Presidenti Fatmir Sejdiu tha se ftesa e NATO-s për Shqipërinë është një hap pozitiv edhe për Kosovën, duke pasur parasysh dhe ambiciet e Kosovës, që një ditë edhe ajo të anëtarësohet në NATO.
“Janë procese të natyrshme që e kanë rrjedhën e vet dhe mendoj se janë proceset më të mira të mundshme, kur rajoni shpejton me kualitetet e veta të jetë pjesë e proceseve integruese, pra në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Nga shikimi ynë, ne vetëm e vlerësojmë si një ndihmë të drejtpërdrejtë edhe për Kosovën, sepse praktikisht gati mbetëm pika e fundit e kësaj pjese të Evropës Juglindore, që do të nxitë dhe shpejtojë me hapin e vet për integrime”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se ftesa për secilin vend të rajonit për anëtarësim në NATO, i shkon shtati një stabiliteti të qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës. Kurse, në veçanti, ai thotë se ftesa dërguar Shqipërisë, në Kosovë përjetohet si një sukses me përmasa kombëtare.
“Është në dobi të rajonit, por edhe të paqes e sigurisë edhe në Kosovë, që vendet e rajonit, në radhë të parë Shqipëria, pastaj edhe Kroacia e Maqedonia të marrin ftesën për anëtarësim në NATO dhe anëtarësimi i Shqipërisë është një lajm i gëzuar edhe në kuptimin e sigurisë nacionale për Kosovën, por edhe në kuptimin e emocioneve kombëtare”, vlerësoi Kuçi.
Në anën tjetër, analisti i çështjeve ushtarake, Ramadan Qehaja thotë se Shqipëria në NATO, përveç efekteve në stabilitetin rajonal, do të ketë një rol të rëndësishëm edhe sa i përket Kosovës dhe integrimit të saj në strukturat e Aleancës Euroatlantike. Ai e krahason këtë ditë të një rëndësie të madhe, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Do të thosha se pas pavarësisë së Kosovës, ky është lajmi më i mirë për ne shqiptarët në tërësi. Në aspektin ushtarak, ftesa ka domethënie shumë të madhe, aq më parë që Shqipëria është fqinji ynë shumë i rëndësishëm edhe në aspektin gjeostrategjik, kur kemi të bëjmë me sigurinë rajonale”, vlerëson Qehaja.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se e ardhmja e rajonit është integrimi në strukturat euro-atlantike dhe në këtë aspekt, ai thotë se edhe Kosova është nisur kësaj rruge.
“Mendoj se anëtarësimi i Shqipërisë, por edhe i vendeve tjera të rajonit e përafron anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në një apo në mënyrë tjetër, Kosova ka lidhje të ngushta me NATO-n; kur dihet se NATO-ja tashmë është prezente në Kosovë, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së institucioneve të Kosovës për trupat e saj në Kosovë, bashkërisht do ta ndërtojmë Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe besoj se mandati i KFOR-it do të përfundojë me hyrjen e Kosovës në NATO”, tha Kuçi.
Ndryshe, integrimet euroatlantike, në Prishtinë janë konsideruar në vazhdimësi si të rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe vendet e rajonit. Çështja e integrimeve ka zënë vend të rëndësishëm në programet e të gjitha qeverive që i ka pasur deri më tash Kosova pas vitit 2000 e këndej.