Ndërlidhjet

DEPUTETË TË KUVENDIT KUNDËRSHTOJNË VLERËSIMET E KOFI ANNANIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, për Kosovën nuk është rezultat i informacioneve të tij nga dora e parë, por pikërisht pasojë e marrjes së informacioneve nga qarqe të ndryshme politike edhe në fqinjësi të Kosovës, kanë vlerësuar drejtues dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke komentuar vlerësimet e zotit Annan se Kuvendi i Kosovës shpesh i tejkalon kompetencat dhe bën shkelje në mënyrat e votimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci tha se zoti Anan është një arsye më tepër për të përfillur kërkesën e institucioneve të Kosovës që bashkësia ndërkombëtare të njoftohet për Kosovën nga vetë institucionet e Kosovës dhe jo nga fqinjësia ku bëhen fabrikime të ndryshme:
"Ne jemi të frustruar nga sjelljet e tilla në fqinjësi, prandaj duam që bashkësinë ndërkombëtare ta njoftojnë përfaqësuesit tanë dhe besoj se kjo në të ardhmen do të realizohet, sepse projektet e përbashkëta me shtetet e BE-së e kanë këtë qëllim, që t'i njoftojnë qeveritë e veta se kanë qenë në parlamentin tonë dhe e kanë parë se këto nuk qëndrojnë, por duhet të punojmë dhe miqve gjithëherë t’u japim argumente e më pak të merremi me komente".
Hydajet Hyseni, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës tha se vërejtjet për shkelje procedurale janë të mirëseardhura dhe kjo është trokitje në dyert e hapura, mirëpo nuk pajtohet me vlerësimet për tejkalim kompetencash:
"Kam përshtypjen se është një përfundim i nxituar dhe shpesh i ndikuar nga qarqe burokratike dhe politike që jo gjithmonë janë qëllimmira dhe konstruktive"
Ndërkaq, deputeti Kolë Berisha thotë se me gjithë përvojën e shkurtër dhe traditën dyvjeçare, Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë keqpërdorime dhe lëshime siç vlerëson zoti Anan, sidomos ku është fjala për pakicat:
"Kuvendi i Kosovës disa herë është përpjekur të mbrojë interesat e pakicave, t’i integrojë ato në proceset në Kosovë dhe t’i përfillë kërkesat e tyre, kur ato janë të arsyeshme. Natyrisht se zoti Annan dhe të interesuarit e tjerë duhet të përcjellin edhe punën e pakicës serbe, e cila nuk është pothuajse fare konstruktive në punën e Kuvendit," tha zoti Kolë Berisha, sipas të cilit, përfaqësuesit e pakicës serbe edhe kur e votojnë ligjin nen për nen, nuk e votojnë të njëjtin ligj si tërësi, prandaj në raste të tilla është vështirë të pranohen ato kërkesa.
Deputeti Hydajet Hyseni, duke u shprehur kundër konfrontimeve ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut, tha se ekzistonte një prirje në bashkësisë ndërkombëtare që të keqintepretohet çështja e kompetencave të rezervuara:
"Kosova ka interesa jetike dhe ka të drejta burimore të pakontestueshme dhe institucionet nuk mund ta privojnë kurrë vetveten, popullin e Kosovës dhe vendin e tyre nga të drejtat dhe kompetencat e lindura dhe të natyrshme që i takojnë asaj dhe vetëm asaj."
Raporti i sekretarit Anan ka potencuar si tejkalim kompetencash vendimin e Kuvendit për shfuqizimin e ligjeve të aplikueshme serbe, si dhe rezolutën e cila nuk u jepte të drejtë serbëve të Kosovës për të votuar edhe në zgjedhjet serbe.


XS
SM
MD
LG