Ndërlidhjet

Serbët nuk shohin perspektivë në Kosovën e pavarur


Banorët serbë nga Graçanica thonë se e kanë shumë vështirë ta planifikojnë jetën e tyre në Kosovën e pavarur. Papunësia si dhe jeta e izoluar nëpër enklava, paraqiten si shqetësime kryesore.


Banorët e komunitetit serb në Kosovë thonë se e kanë vështirë ta kuptojnë dhe t’i adaptohen jetës në Kosovën e pavarur. Ndonëse nuk është shënuar ndonjë incident, serbët e Graçanicës thonë se që nga shpallja e pavarësisë e këndej, ata ndihen më të frikësuar se më parë.

Radmila Steviq, një amvise nga Graçanica, thotë se sikur ndjen një frikë të vazhdueshme që nga 17 shkurti e këndej.

“Është më keq, edhe vetë po e shihni. Nuk guxojmë të dalim, nuk guxojmë të shkojmë deri në qytet, askund nuk guxojmë të dalim. Presim që të largohemi nga këtu”, thotë kjo qytetare. Sipas saj, të rinjtë gjithnjë e më shumë po largohen, kurse shtëpitë dhe pronat u mbeten të moshuarve, të cilët nuk duan të largohen. Por, nuk është vetëm frika dhe siguria, ngase ka edhe një arsye që Radmila Steviq e bën që të mendojë të gjejë një jetë më të mirë.

“Rrimë në shtëpi. Askund nuk punojmë. Reja rri në shtëpi, djali po ashtu, kurse ato pak para që marrim, me to jetojmë”, thotë Steviq.

Ndërkaq, Radovan Joksimoviq, një instruktor auto-shkolle nga Lipjani që punon në Graçanicë, thotë se ka tre fëmijë, të cilët jetojnë në Serbi. Si një i punësuar, ai thotë se edhe pas pavarësisë nuk ka hetuar ndonjë ndryshim drastik në jetën e tij. Por, edhe ai shprehet i pakënaqur.

“Ku të shkojmë, nuk kemi ku. E kam nënën e moshuar, i ka 87 vjet dhe ku të shkoj me të. E pavarur apo jo Kosova, ne mendojmë që të mbetemi dhe të jetojmë këtu”, shprehet ky qytetar.

Sidoqoftë, papunësia mbetet një prej shqetësimeve kryesore të këtyre banorëve. Aleksandar Markoviq, një i ri, 23 vjeç, thotë se nuk po sheh perspektivë të qartë në këtë vend.

“Nuk shoh se do të jetë më mirë pas shpalljes së pavarësisë e po ashtu ishte edhe para shpalljes. Këtu jetohet sot për nesër. Për mua këtu nuk ka perspektivë dhe ndodhsha deri verës, të gjithë do të shpërngulen prej këtu”, shprehet me pesimizëm ky i ri serb. Disa prej bashkëkombësve të tij, tashmë e fajësojnë edhe Beogradin, që u premton jetë të mirë, por kjo, sipas tyre, nuk po ndodh.

Zoran Vuçiq, një banor tjetër nga Graçanica, thotë se Beogradi nuk po bën sa duhet për serbët e Kosovës, sidomos ata të pjesës qendrore, të cilët kanë mbetur të izoluar.

“Nëse shteti mendon të bëjë diçka, duhet të fillojë të punojë në atë drejtim, të financojë ekonominë e vogël. Rreth 40 mijë serbë jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës, kurse një furrë buke po të hapet, mund të punësohen disa prej tyre”, thotë Vuçiq. Ndërsa akuzon Beogradin se po i mban të izoluar me premtime të rrejshme, ky banor serb thotë se qeveritë perëndimore, në anën tjetër, kanë bërë që shqiptarët dhe serbët të jetojnë kaq larg njëri-tjetrit. Ai rikujton se si dikur kanë jetuar shumë mirë me fqinjët shqiptarë nga fshatrat përreth.

Sidoqoftë, edhe në Graçanicë, si edhe në disa vise tjera të banuara me serbë, që nga shpallja e pavarësisë e këndej, gati se çdo ditë organizohen protesta të qeta nga ora 12:00 deri në orën 13:00. Duke mos dashur që të punojnë në institucionet shtetërore të Kosovës, serbët në shumë raste kanë lëshuar edhe vendet e tyre të punës.
XS
SM
MD
LG