Ndërlidhjet

AHTISARI TAKOHET ME EKIPIN NEGOCIATOR DHE PËRFAQËSUESIT E KISHËS SERBE


Anëtarët e ekipit negociator të Kosovës u shprehën sot të kenaqur nga takimi i parë që zhvilluan me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për statusin, zotin Marti Ahtisari, i cili në këtë mënyrë e ka nisur diplomacinë e tij të vajtje-ardhjeve, në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Presidenti i Kosoves Ibrahim Rugova tha se në emër të ekipit negociues të Kosovës i ka dorëzuar zotit Ahtisari në formë të shkruar qëndrimin për statusin:
"Delegacioni yne ia dorëzoi një dokument zotit Ahtisari për projektin tonë të pavarësisë. Një dokument zyrtar i delegacionit dhe institucioneve të Kosovës, ku i kemi shtruar të gjitha çështjet, si vullneti ynë për bashkëpunim me presidentin Ahtisari, me bashkësinë ndërkombëtare dhe për çështje specifike në Kosovë, natyrisht pavarësia është çështja kryesore. Si dhe integrimi në BE dhe NATO, pastaj siguria dhe garancitë për minoritetet", tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke përsëritur qeëndrimin e tij për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. Presidenti Rugova tha se kishte besim tek zoti Ahtisari i cili e njeh mirë çështjen e Kosovës, pasi ishte ndër ata që ndihmuan për ndaljen e luftës dhe gjakderdhjes në Kosovë në vitin 1999. Lidhur me vetë bisedat për statusin, presidenti Rugova tha se ato do t’i quante më parë takim ndërkombeëtar për Kosovën.
Ndërkaq, anëtari tjetër i këtij ekipi, Hashim Thaçi, që njëkohësisht është kryetar i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, tha:
"Është një fillim i mirë dhe i mbarë. Delegacioni i Kosovës prezantoi qeëndrimet e qarta, unike për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran, për një status që do t’i hapte perspektivën evropiane vendit dhe do të ndikonte për stabilitetin dhe paqen ne rajon."
Zoti Ahtisari sot pasdite ka vizituar manastirin ortodoks në Deçan, ku ka takuar përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, peshkopin Teodosije dhe klerikun tjetër Sava Janjiq. Zoti Ahtisari ka vazhdur të mos japë vlerësime politike, por tha se ishte i kënaqur për takimin e sotëm:
"Jam shumë i kënaqur që kemi pasur mundësinë ta vizitojmë manastirin. Kemi këmbyer pikëpamjet me peshkopin dhe këtyre çështjeve do t’u kthehemi sërish", tha zoti Ahtisari
Bashkëbiseduesi i tij i pasdites, peshkopi Teodosije, që njëkohësisht është i dërguar i Kishës Ortodokse Serbe për biseda me bashkësinë ndërkombëtare për Kosovën tha se pavarësisht nga statusi, do të duhej kërkuar mbrojtje për objektet e kultit:
"Presim që në procesin e bisedimeve për statusin, vendet tona të shenjta të jenë të mbrojtura për një kohë të gjatë", tha peshkopi Teodosije, sipas të cilit zgjidhja më e mirë do të ishte ajo që do të siguronte bashkëjetesë:
"Presim që në këto hapësira do të gjendet zgjidhje e tillë që të gjitha bashkësitë etnike të mund të jetojnë në paqe dhe në bashkëjetesë", tha peshkopi Teodosije, për të precizuar se në takimin e sotëm nuk është folur për cështje politike, pasi ato nuk janë cështje e kishës.
I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisari gjatë ditës së nesërme do të takojë edhe përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës si dhe ata të pakicave të tjera dhe pritet të mbaje një konferencë për shtyp.

Rrahman Pacarizi

XS
SM
MD
LG