Ndërlidhjet

VRITET NJË USHTAR MAQEDONAS


Zërijeta Hajro Jahjaga, Shkup

"Mes fshatrave Vaksinc dhe Strazhë, si pasojë e vendosjes së një mine në rrugë ka humbur jetën një ushtar, dhe një tjetër është plagosur rëndë", bën të ditur për Evropën e Lirë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Dehari. Ai thekson se shpërthimi ka ndodhur kur automjeti i armatës së Maqedonisë, i tipit Tinzgauer ka shkelur në një minë antitank.
"Katër automjetet e ushtrisë së Maqedonisë kanë qenë në shënjestër të këtij akti terrorist", thekson Ministri i Mbrojtjes Vllado Buçkovski, duke nënvizuar se sipas informacioneve të para bëhet fjalë për minë antitank të vendosur kohë më parë në rrugën përgjatë së cilës çdo ditë lëvizin automjetet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Ndërkohë në komunikatën zyrtare të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Maqedonisë, incidenti i sotëm cilësohet si akt terrorist. Vargani i Ushtrisë në orën 9:15, qe nisur nga Kumanova për të bërë zëvendësimin e personelit në karakoll të Strazhës, thuhet në komunikatë ku preçizohet se një nga automjetet e varganit, në vendin e quajtur Maja e Padinës në trekëndëshin Maqedoni- Kosovë- Serbi ka shkelur në minë antitank, me ç'rast ka humbur jetën një ushtar profesionist dhe një oficer është plagosur rëndë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka dënuar këtë akt duke e cilësuar si shumë të disfavorshëm për vendosjen e paqes në vend.
" Çdo veprim në të cilin ka viktima sigurisht që është vepër kriminale, prandaj shpreh keqardhje të madhe për rastin e sotëm në të cilin ka humbur jetën një ushtar dhe një tjetër është plagosur. Organet kompetente janë në veprim për ndriçimin e plotë të situatës", tha Ali Ahmeti.
Nga ana tjetër edhe zëdhënësi i OSBE-së Volfgang Greven, incidentin e sotëm e ka cilësuar si akt kriminal.
" Ky incident paraqet një akt kriminel dhe mund vetëm t'i inkurajojmë autoritetet shtetërore që t'i ndjekin dhe t'i sjellin para drejtësisë fajtorët", ka theksuar zoti Greven, duke vazhduar se incidenti i sotëm flet për atë që kriminelët nuk kanë respekt as ndaj të rinjve, të cilët gjithnjë e më shumë bëhen viktimë e akteve kriminale.
XS
SM
MD
LG