Ndërlidhjet

SHPALLET ZYRTARISHT PLANI PËR STANDARDET


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Drejtuesit më të lartë ndërkombëtarë e vendorë të Kosovës kanë shpallur sot zyrtarisht planin për përmbushjen e standardeve për Kosovën, edhe pse nuk është arritur pajtueshmëria përfundimtare lidhur me disa formulime në pjesën hyrëse të dokumentit. Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri tha se shpallja e datës së shqyrtimit të vendimit për statusin përfundimtar hap një kapitull të ri, ndërsa kjo është koha kur ne duhet ta shkruajmë këtë kapitull. Sipas zotit Holkeri, tani ekziston një datë për vendimin lidhur me statusin e Kosovës, mirëpo nuk ka asgjë që do ta prejudikonte këtë status:
"Ky vendim varet nga ajo që thuhet dhe bëhet këtu në Kosovë, pasi ekziston vetëm një rrugë drejt statusit të Kosovës dhe ajo është rruga drejt përmbushjes së standardeve," tha zoti Holkeri.
Zoti Holkeri ka thënë se përmbushja e standardeve është zgjedhje ndërmjet demokracisë dhe kriminalitetit e anarkisë, ndërmjet ngecjes në vend e prapambatjes në njërën anë dhe ndihmës së botës demokratike për të ecur përpara në anën tjetër.
Ndërkaq, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova tha se lansimi i standardeve është një moment me rëndësi, pasi tani ka ardhur koha që të vlerësohen standardet dhe progresi i Kosovës:
"Ne mendojmë se standardet duhet të vlerësohen gradualisht deri në gjysmën e vitit 2005, siç ka paraparë bashkësia ndërkombëtare. Standardet që kërkohen nga Kosova kanë për qëllim vlerësimet e të arriturave të Kosovës para vendosjes së statusit final të Kosovës, që për ne është pavarësia si dhe përmbushja e normave për integrim në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare," tha Rugova duke përkrahur standardet dhe duke premtuar angazhimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për të përmbushur standardet.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi shfaqi shpresën se Kosova do t’i përmbushë standardet brenda afatit të përcaktuar:
"Pa plotësimin e standardeve do ta kemi vështirë ta finalizojmë statusin përfundimtar të Kosovës, ashtu siç e synojmë të gjithë ne. Prandaj kontributi i të gjithëve për standardet është kontribut për statusin e Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj".
Ndërkohë, në një konferencë për shtyp të mbajtur më pas, kryeministri Rexhepi dhe shefi i UNMIK-ut Holkeri, thanë se mungesa e pjesës hyrëse në këtë dokument ka të bëjë me disa mospajtime, të cilat sipas tyre do të zgjidhen shpejt. Ndërkohë ata kanë shfaqur shpresën se serbët e Kosovës do të bashkëpunojnë për të përmbushur standardet.
Zoti Holkeri ndërkaq, tha se përmbushja e standardeve do të vlerësohet nga UNMIK-u, institucionet e Kosovës dhe Grupi i Kontaktit, pasi edhe formulimi është bërë përmes një bashkëpunimi, prandaj, tha ai, do të vijë koha kur ato të vlerësohen:
"Kur të vijë dita unë do të jem ndër të parët që do ta përgëzoj popullin e Kosovës për përmbushjen e standardeve," tha shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri.
Ndërkohë, menjëherë më pas ka filluar takimi i parë i grupit të përbashkët implementues, ku përveç kryeadministratorut Holkeri dhe kryeministrit Rexhepi marrin pjesë edhe shefat e katër shtyllave të UNMIK-ut dhe ministrat e qeverisë së Kosovës.





XS
SM
MD
LG