Ndërlidhjet

PARIS


Liderët evropianë sot mbajtën disa takime anembanë kontinentit për ta diskutuar ardhmërinë e Kushtetutës së BE-së dhe mospajtimet rreth buxhetit të unionit.
Në takimin e presidentit të Francës Jacques Chirac dhe kancelarit gjerman Gerhard Schroeder në Paris, u tha se ratifikimi i projekt kushtetutës duhet të vazhdojë përkundër refuzimeve në Francë dhe Holandë.
Britania ndërkaq i ka pezulluar planet për mbajtjen e rerendumit. Kryeministri Tony Blair tha pas takimit me kryetarin e Parlamentit Evropian Josep Borrell se tash çështja kryesore e pro-evropianëve është që t'u shpjegojnë njerëzve se në ç'mënyrë Evropa do të jetë e rëndësishme për problemet e tyre.
Ndërkaq kryetari i Parlamentit Evropian deklaroi.
"Evropa jeton në kohë të vështira. Mund të themi se jemi në një krizë të identitetit. Ka rreziqe, por ka edhe mundësi", tha Josep Borrel.
Ndërkaq lidhur me buxhetin e unionit, ku gjithashtu ka mospajtime ndërmjet Parisit dhe Londrës, presidenti Chirac i bëri thirrje Britanisë të veprojë ashtu që të arrihet kompromisi.
"Miqtë tanë britanikë duhet ta kuptojnë se gjërat po ndryshojnë, dhe prandaj ka nevojë për drejtësi më të madhe lidhur me barrën që secili nga ne duhet ta mbajë", tha Chirac.
Për të njëjtat tema sot diskutuan edhe kryeministrat e Çekisë, Hungarisë dhe Polonisë, në takimin e tyre në Kazhimierz Dolni të Polonisë.
XS
SM
MD
LG