Ndërlidhjet

Mihajl Shtajner: Një rezolutë të re e Këshillit të Sigurimit për rregullimin e statusit të Kosovës.


Në një intervistë për televizionin publik ZDF, Mihajl Shtajner tha se që nga koha e hyrjes së forcave ndërkombëtare, civile dhe ushtarake, gjendja e sigurisë në Kosovë është përmirësuar dukshëm dhe puna e bashkësisë ndërkombëtare është shpërblyer.
Ai tha po ashtu se krimi është zvogëluar ndjeshëm, në 50 vrasje në vit, nga 50 në javë që ishte në vitin 1999.
Por Mihajl Shtajner nënvizoi se papunësia që kap shifra astronomike, për momentin 56% si dhe varfëria janë pengesat kryesore për një paqe të qëndrueshme në Kosovë. 12% e popullsisë së Kosovës - ka kujtuar diplomati gjerman – jeton në kushtet e varfërisë absolute.
Ai është shprehur më tej se Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet të shqyrtojë çështjen e statusit të Kosovës. Pikërisht kjo ide e hedhur nga Shtajner është shtjelluar nga shtypi gjerman sot.
Cydojçe Cajtung, shkruan se diplomati gjerman vlerëson që vendosja e institucioneve funksionale është kusht paraparak i padiskutueshëm për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës.
Nonëse ka pranuar se statusi i Kosovës është ende plotësisht i hapur, Shtainer ka hedhur poshtë një numër mundësish: kështu ai ka thënë se nuk ka asnjë mundësi rikthimi në gjendjen e para 1999 dhe se natyrisht nuk bëhet fjalë për një ndarje sipas linjave etnike me vetqeverisje të kufizuar.
Sipas Shtajner mund të konsiderohen vetëm dy opsione: pavarësia ose lidhje brenda një shteti federal me Serbinë ose Jugosllavinë.
Por në një fjalim në Universitetin Humbolt të Berlinit, Shtajner bëri thirrje për një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, me qëllim që të rregullohet, siç u shpreh, sa më shpejt që të jetë e mundur statusi i ardhshëm i Kosovës – shkruan e përditshmja tjetër gjermane, Frankfurter Rundshau.
‘Mbi këtë bazë Bashkimi Evropian duhet të marrë përgjegjësitë që aktualisht i kanë Kombet e Bashkuara dhe ta përfundojë detyrën e administrimit sipas mënyrës evropiane’ – citon kjo gazetë për të vazhduar ‘pikëpamja se duhen dhe shumë vite përpara se statusi i Kosovës të zgjidhet, ka ndryshuar si pasojë e luftës kundër terrorizmit’.
Vetqeverisja substanciale për Kosovës, sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, nuk mund të realizohet përmes kthimit të statusit të mëparshëm si pjesë e Serbisë. Në mënyrë të ngjashme, një ndarje apo kantonizim as që shtrohen për diskutim. Çfarë mbetet është një model për reflektim nëse Kosova në të ardhmen do të jetë një vend sovran duke qenë në të njëtën kohë e lidhur me perspektivën evropiane siç po ndodh me Serbinë dhe Malin e Zi.
Frankfurter Rundshau citon Shtajnerin të ketë thënë se ‘këtë vit për të parën herë ka ndodhur që të kemi më shumë anëtarë nga pakicat që kthehen, krahasuar me ata që largohen. Kosova duhet të bëhet një shoqëri shumë-etnike evropiane me pjesmarrje të plotë të pakicave’.
Megjithëse dyshues se kosovarët mund të pajtohen me njëri tjetrin lidhur me statusin e rajonit – komenton kjo gazetë – Mihajl Shtajner thotë se bashkësia ndërkombëtare gjendet përballë nevojës për të zgjidhur brenda një kohe të shkurtër këtë çështje, ndërkohë që vihet re një pakësim i dukshëm i gadishmërisë së saj për të financuar adminstratën e shtrenjtë të Kombeve të Bashkuara.
Me zgjerimin e Bashikimit Evropian në Lindje, Ballkani do të shndërrohet në një lloj hapësire pa sinorë, çka kërkon që Brukseli të përgatisë strategji konkrete. Bashkimi Evropian sipas rezolutës së re të mundshme të Kombeve të Bashkuara duhet të marrë përsipër që të bashkërendojë udhëheqjen e Kosovës. Vetë Shtajner thotë se është optimist se deri sa të vijë kjo kohë institucionet e rimëkëmbura të Kosovës do të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të pavarur dhe të përgjegjshme – shkruan Frankfurter Rundshau.
XS
SM
MD
LG