Rrahman Paçarizi, Prishtinë
Pas letrës së djeshme të ushtruesit të detyrës së shefit të UNMIK-ut Charles Brayshow drejtuar Autoritetit Rregullativ për Telekomunikacion, me të cilën kërkohej suspendimi i të gjitha veprimeve lidhur me operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë, UNMIK-u ka filluar të shqyrtojë rrugët për hetimin e procesit të tenderimit, në të cilin kompania Mobikos-it është shpallur fituese.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke tha se letra e zotit Brayshow ka qenë e qartë dhe me të kërkohej suspendimi i veprimeve të mëtjeshme:
"Procesi është suspenduar dhe ne po shqyrtojmë mënyrat se si të veprojmë më tej, pasi duam të sigurohemi për rregullsinë e procesit dhe nëse legjislacioni mbi të cilin është mbështetur ky proces ka qenë i drejtë," tha Mechtilde Henneke, sipas të cilës ende nuk ka indikacione nëse ka pasur apo jo korrupsion dhe parregullsi të tjera. Veprimi i UNMIK-ut për suspendimin e procesit është bërë pas kërkesës së disa palëve, prandaj ne dëshirojmë të shkojmë deri në fund, tha Henneke, duke pranuar se UNMIK-u nuk është marrë fare me këtë çështje:
"I gjithë procesi është bërë në mënyrë të pavarur nga Autoriteti Rregullator për Telekomunikacion dhe UNMIK-u nuk ka marrë pjesë në të," tha zëdhënësja Henneke.
Mirëpo, drejtuesi i Autoritetit Rregullator për Telekomunikacion, Anton Berisha tha sot për Evropën e Lirë se letrën e zotit Brayshow nuk e kishte marrë dje:
"Letrën e kam marrë sot, ndërsa dje unë i kam dërguar letër zotit Brayshow, në të cilën madje i kam rikonfirmuar se kemi zgjedhur kompaninë me ofertën më të mirë dhe po ashtu i kam shprehur gatishmërinë se jemi të hapur për të gjitha procedurat eventuale që mendohet se nuk kanë shkuar siç është më së miri."
Zoti Berisha tha se do të respektojë kërkesën e zotit Brayshow, pasi ajo është bërë në marrëveshje ndërmjet tij dhe zyrës ligjore të UNMIK-ut, ndërkohë që ka paralajmëruar ndërlikime të mëtejshme të procedurave:
"Procedurat do të komplikohen, pasi në vetë ligjin ka pasur paqartësi dhe sot kompania që ka fituar, ka kërkuar nga ne implementimin e vendimit dhe ne do të jemi objekt i gjykatave në rast se nuk respektojmë obligimet tona ndaj kompanisë", tha zoti Berisha, ndërsa qeveria e Kosovës e ka diskutuar këtë çështje edhe në mbledhjen e sotme. Në një komunikatë të qeverisë thuhet se është mendim i përbashkët i Kabinetit të Ministrave se duhen pritur rezultatet e hulumtimit mbi mbarëvajtjen e procedurës për zgjedhje nga ana e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për të vendosur për operatorin e dytë në Kosovë. Është sqaruar gjithashtu se ka qenë lëshim i ART-së shpallja e hyrjes në fuqi e vendimit për operatorin e dytë, pasi një gjë e tillë duhet të bëhet pas kalimit të afatit të përcaktuar me ligj, brenda të cilit mund të ketë ankesa eventuale dhe vetëm në bashkëpunim të ngushtë me ministrinë përgjegjëse.