Ndërlidhjet

BLERIM REKA: BEOGRADI PUNON NË MINIMIN E DIALOGUT ME PRISHTINËN


Intervistë me Blerim Rekën, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Ka mendime dhe qasje të ndryshme rreth fillimit të bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit. Cila është qasja e juaj?

BLERIM REKA
Siç e dini, në vetë Rezolutën 1244, problemi i statusit final nuk është përcaktuar, do të thotë rezoluta nuk i adresohet një statusi final, por i udhëzon të gjithë anëtarët në këtë rast, gjithsesi popullin e Kosovës, por edhe faktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë dhe rajonalë që në një proces të gjendet zgjidhja finale politike për Kosovën. Janë bërë disa përpjekje deri tash nga Bashkësisa Ndërkombëtare që të inicohet ky dialog, siç quhet, midis Prishtinës e Beogradit dhe fillimisht mendohej se do të arrihej drejt dialogut. Por, siç duket pala e Beogradit vetë e minon fillimin e dialogut. Këtë e bëri fillimisht në tubimin e Selanikut kur nuk pranoi bisedimet me palën kosovare dhe së fundi këtë po e bën tash që dy muaj me disa provokime qoftë kushtetuese, qoftë politike, me të cilat praktikisht dëshiron ta sjellë palën kosovare para aktit të kryer në mënyrë që të mos ta pranojë një dialog të prejudikuar. Me vetë faktin se pala serbe e ka paraparë Kosovën si pjesë të Serbisë dhe në kushtetutën e Unionit Serbi-Mali i Zi dhe me vetë faktin se ajo ka dalë më një deklaratë qeveritare, e cila pritet në shtator të materializohet edhe si deklaratë parlamentare e Kuvendit të Serbisë, dhe me vetë faktin se në tërë këtë lojë është përfshirë edhe Kisha Ortodokse serbe në memorandumin më të ri, i cili dua të them ka edhe elemente raciste ndaj popullit shqiptar, praktikisht e mbyllë shtegun e fillimit të një dialogu aq të përfolur dhe aq të komunikuar me muaj të tërë. Me fjalë të tjera, në vend të një dialogu pa prejudikime, çfarë ka qenë insistimi i Bashkësisë Ndërkombëtare, Beogradi tash tre muaj punon në minimin e dialogut me prejudikimet e statusit final. Me një sjellje të tillë Beogradi në një mënyrë e bën të pamundur fillimin e bisedimeve, për arsye se, për çka do të duhej të bisedohej midis Prishtinës e Beogradit, në qoftë se paraprakisht në tryezë sillet një opcion final çfarë është projektuar në Beograd dhe ky është opcioni i papranueshëm për palën shqiptare që Kosova të mbetet pjesë e Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në propozimin e kushtetutës së re të Serbisë në preambulë parashihet definimi i Kosovës si pjesë e Serbisë. Si njohës i mirë i mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, sa një përcaktim i tillë bie ndesh me rezolutën 1244?

BLERIM REKA
Rezoluta, ndonëse nuk e përcakton statusin final, ajo as nuk e prejudikon atë dhe se çfarëdo prejudikimi që bëhet në këtë rast nga ana e palës serbe është e papranueshme dhe është shkelje e vetë Rezolutës 1244. I vetmi formulim në rezolutë që i dedikohet statusit final është gjetja e një zgjidhjeje në bazë të dialogut, bisedimeve etj. Por, askund nuk shkruan në rezolutë se Kuvendi i Serbisë duhet të sjellë një kushtetutë të re, me të cilën do ta formalizojë Kosovën si pjesë të tij. Madje Rezoluta 1244 as që e përmend referencën e Serbisë. Faktikisht Serbia as që përmendet në rezolutën 1244. E vetmja gjë që përmendet është e ashtuquajtura RFJ. Tash meqenëse as ajo nuk ekziston si etnitet politiko-territorial, kjo që bëhet në Beograd është krejtësisht jashtë frymës së Rezolutës 1244. Kjo nuk është çështje juridike dhe më së paku çështje kushtetuese. Ky është një provokim i hapur politik nga ana e Beogradit, qëllimi i të cilit është kuptohet që ta parandalojë zgjidhjen e statusit final, që ta prejudikojë zgjidhejn e statusit final dhe të pamundësojë fillimin e dialogut si e vetmja mënyrë për zgjidhjen e këtij statusi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pala serbe e akuzon Kosovën për mosgatishmëri për fillimin e bisedimeve. Në këtë drejtim shfrytëzohet edhe vrasja e dy të rinjëve në Gorazhdevc. Si i komentoni këto deklarata, e fundit ishte ajo e zëvendëskryeminsitrit serb Koraq?

BLERIM REKA
Ne si shqiptarë dhe qytetarë të Kosovës të gjithë e kemi përjetuar rëndë atë që ndodhi me viktimat e fundit, pra me të rinjët serbë. Edhe institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile iu bashkuan një keqardhjeje dhe një ngushëllimi të përgjithshëm dhe do të thoja si një shprehje e një qendrimi se dhuna nuk shpie askund, por duhet të merret parasysh edhe fakti se Gorazhdeci nuk duhet të prejudikohet dhe të politizohet. Gorazhdeci duhet të sqarohet definitivisht në baza të hetuesisë se kush e kreu dhe kush qendron pas atij krimi. Vetë fakti që vrasja ndodhi në ditën kur ateroi edhe aeroplani i administratorit të ri ndërkombëtar në Kosovë, ndodhi në ditët kur intensifikoheshin përgatitjet për fillimin e dialogut dhe kuptohet se ata që qendrojnë prapa kësaj vrasjeje nuk e kanë bërë rastësisht këtë vrasje. Duhet të shqyrtohet, në qoftë se fillojmë me prejudikime se pse vrasja ndodhi pikërisht tash dëshirojmë ta analizojmë në aspektin më të gjerë politik. Është indikative se incidentet shtohen pikërisht në kohën kur pala shqiptare është e gatshme për dialog, kur pala shqiptare në Selanik e shtriu dorën e bisedimeve, kurse pala serbe e refuzoi atë, kur pala shqiptare deklaroi se e mirëpret kthimin e të gjithë refugjatëve serbë në Kosovë me një deklaratë politike të llojit të vet, kur pala shqiptare shprehu këto ditë gatishmërinë që të shkojë e t'i vizitojë prindërit e fëmijëve të vrarë. Me fjalë të tjera, del se dikush tjetër e jo pala shqiptare është i interesuar për të mos filluar dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit.

Intervistoi Gëzim Baxhaku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG