Ndërlidhjet

GRIGOREV: "REPUBLIKANËT DHE DEMOKRATËT NUK KANË DALLIME RRETH ÇËSHTJES SË KOSOVËS"


Alex GRIGOREV, Projekti për Marrëdhënje Etnike /Washington/


RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh ishit në Kosovë. A mund të na thoni, si e vlerësoni situatën politike atje, veçanërisht tash gjatë fushatës për zgjedhjet paralamentare?

ALEX GRIGOREV
Është vështirë të vlerësohet situata në Kosovë për tri ditë sa i kaluam në Prishtinë. Megjithatë, më duhet të them, se ajo që më la mbresa gjatë takimeve me liderët politikë të Kosovës ishte ndjenja për një përgjegjësi të madhe politike nga ana e tyre. Ata po e kuptojnë aspektin më të rëndësishëm të situatës së serbëve të Kosovës, sepse, natyrisht, ky ishte shqetësim i yni, pra i Projektit për Marrëdhënie Etnike. Mendoj se ekzistonte një kuptim i gjërë se një program serioz për serbët e Kosovës do të ishte prioritet në Kosovë, pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se çfarë lloji të qeverisë do të ketë Kosova. Pra, do të thoja, kjo ishte mbresa ime kryesore nga udhëtimi i fundit në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur raporte lidhur me disa dallime ndërmjet vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën për çështjen e standardeve, për transferin e kompetencave dhe për datën e hapjes së diskutimeve për statusin final të Kosovës. Disa anëtarë thonë se fokusimi tash duhet të jetë në disa standarde prioritare dhe në transferin e përgjegjësive, por disa të tjerë kanë pikëpamje të tjera. Sipas jush, cila është rruga që duhet të ndiqet?

ALEX GRIGOREV
Po e mbaj mend se për këtë kemi diskutuar edhe para disa muajsh dhe unë do të përsëris se – po, duhet të ketë fokusim në një numër të standardeve. Standardi i parë dhe më i rëndësishmi është siguria e serbëve që kanë mbetur në Kosovë. Dhe jo vetëm kaq. Shqiptarët duhet të bëjnë një ofertë të sinqertë për serbët e Kosovës. Në këtë çështje ata duhet të jenë shumë agresivë dhe aktivë. Mendoj se pas zgjedhjeve, institucionet që dalin nga to, do të duhej të tregonin se çfarë mundësish ka komuniteti serb që jeton atje. Nuk është e mjaftueshme që vetëm të riparohen disa shtëpi të serbëve, që ka bërë qeveria e Kosovës, pas ngjarjeve të marsit, megjithse ky vetvetiu është një akt dhe çështje shumë e rëndësishme. Por, nëse nuk ka siguri, garanca të qarta për të ardhmen e këtyre njerëzve, askush nuk do të kthehet në këto shtëpi të rindërtuara. Pas zgjedhjeve, shqiptarët do të duhej të organizonin takime serioze lokale me serbët, veçanërisht takime lidhur me decentralizimin. Nuk mjafton ajo që disa në Prishtinë thonë se plani i qeverisë së Beogradit nuk është sa duhet i mirë, se është i keq…Ju duhet të thoni se çka është e keqe në atë plan dhe të merren pjesë që janë të pranueshme. Unë besoj se në këtë plan ka disa pjesë që do të mund të ishin të pranueshme për Kosovën. Por, poashtu edhe serbët duhet të marin pjesë në këtë proces. Ata kanë përgjegjësi në Kosovë dhe për Kosovën. Situata aktuale e mospjesëmarrjes në zgjedhje, po i bën serbët e Kosovës, do të thoja, humbësit më të mëdhenjë në proces. Kjo nuk zgjidhë asgjë. Por, lëvizja e fundit do të duhej të bëhej nga Bashkësia ndërkombëtare ndaj Beogradit, që daljen e serbëve në zgjedhje ta bëjnë realitet. Por, në fund të fundit, me gjasë, serbët e Kosovës do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre. Do të ishte me shumë përfitim për të gjithë që të shihen liderët aktualë të serbëve në Kosovë, të rihynin në Kuvend pas zgjedhjeve. Beogradi duhet të jetë i interesuar për përmirësimin e situatës në Kosovë dhe mendoj se përmirësime të tilla janë të pamundura pa një pjesëmarrje serioze të serbëve të Kosovës në proces. Mendoj se kjo është në shërbim të serbëve të Kosovës. Siç e dini është një grup shumë i vogël tashmë i regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Është Grupi për Iniciativën Serbe nga Ferizaji i zotit Petkoviç. Është një parti e re, një grup që nuk ka mbështetje të madhe në mesin e popullatës serbe në Kosovë. Megjithatë është e drejtë e tyre kushtetuese. Nëse të tjerët do vazhdojnë të refuzojnë të marrin pjesë në zgjedhje, zoti Petkoviç ndoshta do t'i marrë të gjitha vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës nga Korniza Kushtetuese.... Sigurisht pas zgjedhjeve ka gjithmonë një mundësi për të caktuar një ministri serbe në qeveri dhe e di që çdokush në udhëheqjen e sotme politike shqiptare të Kosovës në Prishtinë e kupton këtë çështje. Por nëse do të mbetemi vetëm me zotin Petkoviç në listë, atëhere zoti Petkoviç do t'i përfaqësojë serbët e Kosovës. Kjo është kushtetuese dhe askush nuk mund të thotë asgjë për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë thonë se çështja e statusit final të Kosovës do të hapet gjatë verës së ardhshme. A mendoni se kjo do të ndodhë?

ALEX GRIGOREV
Mendoj që do të shohim hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës dhe gjithashtu besoj se kjo do të bëhet në një kohë të mirë. Do të jetë në interes të atyre që jetojnë në Kosovë, sepse e dimë shumë mirë që ka shumë probleme, që mund të zgjidhen vetëm pasi këto bisedime të fillojnë. Por gjithashtu mendoj se do të jetë në interes të Serbisë, gjithashtu edhe të fqinjëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Shqipërisë, e veçanërisht për Maqedoninë. Pas udhëtimit në Prishtinë kaluam disa ditë në Shkup e Tetovë dhe mund t'ju them se shumë zyrtarë të Maqedonisë, do të donin të shihnin një farë qartësie sa i përket çështjes së Kosovës. Mendoj se fillimi i bisedimeve do të ishte në të mirë të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Për më pak se dy muaj mbahen zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Aktualisht Amerika është shumë e angazhuar në Irak, në Afganistan dhe në pjesë të tjera të botës. Por, çka mendoni, çfarë është pozicioni për Ballkanin, e veçanërisht për Kosovën, në të dy kampet?

ALEX GRIGOREV
Nuk mendoj se ka ndryshime të mëdha ndërmjet republikanëve dhe demokratëve. Gjithashtu mendoj se çështja e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë fushate. Nuk është aspak çështje për fushatë. Ka një përgatitje për vitin 2005, aq sa di unë në këtë Departament të Shtetit dhe në Këshillit e Sigurisë Kombëtare dhe jam i sigurt se kjo lloj përgatitje, një aktivitet i ngjashëm do të ishte edhe nëse në Shtëpinë e Bardhë do të kishte ndryshimre. Mendoj se teoritë se kjo apo ajo parti në Shtetet e Bashkuara do të jetë më afër serbëve apo shqiptarëve, janë krejtësisht të pabaza. Ajo që u intereson Shteteve të Bashkuara është stabiliteti në rajon, krijimi i një shteti të fuqishëm, të përgjegjshëm, me qeveri të fuqishme. Pra ta shohin këtë rajon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe të merremi me këto vende siç jemi marrë me vendet që më parë ishin pjesë e kampit socialit, siç janë Hungaria, Rumania, Polonia dhe shumë të tjera. Ky është interes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG