Ndërlidhjet

STRATEGJIA DHE IRAKU


J. DONOVAN



Luftën në Irak zyrtarët amerikanë janë duke e cilësur siç diç që deri më tash nuk është parë asnjëherë në histori.
Në ditët e para të luftimeve forcat amerikane synuan të eliminonin caqet e udhëheqjes irakiene në Bagdad dhe gjetiu. Kjo taktikë kishte pasuar betejën disa muajshe psikologjike që kishte për qëllim të bind oficierët e Irakut të dorëzoheshin pa luftë.
Fillimisht vëzhguesit kishin supozuar se lufta do të ishte e shkurtër.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Katar gjenerali amerikan Toni Frenks kishte thënë:
"Kjo fushatë do të jetë si asnjë më parë në histori – fushatë që do të karakterizohet me tronditje, befasi, fleksibilitet dhe me saktësi të goditjeve që nuk është parë kurrë", tha gjenerali Tomi Frenks.
Por, parashikimet se lufta do të jetë e shkurtërt filluan të zbehen të dielën kur forcat aleate përjetuan viktimat e para.
Vrasja e 12 ushtarëve amerikanë në Irakun jugor dhe zhdukja e 12 të tjerëve ngritën dilema rreth strategjisë ushtarake e cila synon minimumin e viktimave civile dhe të dëmeve në infrastrukturë.
Analistët thonë se projektues i strategjisë është sekretari amerikan i mbrojtjes, Donald Ramsfeld.
Radek Sikorski, analist nga Uashingtoni thotë se strategjia e tashme është krejt tjetër nga ajo në fillim të luftës në Gjirin Persik, përkatësisht në Kuvajt para më shumë se një dekade:
"Kemi të bëjmë me një revolucion ushtarak që ka ndodhur me ardhjen e Donald Ramsfeldit në Pentagon dhe që tash po realizohet", thotë analisti Sikorski.
Ndryshe për të arritur objektivat forcat e koalicionit kanë shfrytëzuar bomba me saktësi të jashtëzakonshme kundër caqeve ushtarake dhe qeveritare të Irakut, mbështetur nga sulmet tokësore të nisura nga Kuvajti. Kjo ka bërë që aktualisht forcat aleate të gjenden më pak se 100 kilometra larg Bagdadit.
Robert Hatkinson, themelues i javores "Xhejns Difens Uikli" doktrinën ushtarake të Donald Ramsfeldit e cilëson të jashtëzakonshme. Ai thotë se strategjia e Ramsfeldit ka fituar në raport me disa të tjerë në Pentagon që dëshironin të dërgonin numër shumë më të madh të trupave tokësore në Irak.
Hatkinson shton:
"Mendoj se sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld beson në forca më të lehta, por duke zbatuar goditje kirurgjike. Në fakt kemi të bëjmë me dëshirën e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe që irakenëve t'u japin kohë që vetë të përmbysin Sadamin, para se këtë ta bëjnë forcat aleate me armë", thotë Robert Hatkinson.
Sidoçoftë, deri më tash nuk janë realizuar parashikimet e planifikuesve ushtarakë për dorëzimet masive të irakinëve, veqanërisht në Irakun jugor, ku ekziston disponim i fuqishëm anti – Sadam. Për pasojë kemi betejën e vazhduar dhe çmimin më të lart të forcave të koalicionit për të mbajtur dhe kontrrolluar qytetet siç janë Basra dhe Nasiria.
Ky zhvillim mund të rezultoj me bombardime më të fuqishme dhe numër më të madh të viktimave civile.
Pavarësisht nga këto zhvillime analistët pajtohen se beteja për Bagdadin do të jetë pika vendimtare.
Pasi që deri më tash nuk ka pasur shenja sinjalizuese për kapitullimin e udhëheqjes së Irakut, forcat amerikano – britanike kanë filluar të godasin Gardën Republikane të Irakut që mban të rrethuar Bagdadin. Disa analistë pohojnë se beteja për Bagdadin mund të zgjatë dhe të shoqërohet me gjakderdhje të madhe.
Por, zyrtarët amerikanë dhe britanikë mbeten optimistë sa u përket zhvillimeve të deritashme dhe të ardhshme. Zëdhënësja e Pentagonit Viktoria Klark thotë:
"Kemi bërë progres të konsiderueshëm drejt objektivave tona. Kemi siguruar fushat e naftës për mirëqenjen e popullit të Iraku. Gjithashtu kemi realizuar dominim nga ajri. Dhe jemi duke bërë progres të mirë drejt Bagdadit", thotë zëdhënsja e Pentagonit Viktoria Klark.
Analistët nuk konsitojnë këtë qëndrim, por thonë se fitorja e koalicionit ende është larg.
Analisti tjetër nga Uashingtoni, Xhefri Reni, pohon se synim kryesor i strategjisë amerikano – britanike, në planin ushtarak dhe psikologjik, është tentimi për të shtrënguar forcat irakiene të dorëzohen me sa më pak viktima.
Ai thotë se ende është shumë heret për të parashikuar epilogun e luftës:
"Do të përmbahem nga vlerësimi nëse kjo strategji është më e mira, sepse ne këtë ende nuk e dijmë. Është shumë heret për të dhënë vlerësime", konkludon analisti nga Uashingtoni Xhefri Reni.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se në orët dhe ditët e ardhshme çdo gjë do të jetë në funksion të betejës për Bagdadin.
XS
SM
MD
LG