Ndërlidhjet

PETERSEN NË BISEDIME PËR KRIJIMIN E INSTITUCIONEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Liderët e partive më të mëdha në Kosovë, nuk e kanë përjashtuar sot asnjërin prej modeleve të ndërtimit të koalicionit të ardhshëm qeveritar, pasi rezultatet paraprake të zgjedhjeve nuk e kanë nxjerrë asnjë subjekt politik si fitues absolut të zgjedhjeve që do t’i garantonte formimin e institucioneve qëndrore. Këto komente, liderët kosovarë i kanë bërë pas takimeve që sot i kanë zhvilluar me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, i cili, sipas tyre i ka thirrur këto takime që të njoftohet me qëndrimet e liderëve vendorë rreth dinamikës së ndërtimit të institucioneve. Pas takimit me kryeadministratorin Petersen, kryetari i Lidhjes Demokratike, Ibrahim Rugova, tha se ende asgjë nuk është përfundimtare dhe se ditët e ardhshme do të jenë përcaktuese për qëndrimet e kësaj partie me cilin apo cilat subjekte do të hyjnë në koalicion:
"Pas rezultateve përfundimtare do të shikojmë që institucionet t’i bëjmë sa më shpejt. Ndërkohë presidenti, qeveria do të punojnë, sepse i kanë përgjegjësitë, pra jemi në situatë më të mirë se në vitin 2001 dhe shpresoj se do t’i bëjmë së shpejti të gjitha institucionet”, tha Rugova.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi, tha se ai angazhohet për një qeveri gjithpërfshirëse dhe shumë-etnike, duke pasur parasysh proceset që i ka përpara Kosova, sidomos atë të përcaktimit të statusit të saj, i paraparë për mandatin e qeverisë së re që do të dalë nga zgjedhjet e të shtunës së kaluar:
“Partia Demokratike e Kosovës ndjek politikën e integrimit që garanton ndërtimin e institucioneve shumë përfshirëse e shumë-etnike, që garanton suksesin dhe stabilitetin e Kosovës, një qeverisje stabile e efektive dhe fillimin e zgjidhjes së statusit politik dhe integrimin e Kosovës në strukturat evroatlantike”, tha Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se do të ishte mirë që Kosova më në fund të ketë pozitën dhe opozitën e vet, mirëpo, ai nuk e përjashtoi mundësinë edhe të modeleve tjera, që në Kosovë tashmë njihen si bashkëqeverisje. Haradinaj tha se me qëllim të diskutimit të opsioneve e modeleve të qeverisë së re, ai tashmë ka takuar zyrtarin e lartë të LDK-së Nexhat Daci, si dhe kryetarin e PDK-së Hashim Thaçi, kurse parasheh të takojë dhe Veton Surroin nga Lista Qytetare "Ora". Haradinaj, tha se çfarëdo marrëveshje që do të rezultojë në fund, AAK do ta pranojë pavarësisht asaj nëse do të mbetet në pozitë apo opozitë:
“Biseduam për opsionet për qeverisje. I shpjegova se Aleanca i le të hapura opsionet, nuk kushtëzon, por mbështet arritjen e një marrëveshje të ndërsjellë me partitë politike në Kosovë duke i lënë të hapura të gjitha opsionet. Po ashtu biseduam për kompletimin e qeverisë së Kosovës dhe mendoj se nuk kemi kohë që të shkojmë pjesë pjesë, njëherë me katërt e pastaj me dy ministri të reja. I shpjegova sa me është rëndësi që të veprojmë menjëherë me kompletimin e qeverisë së Kosovës”, theksoi Haradinaj.
Në këto çaste, Petersen ka takuar dhe Veton Surroin nga Lista Qytetare "Ora", subjekt ky që është në kombinim për qeverinë e re gjithashtu. Të gjithë liderët kosovarë, si qëndrim të përbashkët shprehën kënaqësinë se zgjedhjet kanë kaluar të qeta dhe në frymë demokratike. Ndërsa lidhur me qeverinë e re, mbizotëron bindja se ajo mund të ndërtohet mbi bazën e formulës tashmë të njohur të bashkëqeverisjes, ku partitë e mëdha kalojnë në qeveri, si dhe modeli tjetër i qeverisjes së partisë shumicë me një apo dy subjekte më të vogla. Në bazë të Kornizës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës mblidhet 30 ditë pas çertifikimit të rezultateve. Kurse për zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë, që bëhet me votim në Kuvend, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave apo 81 nga 120 sa ka gjithsejt deputetë në Kuvend, kurse në rast bllokade, votimi i tretë parasheh zgjedhjen e tyre me shumicën e thjeshtë, apo me 61 vota.


XS
SM
MD
LG