Ndërlidhjet

UNMIK-U PO SHQYRTON ANKESAT E QEVERISË LIDHUR ME KREUN E AKM-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Administrata ndërkombëtare në Kosovë ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me kërkesën e qeverisë për shkarkimin e drejtoreshës së Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit Marie Fuccit, përkundër disa njoftimeve se vendimi për largimin e saj nga AKM-ja do të merret deri në fund të kësaj jave.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz thotë se nuk është caktuar ndonjë datë për shkarkimin ose jo të zonjës Fucci. Karlovicz thotë se kryeadministratori i Kosovës Harri Holkeri është duke e shqyrtuar këtë çështje të ngritur nga kryeministri.
“Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm është këmbëngulës që të adresohen vetëm çështjet parimore e jo ato personale. Ai po ashtu është i vendosur që procesi i privatizimit të vazhdojë. Por, çdo deklaratë serioze si kjo që është ngritur kundër zonjës Fucci duhet të jetë e bazuar në fakte”, tha zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz.
As qeveritarët kosovarë nuk dinë nëse do të merret së shpejti ndonjë vendim për shkarkimin e zonjës Fucci. Megjithatë ata mendojnë se argumentet e qeverisë janë mjaft relevante për shkarkimin e saj.
Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë Ali Jakupi, thotë se zonja Fucci në çdo mënyrë përpiqet ta stagnojë procesin e privatizimit.
“Në çdo mënyrë ajo përpiqet që t’i anashkalojë, t’i hedhë jashtë të gjitha çështjet që kishin zënë rrënjë dhe kishin filluar të japin efektin e tyre. Ajo krye në vete ka bërë riorganizime të brendshme në AKM. Ajo krye në vete ka bërë gjithashtu ndryshime të politikave operative dhe ç’është më e keqja edhe brenda në mbledhjet e Bordit ka një qasje të njëanshme, domethënë ajo nuk dëshiron që t’i përfillë mendimet e të tjerëve, por edhe në votim edhe në qasje, ajo dëshiron që të jetë mbizotëruese”, tha Ali Jakupi, i cili njëherësh është edhe anëtar i Bordit të AKM-së.
Zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz thotë se kryeadministratori Holkeri është në kontakte të vazhdueshme me zyrën e kryeministrit për këtë çështje. Karlovic thotë se Holkeri ka theksuar nevojën e vazhdimit të privatizimit.
Zyrtarë nga Shtylla e Katërt e UNMIK-ut thonë se raundi i tretë i shpalljes së tenderëve për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore do të bëhet së shpejti, por pa saktësuar se kur do të ndodhë kjo. Ndërkohë, as drejtoresha e AKM-së Marie Fucci e as shefi i Shtyllës së Katërt Nikolas Lambsdorf nuk gjenden në Kosovë. Sipas zëdhënësit të kësaj shtylle Kris Litier, Marie Fucci ka marrë disa ditë pushim, kurse Lambsdorf pritet të kthehet në Kosovë në dy ditët e ardhshme.
Lambsdorf dhe Fucci javën e kaluar kanë qenë në selinë e OKB-së në Nju Jork , por deri tani nuk është bërë e ditur arsyeja e shkuarjes së tyre atje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG