Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

HOXHAJ:"NE KOSOVE MUNGON KULTURE E MIREFILLTE POLITIKE"


ENVER HOXHAJ, ligjerues ne Fakultetin e Shkencave Politike ne Prishtine

Evropa e Lirë
Si e shpjegoni paaftësinë e subjekteve kosovare për një kompromis që do të sillte si rezultat ngritjen e institucioneve të Kosovës?

E. HOXHAJ
Unë personalisht kam pritur që do të ketë zhvillime të tilla politike dhe që partitë tona politike nuk do jenë në gjendje ta formojnë aq shpejt qeverinë. Por që do kalojnë tre muaj dhe Kosova do jetë ende pa qeveri, ky ka qënë për mua një zhvillim i paparashikueshëm. Kjo situatë ndoshta mbi të gjitha i referohet mungesës së një kulture të mirëfilltë politike tek ne në Kosovë, si dhe faktit që Kosova këto 12 vitet e fundit, ka qenë e okupuar nga nje regjim shumë i egër, ku nuk ka egzistuar asnjë mundësi që të zhvillohet një jetë e mirëfilltë politike. Kjo do të ishte arsyeja e parë. Ndërsa arsyeja e dytë më tepër i referohet kundërthënieve që partitë politike kanë patur para dhe gjatë luftës, të cilat për fat të keq, janë duke u kultivuar edhe pas luftës dhe mesa duket nuk është evident një vullnet i mirë politik, i cili do të mundësonte që partitë politike ta tejkalojnë këtë situatë në të cilën jemi ne sot.

Evropa e Lirë
Pas zgjedhjeve të suksesshme, sa konsideroni se imazhi i tyre dhe i subjekteve kosovare do të zbehej nëse kryeadministratori i ri i Kosovës do të detyrohet që të përdorë autoritetin dhe kompetencat e tij dhe të gjejë një zgjidhje kushtimisht të imponueshme për subjektet e këtushme?

E. HOXHAJ
Konsideroj që pas zgjedhjeve, të cilat vërtetë kanë qënë të suksesshme, në të cilat shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha grupet e tjera etnike në Kosovë kanë treguar me të vërtetë një pjekuri të mirëfilltë politike, mosformimi i qeverisë dhe i institucioneve dëmton jashtëzakonisht imazhin e Kosovës jashtë. Nëse gjërat lëvizin në atë drejtim dhe mesa duket do të lëvizin në atë drejtim, që ne do të kemi institucione të Kosovës vetëm me një intervenim direkt të kryeadministratorit të tanishëm të Kosovës, kjo jashtëzakonisht do ta dëmtojë imazhin e Kosovës jashtë. Meqë shumë shtete, shumë diplomaci perëndimore do ta përdorin këtë si një argument për paaftësinë e shqiptarëve për vetadministrim ose vetqeverisje. Moskrijimi i institucioneve të Kosovës do të përdoret si një argument që kosovarët në të ardhmen nuk do jenë në gjendje që t’i manaxhojnë këto kriza politike vetë, por vazhdimisht kërkohet një ndërhyrje direkt e ndërkombëtarëve. Kjo referohet sidomos edhe me zhvillimet aktuale që kemi në Shqipëri. Edhe atje shihet që faktori ndërkombëtar është jashtëzakonisht i shtrënguar, jashtëzakonisht i detyruar që vazhdimisht të intervenojë. Këto zhvillime paralele në Shqipëri dhe në Kosovë, të cilat vlerësohen prej ndërkombëtarëve si zhvillime të një kulture jo të mirëfilltë politike, e përcjellin imazhin e shqiptarëve si një popull që ende nuk e ka arritur një pjekuri të mirëfilltë politike.

Evropa e Lirë
Dhe në fund ju përmendët kundërthëniet e partive politike ose liderëve politikë. A vlerësoni se nëse partitë politike do të zgjedhin përfaqësues të tjerë politikë, por institucionet dhe liderët do të mbeten në funksionet e tyre partiake, do mund të gjendej një zgjidhje e pranueshme?

E. HOXHAJ
Nuk e përjashtoj mundësinë që nëse vihet deri tek krijimi i një qeverie teknike, do të thotë një qeverie e cila zakonisht krijohet nga ekspertë që kanë një mbeshtetje partiake, të cilët e kanë një mbështetje në partinë e tyre, do të kemi një situatë që do të mundësojë kalimin e kësaj krize të thellë politike, në të cilën Kosova është aktualisht. Gjithësesi shpresoj që tek partitë politike egziston një vullnet i mirëfilltë që me të vërtetë të tejkalohet kjo situatë. Ndoshta ky vullnet i mirëfilltë nuk ka patur deri tani ndonjë mundësi ose formë të caktuar që të kanalizohet. Do të thotë se nuk e përjashtoj mundësinë që brenda përbrenda partive politike egzistojnë grupe, të cilat në fund të fundit nuk janë të interesuara mbi të gjitha që linjën partiake ta çojnë deri në fund, por që sa me heret ta mundësojnë procesin e formimit të institucioneve të Kosovës. Nëse ne kemi një situatë të tillë ku grupet e caktuara brenda për brenda një partie politike do të jenë në gjendje ta thyejnë atë model, atëhere besoj që do të tejkalohet një situatë e tillë. Mirëpo gjërat duken në atë drejtim, që këto grupime politike brenda një partie politke janë shumë të pafuqishme dhe se nuk egziston një diskurs i mirëfilltë politik. Zakonisht në kulturat perëndimore, secila parti politike përbëhet ose prej një grupi konservativ, ose prej një grupi liberal, që pak a shumë luftojnë për të njëjtën linjë politike, por për koncepte të ndryshme në shoqëri ose në ekonomi.

XS
SM
MD
LG