Ndërlidhjet

CLINTON FTON PËR PAJTIM, MBËSHTET VETËVENDOSJEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Sot në Fakultetin Filologjik, u mbajt një ceremoni me rastin e nderimit të ish presidentit amerikan Bill Clinton, me titullin "Honoris Causa", Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës.
"Emri i kandidatit për Doktor "Honoris Causa" i Universitetit të Prishtinës është ish presidenti William Jefferson Clinton. Universiteti i Prishtinës konfirmon se ish presidenti Clinton i plotëson të gjitha kushtet e parapara me ligj për marrjen e këtij titulli", ishin këto fjalët e Rektorit të Universitetit të Prishtinës Zenel Kelmendit, ndërsa ish presidenti Clinton pranoi diplomën nga zëvendës-rektori Arsim Bajrami: " Zoti president, në emër të Universitetit të Prishtinës ju dorëzoj këtë diplomë".
Ish presidenti Clinton, i cili sot edhe njëherë u quajt miku më i madh i popullit të Kosovës dhe njeriu që dha kontributin më të madh që popullit të Kosovës t'i ndalen vuajtjet nga shtypja e regjimit diktatorial të Millosheviçit, pranoi diplomën e shpalljes së tij Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës.
"Duhet t'u falenderohemi ushtarëve të SHBA-ve dhe të tjerëve, të cilët ju mbrojtën juve, qytetarëve të Kosovës, duke rrezikuar jetën e tyre, duke ju mundësuar që të ktheheni sërisht në shtëpitë tuaja," tha Clinton, para të pranishmëve, mes të cilëve ishin profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës, krerët më të lartë të misionit ndërkombëtar, udhëheqësit vendorë dhe diplomatë të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të akredituara në Kosovë.
" Ne erdhëm në Ballkan bashkë me aleatët dhe do të largohemi nga Kosova bashkë me ta, kur të konsiderojmë se kemi përfunduar misionin tonë në Kosovë," tha ish presidenti Clinton, i cili u ka bërë sot thirrje qytetarëve të Kosovës, liderëve vendorë, si dhe të gjitha subjekteve relevante politike, që të kontribuojnë në pajtimin etnik, të mos harrojnë të kaluarën, por kurrsesi të mos përsëritin gabimet e Millosheviçit.
"Jam krenar që isha një prej atyre që i kanë ndihmuar popullit të Kosovës të çlirohet, dhe pas luftës së tmerrshme njerëzit të kthehen sërisht në shtëpitë e tyre," tha Clinton, prandaj ai kërkoi nga popullata shumicë që tani mos lejojë hakmarrjen dhe dhunën ndaj pakicave apo etnive të tjera. Clinton më pas ka folur edhe për statusin e pazgjidhur të Kosovës, dhe rrugën deri tek definimi i tij.
"Jam mëse i vetëdijshëm se në çfarë drejtimi doni të shkojë e ardhmja juaj politike. Besoj në vetëvendosje dhe dua që ju të jeni të aftë të krijoni të ardhmen tuaj," tha Clinton, duke shtuar më pas se rruga deri aty nënkupton dhe sfida të ndryshme.
" Mundësia që është dhënë për një dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, është e madhe. Bisedimet duhet të jenë për çështje praktike, dhe nuk do të zgjidhet gjithshka brenda një nate. Megjithatë nga ana psikologjike kjo do të jetë një punë e madhe, pasi në njërën anë të tavolinës do jetë qeveria serbe dhe në anën tjetër qeveria e Kosovës. Kjo është një fotografi që nuk është parë kurrë në histori," tha Clinton, i cili më pas u uroi bisedime të mbara liderëve vendorë, duke përsëritur më pas se është shumë krenar që kontribuoi që gjërat të vijnë deri këtu ku janë sot.
"E dua këtë vend dhe do të vazhdoj të angazhohem për të mirën e qytetarëve të Kosovës", ishin mesazhet që sot ish presidenti Bill Clinton ja adresoi popullit të Kosovës.
Paraprakisht ish presidenti Clinton ka takuar në ambjentin e universitetit udhëheqësit vendorë Ibrahim Rugovën, Bajram Rexhepin dhe Nexhat Dacin, si dhe liderët e partive më të mëdha politike të Kosovës, por pas këtyre takimeve nuk janë dhënë prononcime për mediat.
Ndërkohë rektorati i Universitetit të Prishtinës e ka cilësuar Clintonin njeri të madh, i cili në Kosovë ktheu shpresat e njerëzve për liri, demokraci dhe jetë në vendin e tyre. Zëvendës rektori i Universitetit Hajredin Kuçi, tha se Clintoni ishte dhe do të mbetet miku më i madh i Kosovës.
"Ne e konceptojmë figurën e ish presidentit Clinton si njeri që kontribuoi shumë për paqen, drejtësinë, lirinë dhe demokracinë në tërë botën dhe në veçanti në Kosovë. Në figurën e presidentit Clinton, të gjithë ne shohim një personalitet të madh me virtyte të larta njerëzore. Populli i Kosovës dhe mbarë populli shqiptar, sot e ka jo vetëm një personalitet politik të formatit të madh, një dijetar dhe veprimtar të madh, por edhe një mik të madh dhe të përheshëm," u shpreh në fjalën e tij Hajredin Kuçi.
Ish presidenti amerikan ka vizituar universitetin amerikan si dhe sheshe të ndryshme, përfshirë këtu edhe sheshin Bill Clinton, ndërsa në orët e pasdites, para se të largohet nga Kosova, ai do t'u bëjë një vizitë dhe ushtarëve amerikanë në kampin Bondsteel.

XS
SM
MD
LG