeve, të cilit qeveria do t’i ofrojë gjithë përkrahjen e nevojshme për vlerësim objektiv të përmbushjes së standardeve.
Zëdhënësi i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, tha se kjo mbledhje do të duhej të çonte në drejtim të përmbylljes së procesit të pavarësisë:
"Presim që Këshilli i Sigurimit të njohë përparimet që janë bërë në Kosovë dhe të hapë rrugën për atë që quhet shqyrtim gjithëpërfshirës i standardeve dhe nisje të procesit të përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ne i themi kësaj përmbyllje e procesit të pavarësimit të Kosovës, sepse kjo është zgjidhje optimale".
Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Daut Dauti, tha se qeveria pret që zoti Petersen të bëjë një paraqitje të denjë, siç ka bërë edhe në të kaluarën dhe pas kësaj, ne presim që Këshilli i Sigurimit të bëjë vlerësimin pozitiv të standardeve, për të cilat janë angazhuar t’i përmbushin qeveria, të gjitha segmentet, si dhe qytetarët e Kosovës:
"Këtu egziston një shpresë së standardet do të përmbushen dhe do të vlerësohen pozitivisht dhe nga ana tjetër ne presim që Sekretari i Përgjithshëm të emërojë një personalitet, i cili do të jetë në gjendje ta kuptojë situatën dhe ta vlerësojë pozitivisht procesin në Kosovë", tha zoti Dauti, ndërkohë që përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se druhet se do të vazhdohet praktika e deritashme, e cila sipas tij është që standardet të mos shihet objektivisht:
"Presim që situata të përshkruhet në mënyrë precize dhe objektive, ndryshe nga praktika e deritashme që vlerësimet të jenë optimiste dhe euforike," tha Ivanoviq.
Ndërkohë, produkti kryesor i mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të 27 majit ku pritet vlerësimi politik i standardeve, pritet të jetë emërimi i një të dërguari të posaçëm, që do të bëjë vlerësimin e thellësishëm të përmbushjes së standardeve. Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit Rugova, thotë se emisari special do ta ketë përpara realitetin në Kosovë:
"Emisari që do të caktohet, do ta ketë përpara realitetin e Kosovës, zgjidhjet institucionale dhe kushtetuese që garantojnë të drejtat e pakicave, duke përfshirë edhe elemente të mbipërfaqësimit të tyre që nuk i ka asnjë vend në rajon", tha zoti Hamiti, për të shtuar se standardet nuk duhet të shihen si absolute, por si një kut për të matur ato që janë të zbatueshme në vendin tonë dhe në rrafsh krahasues, edhe në vendet e tjera, përfshirë edhe vende të integruara tashmë në BE dhe në strukturat e tjera euroatlantike.
Ndërkaq, zëdhënësi i qeverisë, Daut Dauti tha se qeveria është e gatshme që të dërguarit të zotit Anan, që pritet të jetë diplomati norvegjez Kai Eide, t’i ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme:
"I dërguari special do të ketë kushte të mira dhe do t’i ofrohen të gjitha mundësitë për bashkëpunim. Egzistojnë shumë dokumente, shumë programe, plane për aksion, të cilat vërtetojnë se situata politike dhe demokratizimi kanë marrë rrugë të mbarë dhe se po ecin me një siguri të madhe drejt përmbushjes së të gjitha kushteve që ka vënë bashkësia ndërkombëtare".
Në anën tjetër, përfaqësuesi i serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviq, tha se është formulë e gabueshme që standardet të lidhen me statusin, pasi sipas tij, standardet janë mënyrë e jetës dhe e mendimit dhe ky duhet të jetë qëllimi afatgjatë i të gjithëve.

XS
SM
MD
LG