Ndërlidhjet

E. HASANI: REKOMANDIME POZITIVE TË GRUPIT TË KONTAKTIT


Dr. Enver Hasani, shef i Zyrës për Marrëdhënie me Jashtë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, si i vlerësoni ju rekomandimet e fundit për Kosovën, të shprehura nga zoti Kofi Anan dhe Grupi i Kontaktit?

ENVER HASANI
Vlerësimi im për rekomandimet e Grupit të Kontaktit është pozitiv, sepse fjala është për një ri-renditje të prioriteteve politike që bashkësia ndërkombëtare në këtë rast përmes Grupit të Kontaktit që i sheh për Kosovën. Prioritete këto me kuptim sigurinë në rend të parë, decentralizimin dhe bartjen e kompetencave, të cilat besohet se në mënyrë graduale do të prodhojnë më shpejt, sesa nëse do ishte vazhduar në respektimin e atyre tetë standardeve sipas renditjes fillestare që ka qenë deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar dhe fillimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me decentralizimin, ku do të marrin pjesë dhe përfaqësues ndërkombëtarë. Sa besoni se këto bisedime mund të sjellin rezultate konkrete dhe përfaqësim të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e tetorit?

ENVER HASANI
Është shumë e qartë se serbët e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje me koncesione të caktuara politike, që në këtë rast lidhen me procesin e decentralizimit. Megjithatë mendoj se ky i fundit, procesi i decentralizimit, do të jetë një proces shumë më i gjatë. Është shumë më i komplikuar sesa të krahasohet me një palë zgjedhje. Mendoj se në këtë drejtim duhet vlerësuar se bisedimet janë e vetmja alternativë për zgjidhjen e problemeve politike dhe jetësore si të serbëve, ashtu edhe të kosovarëve të tjerë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rekomandimet e zotit Kofi Anan thuhet se bazë për decentralizimin në Kosovë duhet të jetë plani i Prishtinës. Në këtë aspekt sa mund të merren parasysh dhe rekomandimet për përfshirjen e disa pjesëve të planit serb në planin e Prishtinës?

ENVER HASANI
Mendoj se në kuptimin literal nuk mund të flitet për përfshirjen e planit serb ose për përkrahjen e tij. Mendoj se këtu më shumë është fjala që në një mënyrë ose në tjetrën të gjenden modalitete që nuk bazohen në llogjikën e territorialitetit, siç synon dhe ka synuar plani serb, por që adresojnë në mënyrë adekuate shqetësimet serbe shumë legjitime, sa i përket sigurisë së tyre dhe lirisë së lëvizjes dhe të jetesës këtu në Kosovë. Por modaliteti që është propozuar prej serbëve, nuk është dhe nuk besoj se mund të jetë i qëndrueshëm në afat më të gjatë. Kurse tani me një rishikim të tij, mendoj që idetë për sa i përket sigurisë së serbëve dhe jetesës së tyre pa asnjë dallim janë shqetësime legjitime, të cilat duhet të adresohen në një mënyrë apo një tjetër në procesin e decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit e ka rikonfirmuar edhe njëherë se mesi i vitit të ardhshëm mund të jetë koha kur do të mund të hapet çështja e statusit të Kosovës. Sa konsideroni se deri atëherë mund të bëhen lëvizje pozitive në plotësimin e standardeve që Kosova të jetë e gatshme për këtë çështje?

ENVER HASANI
Unë mendoj se procesi i fillimit të bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës edhe mund të fillojë në mes të vitit të ardhshëm. Po qe për ndonjë lëvizje mjaft pozitive në tre segmente që u përfolën në rekomandimet e Grupit të Kontaktit, unë besoj se nuk është edhe kohë mjaft e gjatë dhe nuk është kohë premtuese, sepse tani janë zgjedhjet, pas tyre fillon formimi i qeverisë dhe mund të jetë një proces i zvarritshëm, derisa të konstituohet qeveria etj. Prandaj ka shumë pak hapësirë. Megjithatë hapja e bisedave për statusin nuk do të thotë se ato mbyllen në vitin që vjen dhe në vijim të kësaj, duhet më shumë të shikohet ajo që ka vullnet të mirë te pala e Kosovës për biseda dhe zgjidhje të statusit dhe për plotësimin e atyre tre standardeve që tani kanë dalë si prioritare. Mendoj se kjo ka rëndësi në procesin e dialogimit me serbët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hasani, sa kapacitete të mjaftueshme kanë institucionet e Kosovës në bazë të këtyre kompetencave dhe përgjegjësive që kanë, që këto tre fusha t’i plotësojnë deri në këtë kohë në një masë të kënaqshme për bashkësinë ndërkombëtare?

ENVER HASANI
Është shumë e qartë se në çështje të sigurisë pala kosovare ka shumë pak kompetenca, por që mendoj se ajo që i është veshur si përgjegjësi palës lokale ka qenë më shumë pjesa e punës me opinionin publik për përgatitje të opinionit, për sa i përket plotësimit të standardeve të kthimit, sigurisë e kështu me radhë, e që mendoj se pala kosovare kohëve të fundit ka treguar dhe po tregon gjest dhe vullnet mjaft të mirë në këtë drejtim. Tani besoj se edhe gjatë fushatës këto janë çështje që do të rrihen dhe do të bëhen pjesë e agjendave politike dhe mendoj se në vijim të kësaj do të ndikojë pozitivisht në krijimin e një opinioni të caktuar në mesin e popullsisë shumicë, për sa i përket domosdoshmërisë dhe rëndësisë shumë të madhe të plotësimit të këtyre tre kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
UNMIK-u e ka përsëritur disa herë se do të barten të gjitha kompetencat të cilat nuk kanë elemente të sovranitetit. Si e komentoni ju këtë, si e shihni ju këtë qëndrim të UNMIK-ut?

ENVER HASANI
Tani kjo është çështje e interpretimit. Shumëçka është një interpretim mjaft restriktiv i Rezolutës 1244 që ka vazhduar që nga viti 1999 e këndej. Dhe unë mendoj se shumëçka që këtu cilësohet si çështje sovraniteti, po të interpretohet në mënyrë shumë të hollë profesionale, del se nuk është. Këtu merret si shembull çështja e pronës jo private, për shkak të së cilës kanë lindur shumica e problemeve që lidhen me privatizimin. Pastaj çështja e sigurisë, jo domosdoshmërisht, por sigurisht që nuk lidhet dhe nuk është çështje e sovranitetit. Çështja e statusit kushtetues të Kosovës, do të thotë Kornizës aktuale, nuk është çështje e sovranitetit. Çështja e asaj se çka është sovranitet mendoj se duhet të shikohet nga një kënd më profesional dhe më me kompetencë dhe jo kështu si veprohet sepse, këto janë interpretime më shumë konjukturale, politikë konjukturale.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG