Ndërlidhjet

P. MOORE:"SHBA DO TË KETË ROL TË DREJTËPËRDREJT NË ZGJIDHJEN E STATUSIT TË KOSOVËS"


Patrick MOORE, analist i Radios "Evropa e Lirë"


RADIO EVROPA E LIRË
Bashkimi Evropian premton integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit perëndimor në rradhët e veta. A është BE-ja e gatshme dhe e aftë për ta bërë diçka të tillë dhe cilat mund të jenë pengesat në këtë drejtim?

PATRICK MOORE
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk është i lehtë. Ka disa dhjetra kapituj që vendet aspiruese do të duhet të plotësojnë, dhe duhet të adoptojnë plotësisht Aquis Communitaire, që përfshin rreth 20 mijë pika. Këto janë bërë për një kohë tjetër, për vende tjera dhe për një stad tjetër të zhvillimit të këtyre vendeve. Kjo nuk do të jetë e lehtë. Ashtu siç e kanë përmendur disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, në mes të tyre Ministri i Jashtëm francez, anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një proces formal, plotësimi i këtyre 20 mijë pikave, përfshin adoptimin e një niveli të caktuar të kulturës politike, disponimin e disa standardeve të demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Pra është një pako mjaft komplekse. Askush nuk duhet të mendojë se do të jetë e lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë viteve 90, përkatësisht luftërave në ish-Jugosllavi, Bashkimi Evropian nuk është treguar i aftë për të zgjidhur problemet me efektivitet. A mendoni se aktualisht BE-ja ka kapacitetet për të zgjidhur problemet e mbetura në Ballkan?

PATRICK MOORE
Bashkimi Evropian ndoshta nuk do të jetë kurrë një fuqi e bashkuar kredibile ushtarake, ose të ketë një politikë të jashtme vërtet efektive, ashtu si e kanë disa nga vendet anëtare të saj. Por, Bashkimi Evropian është shumë i fortë në ate që një analist amerikan e ka cilësuar pushtet i butë. Kjo do të thotë aftësia për të bërë gjëra në fushën ekonomike, sociale, disa herë dhe në atë politike. Bashkimi Evropian ka pasuri të jashtëzakonshme, ka disa nga standardet më të larta të edukimit dhe të kulturës, dhe ky është një lloj pushteti që mund të përdoret për të zgjidhur disa probleme. Ndoshta nuk i zgjidhë të gjitha, sidomos në vendet, zhvillimi i të cilave u pengua nga komunizmi dhe luftërat, por ka mjaft gjëra që Bashkimi Evropian mund t'i bëjë. Megjithatë siç e thashë kjo nuk nënkupton që Bashkimi Evropian mund të zgjidhë të gjitha problemet në të gjitha mënyrat. Nuk ka kredibilitetin ushtarak të Shteteve të Bashkuara, i cili i jep Amerikës një forcë dhe pushtet politik. Prandaj ajo që kemi parë është se gjërat funksionojnë më mirë kur Shtetet e Bashkuara dhe Unioni Evropian secili në mënyrën e vet punojnë së bashku, jo veç e veç, jo kundër njëri tjetrit, por së bashku.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, kosovarët thonë se pa rolin prijës dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, një nga çështjet e hapura, përkatësisht çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet.

PATRICK MOORE
Po. Mendoj se çdo njeri i cili do të mendonte se Shtetet e Bashkuara mund të përjashtohen nga zgjidhja e statusit të Kosovës, do gënjente veten. E kemi parë qasjen që Bashkimit Evropian e ka pasur me rastin e krijimit të Unionit Serbi - Mali i Zi. Një qasje arrogante, që nuk i lejoi serbët dhe malazezët të votonin për të ardhmen e tyre në referendum. Mendoj se të gjithë e kemi parë dhe diskutuar që Bashkimi Evropian mund të ketë plane të ngjashme për kosovarët. Por, në thelb ndiej që nëse Bashkimi Evropian kishte duart e lira në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi, kështu nuk do të jetë në rastin e Kosovës. Do të ketë një rol të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se zgjidhja do të jetë e mirë dhe realiste.
Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG