Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS SHTYN MARRJEN E VENDIMIT PËR BISEDIMET PRISHTINË- BEOGRAD


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk ka marë as sot ndonjë qëndrim lidhur me dialogun me Beogradin, edhe përkundër deklarimit në seancën e kaluar se ky qëndrim do të merrej në seancën e sotme. Disa deputetë, të partive më të mëdha parlamentare, thanë sot se mungesa e pozicionimit të Kuvendit rreth dialogut, është ikje nga përgjegjësia. Ndërkohë që pjesa tjetër, vlerësuan se grupet parlamentare nuk arritën që t’i harmonizojnë qëndrimet e tyre dhe se çështja e dialogut për këtë arsye ishte lënë të diskutohet në ndonjërën prej seancave të radhës. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Edita Tahiri, tha se ajo i mbështet nismat që Kuvendi të nxjerrë konkluzione sa u përket bisedimeve teknike. Gjithashtu, shtoi deputetja Tahiri, momenti i tanishëm kërkon një mobilizim të institucioneve të Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi ndaj të gjitha rrjedhave aktuale politike në Kosovë:
“Mendoj se parlamenti ka nevojë që të mobiliziohet. Mirëpo ky mobilizim nuk ka të bëjë vetëm me parlamentin, por me të gjitha institucionet, përfshirë këtu qeverinë, presidentin dhe faktorin politik shqiptar, i cili duhet ta gjejë forcën që të takohet vetëm, jo vetëm kur thirret në darkat nga administratorët ndërkombëtar, në mënyrë që të diskutohet një konsensus lidhur me platformën për dialogun”, tha Edita Tahiri.
Deputetja Tahiri, tha në vazhdim se mungesa e qëndrimeve konkrete si rreth bisedimeve teknike, ashtu edhe lidhur me zhvillimet tjera aktuale, është sipas saj, dhe rezultat i mungesës së komunikimit ndërmjet institucioneve dhe subjekteve kryesore politike të Kosovës.
Ndërsa zëvendës shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Berat Luzha, tha se duke e shtyrë debatin rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, Kuvendi po mundohet t’i ikë dhe përgjegjësisë që ka ndaj këtyre zhvillimeve:
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike konsideron se Kuvendi duhet ta kryejë detyrën e vet, të miratojë një platformë, e cila do t’u shërbejë institucioneve tona për bisedime, para së gjithash duhet të mbizotërojë arsyeja te deputetët në mënyrë që bisedimet të mos na zënë të papërgatitur”, tha Luzha, sipas të cilit, miratimi i një platforme në Kuvend do ta ndihmonte palën kosovare që të mos shkojë në bisedime e papërgatitur.
Duke iu përgjigjur fjalimit të deputetit Luzha, kryesuesi i seancës deputeti, Fatmir Sejdiu, tha se Kuvendi sot nuk mund të dalë me qëndrime rreth dialogut, pasi grupet parlamentare ende nuk e kanë harmonizuar deklaratën, e cila do të paraqitej në Kuvend për miratim:
“Në seancën e kaluar ka mbetur si obligim që përfundimet nga debati dhe nga ajo pjesë e diskutimeve që janë bashkangjitur, të hartohen apo të nxirren përfundime të caktuara. Besoj se në një nga seancat e ardhshme, s’mund të them unë në seancën e ardhshme, por në një prej seancave të ardhshme, adekuat kohës besoj se do të miratohet”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës është deklaruar se ajo i pret rezultatet e seancës së sotme, në mënyrë që në një mbledhje që e ka caktuar për të shtunën, të dalë me qëndrime konkrete rreth bisedimeve me Beogradin. Zyrtarë të qeverisë sot nuk deshën t’i komentojnë punimet e Kuvendit, por thanë se me gjasë qeveria do ta përsërisë të shtunën kërkesën drejtuar parlamentit që të dalë me qëndrime konkrete nëse e pranon apo jo dialogun, para se qeveria të mund t’i fillojë përgatitjet për bisedime. Përndryshe, Kuvendi i Kosovës sot miratoi në parim ligjin për pesticidet dhe aprovoi plotësimin e ligjit për financat publike.




XS
SM
MD
LG