Ndërlidhjet

KOFI ANNAN VLERËSON ARRITJET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan lidhur me Kosovën, është pritur me reagime të ndryshme. Hajredin Kuçi, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës tha se ky raport ishte më pozitiv se ai paraprak, ndërsa sa i përket vlerësimit se Kuvendi i Kosovës po tejkalon kompetencat, ai tha:
“Mendoj se nuk duhet të jenë të befasuara as institucionet vendore dhe as ato ndërkombëtare, kur merren parasysh programet politike dhe premtimet elektorale që janë dhënë nga subjektet politike pjesëmarrëse në Kuvend, ngase premtimet dhe programet tona janë më shumë se rezoluta 1244. Ne e respektojmë atë rezolutë dhe bashkësinë ndërkombëtare, por jemi të obliguar që të respektojmë vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe në këtë drejtim edhe zoti Annan edhe të tjerët mund të presin hapa edhe më të mëdhenj, të cilët mund të jenë në kundërshtim me rezolutën 1244, por jo në kundërshtim me parimet ndërkombëtare dhe demokratike”.
Ndërkaq, Alush Gashi, deputet i LDK-së tha se nevojitet një komunikim i drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Këshillit të Sigurimit, e cili do të eliminonte para së gjithash edhe dilemat që zoti Annan ka shtruar në raportin e tij lidhur me punën e Kuvendit të Kosovës,. Ndërkaq, duke komentuar pjesën e raportit ku thuhet se shqiptarët po nguten të gjejnë shtigje që përshpejtojnë pavarësinë e Kosovës, zoti Gashi mendon se është mirë që zoti Annan e ka kuptuar se shqiptarët nguten të shkojnë drejt pavarësisë:
"Pavarësia e Kosovës është natyrisht e panegociueshme dhe nevojat jetësore të qytetarëve tëKosovës janë aq të mëdha dhe aq të fuqishme, sa pavarësia duhet të merret tani dhe pjesa dërrmuese e deputetëve mendon se çdo vonim i njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk është i mirë për institucionet vendore”, tha zoti Gashi.
Lidhur me këtë deputeti Hajredin Kuçi ndërkaq mendon se ekziston një dallim në përceptimin nëse ka ngutje apo ngadalësim:
“Mendoj se perceptimi është i dyanshëm. Në radhë të parë është perceptimi vendor se ne po ngadalësojmë dhe nuk po ngutemi dhe ky perceptim vendor është më real, pasi katër vjet pas luftës nuk është ngutje dhe shumë procese kanë ngecur në Kosovë si rezultat i mosdefinimit të qartë të disa çështjeve politike dhe të statusit final”.
Ngutja e shqiptarëve drejt pavarësisë është parë nga zoti Annan si një presion mbi UNMIK-un, bashkë me përkrahjen që Beogradi u jep strukturave paralele serbe në Kosovë, duke bojkotuar kështu politikën dhe programet e UNMIK-ut.
Mirëpo, anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga koalicioni i serbëve Kthimi, zoti Gojko Saviç mendon ndryshe: “Thënë sinqerisht aktualisht nuk ka struktura dhe institucione të dukshme paralele, për arsyen e thjeshtë se kur është fjala për arsimin dhe shëndetësinë, komuniteti serb nuk ka liri të lëvizjes prandaj shëndetësia që organizojnë serbët nuk mund të thuhet se është paralele”, tha Gojko Saviç, sipas të cilit krijimi i ambientit për lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve do ta bënte krejt relative çështjen e strukturave paralele apo multietnike. Mirëpo, Saviç ia ka parë për të madhe zotit Annan që nuk është marrë në raportin e tij pikërisht me lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët. Sidoqoftë, mbretëron bindja e përgjithshme se ky raport është shumë më pozitiv sesa ai para tre muajsh.

XS
SM
MD
LG