Ndërlidhjet

NESËR MBAHET TAKIMI I DYTË I GRUPIT PËRKRAHËS PËR KOSOVËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi Përkrahës për Kosovën mban nesër takimin e dytë me radhë në Prishtinë, me ç’rast do të interesohet të dijë më tepër nga lidershipi kosovar dhe administrata e UNMIK-ut rreth masave që po ndërmerren në sanimin e pasojave të trazirave të marsit. Sipas zëdhënëses së kryeministrit të Kosovës Mimoza Kusari, kryeministri Bajram Rexhepi do të flasë para Grupit Përkrahës dhe për nismën e tij për rivendosjen e dialogut ndëretnik në Kosovë si dhe do të prezantojë masat që po ndërmerren në sanimin e dëmeve materiale pas trazirave:
“Do të prezantohet një raport në lidhje me gjendjen e objekteve të dëmtuara, gjegjësisht të ndërtuara tani pas dëmtimit, e gjithashtu edhe progresi në aspektin e dialogut ndëretnik në Kosovë. Si e dimë kryeministri është duke bërë një sërë vizitash në komunat me komunitetet e përziera për t’u njoftuar për së afërmi me problemet dhe çështjet që i rëndojnë shoqëritë me komunitetet e përziera. Pak a shumë raporti i kryeministrit, nesër do të fokusohet në këto pika, domethënë në zhvillimet e ngjarjeve pas 17 e 18 marsit në Kosovë”, tha Kusari.
Grupi Përkrahës për Kosovën i cili përbëhet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO, së fundit është takuar më 20 prill, po në Prishtinë. Nësër në këtë takim, thuhet se do të diskutohet rreth përparimit të bërë në zotimet e marra nga takimi i parë të cilat do të paraqiten nga qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u. Ndërkohë, Grupi i Kontaktit i ka kërkuar qeverisë së Kosovës miratimin e një analize se si erdhi deri të ngjarjet e marsit, e cila vlerësohet se do të mund të ishte e vlefshme dhe për takimin e nesërm, mirëpo, kjo analizë sipas Mimoza Kusarit, nuk është ende e gatshme për t’iu dorëzuar instancave ndërkombëtare:
“Analiza ende ka mbetur pa e marrë miratimin e fundit. Megjithatë siç e dimë, drafti i parë është përgatitur, është dorëzuar në qeveri, kurse për draftin final ende mbetet të shihet me siguri në një të ardhme të afërt”, tha Mimoza Kusari.
Në anën tjetër, zyrtarë të administratës së UNMIK-ut kanë pohuar se administrata e Kombeve të Bashkuara do të prezantohet në takimin e nesërm nga zëvendësi i parë i shefit të UNMIK-ut, Charles Breyshaw. Sipas këtyre zyrtarëve, shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, pavarësisht se është kthyer sot në Kosovë, pasi ishte shtrirë disa ditë në një spital në Strasbug të Francës për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ai me gjasë nuk do të marrë pjesë në takimin e Grupit Përkrahës. Zyrtarët e njëjtë kanë pohuar se Holkeri do t’i zhvillojë disa takime të rëndësishme me komandantin e KFOR-it Holger Kamerhof dhe me kryeministrin Bajram Rexhepi, për t’u larguar më pas nesër në Helsinki për dy apo tri javët e ardhshme.


XS
SM
MD
LG