Ndërlidhjet

N. LESI: BRENDA MAZHORANCËS KA EMRA QË ME OPOZITËN MUND TË KRIJOJNË STABILITET


Nikollë Lesi, kryetar i Partisë Demokristiane

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lesi, së fundi ju keni dhënë një deklaratë për shtyp ku keni thënë që keni patur kërcënime nga ana e kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nano. Si është e vërteta?

NIKOLLË LESI
Zoti Nano për të ruajtur pushtetin e tij mund të përdorë çdo lloj aktiviteti kriminal që kontrollon qoftë edhe me eleminime fizike politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas mendimit tuaj, cila është arsyeja që zoti Nano ju ka kërcënuar pikërisht juve dhe flitet edhe për kryetarin e Partisë së të Drejtave të Njeriut.

NIKOLLË LESI
Unë mendoj që zoti Nano është kthyer në një uzurpues të medias, të demokracisë, në një pjesëtar në mos kupolë e krimit ekonomik dhe politik në rajon po sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Meqënëse e ndien rrëzimin nga revoltat dhe protestat popullore, siç janë dëshmi e këtyre ditëve të fundit protestat e opozitës, si dhe ajo që po përgatitet më 20 mars, e ka humbur llogjikën e tij, psikikën që duhet të ketë një politikan dhe këto janë fenomene që shfaqen vazhdimisht nga diktaturat demokratike siç u quajtën ato të Amerikës Latine, kur janë duke u rrëzuar nga revoltat popullore përdorin çdo lloj mjeti për të kundërshtuar për të mbajtur pushtetin dhe për të eleminuar kundërshtarët. Në këtë sens them që edhe kërcënimet ndaj meje dhe ndaj deputetit të PBDNJ-së zotit Karamelo, unë kam komunikuar vetë me zotin Karamelo dhe më tha që ishte një fjalor banal shumë i ndyrë, që kurrsesi nuk mund të thuhet në asnjë organ të medias, por nënkuptohet fjalori dhe kërcënimi. Këto janë shenja që edhe një qeverisje që është në dekadencë po rrëzohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi partia që ju drejtoni Partia Demokristiane i është bashkangjitur opozitës. A besoni në strategjinë që ka përgatitur opozita shqiptare për të krijuar një qeveri teknike, apo për të përgatitur terrenin për zgjedhje të parakohshme? Besoni se do t'ja arrini qëllimeve me këtë strategji?

NIKOLLË LESI
Flitet për 2005-ën që zgjedhjet të jenë të garantuara nga të dyja palët. Pra që qoftë PD-ja qoftë PS-ja si dy forcat kryesore politike, qoftë edhe partitë e tjera, të pranojnë rezultatin. Duhet të jetë një qeveri e përbashkët, jo me mandat 2-3 mujor, jo teknike, që të ketë prioritete kryesore integrimin, zbatimin e prioriteteve dhe kushteve të Bashkimit Evropian, të ketë ndryshime në kodin zgjedhor, rendin publik, dhe të shkohet pastaj cila parti, cila forcë politike të fitojë zgjedhjet që të zgjidhet një herë e mirë problemi i kontestimeve të zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lesi mendoni se është koha e mjaftueshme për të bërë riparime në kodin zgjedhor, me qëllim që zgjedhjet të zhvillohen vërtet të lira dhe të ndershme?

NIKOLLË LESI
Koha është e mjaftueshme, mjafton që zotiNano të largohet, klani i tij kriminal dhe nepotik të largohet, dhe brenda mazhorancës jam shumë i bindur ka shumë emra potentë, kredibël, që mund të hyjnë në negociata me opozitën, për të krijuar një stabilitet të plotë ekonomik e politik dhe për të siguruar një qeverisje që të jetë e pranueshme, për të siguruar zgjedhjet përfundimisht të garantuara të lira dhe që të pranohen nga të dyja palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjithmonë opozita shqiptare ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Fatos Nano, por pse besoni ju që tashmë opozita me strategjinë e saj të re do t'ia arrijë këtij qëllimi?

NIKOLLË LESI
Unë kam bindjen që zgjedhjet qoftë të parakohshme qoftë të radhës parlamentare, opozita e kryesuar në këtë rast nga PD-ja, që është forca kryesore, nuk do t'i pranojë dhe nuk do të futet më saktë nëse kryeministër vazhdon të jetë Fatos Nano. Nuk do bëhen zgjedhje, pra kjo tregon që do të ketë një destabilitet politik dhe ekonomik. Dhe që të mos shkohet tek destabiliteti për faj të mazhorancës, për faj të kryesisë së Fatos Nanos, ne kemi ofruar formulën që të iki zoti Nano, që është kapoja i gjithë krimit në këtë sens, dhe që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të ketë brenda mazhorancës elementë të tjerë që t'i zgjedhë natyrisht pjesa e tyre që janë të ndërgjegjshëm se duhet të gjendet një formulë e re politike

Intervistoi Alma Çupi

XS
SM
MD
LG