Ndërlidhjet

SHPK: Gjendja në veri të Mitrovicës e qetë, por e tensionuar


Mitrovica
Mitrovica

Pas incidenteve të fundit në pjesën veriore të Kosovës, sidomos atij në fshatin Suhodoll, ku qenë përfshirë edhe banorët lokalë shqiptarë dhe ata serbë, tani gjendja përshkruhet e qetë, por e tensionuar. Zëdhënësi i SHPK-së, Besim Hoti, thotë se UNMIK-u, KFOR-i dhe policia vendore po e mbajnë gjendjen nën kontroll, përderisa Oliver Ivanoviq vlerëson se incidentet ndëretnike mund të kenë pasoja shumë të mëdha për serbët e Kosovës.


Gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është e qetë, por e tensionuar, vlerësojnë organet e rendit. Pas incidenteve të fundit në fshatin Suhodoll të Mitrovicës, tani, sipas Shërbimit Policor të Kosovës, gjendja është nën kontrollin e UNMIK-ut, KFOR-it dhe policisë vendore.

Zëdhënësi i SHPK-së, Besim Hoti, thotë se me rëndësi është që gjendja të mbahet nën kontroll, përderisa organet kompetente do të vazhdojnë me hetimet lidhur me shkaktarët që çuan deri te incidentet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, të cilat përfunduan pa pasoja në këtë pjesë të Kosovës.

“Nuk mund të themi se gjendja është shpërthyese, edhe pse duhet pranuar faktin se marrë parasysh rrethanat dhe situatën e krijuar ditëve të fundit, javët e fundit, veçanërisht në veri të Mitrovicës, incidentet që kanë zënë vend dy ditë me radhë në fshatin Suhodoll, mund të themi se situata është e tensionuar, por jo shpërthyese. Ajo që është e rëndësishme është se mund të themi që gjendja është nën kontrollin e mekanizmave të sigurisë, të autorizuara në Kosovë; e kam fjalën për UNMIK-un, KFOR-in, dhe SHPK-në”, thotë Besim Hoti.

Në anën tjetër, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës konsiderojnë se incidentet ndëretnike mund të kenë pasoja shumë më të mëdha, sesa incidentet eventuale ndërmjet shqiptarëve apo serbëve me UNMIK-un, siç ka ngjarë në disa raste gjatë periudhës së administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

Oliver Ivanoviq, një përfaqësues politik serb, thotë se eskalimet e situatës në Mitrovicë janë parandaluar pas ndërhyrjes së shpejtë të UNMIK-ut dhe KFOR-it. Kurse, reagimet euforike të serbëve ndaj situatave të tilla, nënvizon ai, mund të jenë shumë të dëmshme dhe se ngjarje të tilla mund të ndikojnë edhe për sa i përket ekzistencës së serbëve në Kosovë.

“Nëse diçka e tillë do të ndodhë edhe në të ardhmen, atëherë mendoj se muaji qershor do të jetë shumë i rëndësishëm për serbët që të vendosin se çka më tutje, të rrinë këtu apo të lëshojnë Kosovën”, thotë Ivanoviq.

Ndërlidhja e vendimeve me qershorin, sipas tij, ka të bëjë me përfundimin e vitit shkollor, kur prindërit do të vendosin se a do t’i mbajnë fëmijët e tyre edhe më tutje në Kosovë apo do t’i largojnë në një vend tjetër.

Ndryshe, problemet në Mitrovicë janë aktuale me vite, por që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej, atje mbahen edhe protesta të vazhdueshme të serbëve, të cilat përkrahen edhe nga Beogradi zyrtar, i cili publikisht u ka bërë thirrje serbëve që të mos i njohin institucionet e Republikës së Kosovës.

Sidoqoftë, organet e rendit, si ato vendore, ashtu edhe ndërkombëtare, në vazhdimësi pohojnë se janë në gjendje që të përkujdesen për sigurinë e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës.
XS
SM
MD
LG