Ndërlidhjet

NATO fton Shqipërinë dhe Kroacinë


Liderët e vendeve anëtare të NATO-s në ditën e dytë të samitit në Bukuresht.
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s në ditën e dytë të samitit në Bukuresht.

NATO-ja ka ftuar Shqipërinë dhe Kroacinë t'i bashkëngjiten Aleancës, derisa nga Maqedonia ka kërkuar që së pari të zgjidhë mosmarrëveshjet rreth emrit.


NATO-ja u ka ofruar Shqipërisë dhe Kroacisë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Maqedonia nuk e ka marrë ftesën, për shkak të vetos greke lidhur me mosmarrëveshjet për emrin.

"Kemi rënë dakord që ftesa për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë do të jepet menjëherë sapo të arrrihet një zgjidhje e pranueshme lidhur me emrin", tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.

"Ky është një zhgënjim i madh", tha zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Nikola Dimitrov.

"Neve na është thënë se kemi bërë gjithçka që duhej sa i përket reformave dhe kontributit ushtarak. Ne jemi ndëshkuar se jemi maqedonas", tha Dimitrov.

Zëdhënësi i Qeverisë greke ka thënë se Greqia nuk ka qenë e vetme në kundërshtimin ndaj Maqedonisë. Të njëjtat burime theksuan se kanë qenë dhe katër vende të tjera anëtare të NATO-s që kanë mbështetur Athinën.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar për agjencitë e lajmeve se anëtarësimi në NATO do të garantojë liritë dhe sigurinë për Shqipërinë, por shtoi se vonesa lidhur me anëtarësimin e Maqedonisë mund t'i nxisë radikalët dhe rrit mundësinë për jostablitet në Ballkan.

Një tjetër temë e nxehtë debati ka qenë ofrimi nga NATO-ja i ftesës për planin e veprimit për anëtarësim për Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

SHBA-të kanë mbështetur fuqimisht afrimin e Kievit dhe Tbilisit në Aleancë, por kjo ka hasur në kundërshtimin e fuqishëm të Gjermanisë, Francës dhe të disa vendeve të tjera anëtare. Parisi dhe Berlini kanë pohuar se Gjeorgjia dhe Ukraina nuk janë demokraci të qëndrueshme dhe nuk i përmbushin kriteret për NATO.

Kundërshtimi i Rusisë ndaj planeve për afrimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në vendimin e takimit.

Rritja e numrit të trupave në Afganistan, kërkesë kjo e paraqitur nga SHBA-të, ka gjetur përgjigje pozitive.

Franca ka vendosur të dërgojë një batalion shtesë me trupa në kuadër të forcave të NATO-s që veprojnë në Afganistan.

XS
SM
MD
LG