Ndërlidhjet

Opozita kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesë programi


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Pas afër tre muaj të funksionimit të saj, Qeveria e Kosovës paralajmëron se do t’ia paraqesë programin qeverisës Kuvendit në një të ardhme shumë të afërt. Ndërkohë që opozita e kritikon qeverinë për mungesë programi dhe kërkon që tash, pas tre muajve të parë të funksionimit të saj, të paraqitet raporti i punës.


Opozita kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesë programi dhe vizioni për zhvillimin ekonomik. Në anën tjetër, Qeveria thotë se i është dashur pak kohë që të presë caktimin e prioriteteve për Konferencën e donatorëve, para se të hartojë programin qeveritar.

Që nga ekspozeu i kryeministrit, i bërë në vija të përgjithshme ditën e zgjedhjes së qeverisë më 9 janar, Kuvendi nuk ka dëgjuar më për programin qeverisës në vija të hollësishme. Mirëpo, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, thotë se programi do t’i prezantohet Kuvendit në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

“Një ekspoze e kemi prezantuar në Kuvend qysh në ditën e parë të zgjedhjes së qeverisë. Ndërkohë që kemi menduar se pas pavarësimit të vendit dhe pas përcaktimit të prioriteteve me Konferencën e donatorëve, ta procedojmë programin e plotë në Kuvend dhe besojmë se kjo do të ndodhë gjatë kësaj jave”, tha Kuçi.

Mirëpo, sipas opozitës, qeveria nuk ka vizion për zhvillim ekonomik, pasi që, siç thotë shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, qeveria aktuale, në mungesë të programit të saj, po e shfrytëzon programin e ish-Qeverisë Çeku. Deputeti Gjini thotë se qeveria tash, në fakt, nuk do të duhej të paraqiste programin, por raportin për punën e vet gjatë tre muajve të parë.

“Realisht nuk po shohim asnjë element të ndonjë ndryshimi pozitiv. Krejt ato që kanë ndodhur, kanë qenë të parapara edhe më parë që të ndodhin. Vetëm është ndjekur agjenda që ka ekzistuar edhe para zgjedhjeve. Nuk ka agjendë të re, nuk ka elemente të reja që mund t’i shohim dhe tash na duhet raporti 100-ditor e jo programi”, thekson Gjini.

Sundimi i ligjit, bashkë me fushat kyçe të zhvillimit ekonomik, konsiderohen si prioritete, mbi të cilat do të mbështetej programi i Qeverisë Thaçi. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se ky program mbështetet edhe në prioritetet e Konferencës së donatorëve për Kosovën, që parashihet të mbahet në Bruksel, gjatë fundit të prillit apo fillimit të majit.

“Mendoj se rendi dhe ligji do të jetë preokupimi kryesor i kësaj qeverisjeje dhe më pastaj, me siguri, projektet për energjinë dhe infrastrukturën rrugore do të jenë më sfiduese, sikurse edhe ngritja e cilësisë së arsimit”, pohon Kuçi.

Në anën tjetër, Ardian Gjini, nga AAK-ja, vlerëson se qeveria ka filluar punën ngadalë dhe nuk ka arritur ta zë hapin për vazhdimin e realizimit të projekteve kapitale.

“Gabimi më i madh që po bën qeveria është se nuk po i ndjek projektet e mëdha nacionale, të cilat kanë qenë të gatshme, siç është ‘Kosova C’ (Termocentrali). Ndërsa, prej premtimeve të tyre, e kemi pasur të qartë edhe më herët se nuk mund t’i përmbushin, për rritje të pagave të arsimtarëve, për rritje të pagave të mjekëve, për pensione më të larta, mirëpo këto kanë qenë premtime paraelektorale dhe ne e kemi ditur. Ato premtime do ta mbajnë qeverinë përgjegjëse për atë që ka bërë më herët dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen”, thotë Gjini.

Programi qeveritar, sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është një gërshetim i programeve të përbashkëta të partnerëve në koalicion, PDK-së dhe LDK-së.

“Mbase pikërisht këto prioritete kanë qenë përafruese të vet koalicionit qeverisës dhe mendoj se në këtë rast ne kemi një përafrim të qëndrimeve dhe programi qeveritar është unik dhe i realizueshëm nga të gjithë ne. Kryeministri Thaçi i ka politikat dhe prioritetet e veta, por të cilat nuk janë në kundërshtim me prioritetet e qeverisë dhe partnerëve”, tha Kuçi.

Por, ndryshe nga zëvendëskryeministri Kuçi, deputeti nga radhët e opozitës, Ardian Gjini, thotë se kjo qeveri dhe PDK-ja, si partia që drejton me ekzekutivin, nuk është e përgatitur që të qeverisë me Kosovën.

“Realisht, këta njerëz që janë në qeveri, PDK-ja, është përgatitur për t’i fituar zgjedhjet, mirëpo është totalisht e papërgatitur për të qeverisur me Kosovën. Nuk ka program qeverisës, nuk ka agjendë legjislative, nuk ka vizion për projekte të mëdha nacionale, por tenton t’i ndryshojë të gjitha ato që janë bërë më përpara, që do të thotë se realisht nuk janë të përgatitur për ta vazhduar qeverisjen në Kosovë”, vlerëson Gjini.

Ndryshe, bazuar në premtimet që kryeministri Thaçi i ka dhënë në ekspozeun e tij para Kuvendit, më 9 janar, ai pati premtuar se gjatë qeverisjes së tij, Kosova do të gëzojë një zhvillim ekonomik të mbështetur edhe nga institucionet monetare ndërkombëtare, se do të ketë ulje taksash për bizneset, ulje të TVSH-së, se do të ketë energji 24 orë, se do të ketë reforma në arsim, mirëqenie sociale dhe një përkujdesje më të mirë për kategoritë e rrezikuara të shoqërisë, e deri te premtimi se Kosova do t’i ketë autostradat e saj që do ta lidhin Kosovën me rajonin dhe Evropën.

Tani, mbetet që Kuvendi ta marrë fillimisht në shqyrtim programin qeverisës, kur pritet që të ketë edhe një debat, nga i cili do të shihet se sa i kënaq ky program grupet parlamentare që përfaqësohen në Kuvend.

XS
SM
MD
LG