Ndërlidhjet

ARRESTOHET NJË SERB I KOSOVËS, I DYSHUAR PËR VRASJEN E POLICIT INDIAN, SATISH MENON


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Autoritetet ndërkombëtare të rendit kanë arrestuar në orët e hershme të mëngjesit të sotëm një qytetar serb 21-vjeçar nën dyshimin se ka vrarë policin e Kombeve të Bashkuara nga India, Satish Menon. Zëdhënësi i policisë ndërkombëtare, Derek Chapell, ka bërë të ditur se i dyshuari është nga fshati Sllatinë në veri të Kosovës dhe aktualisht po mbahet në stacionin e policisë në veri të Mitrovicës. “Policia ka konfiskuar disa pushkë automatikë AK-47, të cilat po ekzaminohen në ndërlidhje me vrasjen e policit ndërkombëtar”, tha zoti Chapell. Ai gjithashtu njoftoi se autoritetet e rendit tashmë janë duke zhvilluar operacione bastisjeje në fshatrat përreth vendit ku është kryer vrasja në kuadër të hetimeve të mëtejshme.
Ndryshe, vrasja ka ndodhur më 3 gusht të këtij viti, në afërsi të fshatit Sllatinë prej nga vjen i dyshuari, fshat ky që gjendet në magjistralen Mitrovicë – Leposavic, përkatësisht Albanik. Menon është vrarë në pritë derisa po patrullonte me veturë të policisë së Kombeve të Bashkuara nëpër këtë magjistrale. Ky sulm është dënuar rëndë nga të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe vendore në Kosovë, të cilat e kanë cilësuar atë si një sulm të drejtëpërdrejtë mbi rendin e ligjin dhe mbi përpjekjet për vendosjen e themeleve të një shoqërie demokratike. Komisioneri i Policisë së Kombeve të Bashkuara, Stefan Feller, pat thënë se në bazë të rrethanave në të cilat është kryer sulmi, vrasja ka qenë e qëllimshme. Menjëherë pas vrasjes zoti Feller pat publikuar një shpërblim prej 50 mijë eurosh për ata që kanë informacione, në bazë të të cilave do të kapen dhe dënohen përgjegjësit për sulmin mbi policin Menon. Policia e Kombeve të Bashkuara nuk pranoi të njoftojë nëse ky shpërblim i është dhënë dikujt. Zyrtarët e kësaj policie shkurtimisht thanë se arrestimi është rezultat i hetimeve intensive të autoriteteve ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG