Ndërlidhjet

Dugolli: Lirimi i Haradinajt - dëshmi e luftës së drejtë të UÇK-së


Ilir Dugolli
Ilir Dugolli

"Lufta e udhëhequr nga UÇK-ja në Kosovë ka qenë jo vetëm luftë mbrojtëse, por ka qenë luftë, që, sipas përkufizimit, ka qenë e drejtë, ku pjesëmarrësit e saj janë përpjekur maksimalisht që t’u përmbahen rregullave dhe zakoneve të luftës", thotë analisti Ilir Dugolli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, si e vlerësoni dhe cila është domethënia e vendimit të Tribunalit të Hagës për shpalljen e pafajshme të Ramush Haradinajt, ish-komandant i UÇK-së dhe ish-kryeministër i Kosovës?

ILIR DUGOLLI
Vendimin e vlerësoj si krejtësisht të pritur në dritën e mungesës së çfarëdo prove bindëse, të prezantuar nga prokuroria gjatë këtyre viteve sa ka zgjatur gjykimi. Të njëjtën kohë, e konsideroj tejet të rëndësishëm vendimin për të shpallur të pafajshëm zotin Ramush Haradinaj karshi të gjitha akuzave, të cilat janë ngritur kundër tij.

Është tejet e rëndësishme, sepse, në njëfarë forme, është konfirmuar jo vetëm pafajësia e tij, por, në njëfarë forme, është konfirmuar si e drejtë edhe qasja bashkëpunuese e tij dhe e gjithë kosovarëve deri më tash ndaj strukturave ndërkombëtare, Tribunalit të Hagës dhe të tjerave, ku është parë se përkundër faktit që këta persona që janë mbajtur, edhe zoti Haradinaj, kuptohet se i kanë munguar skenës dhe e kanë humbur një pjesë të jetës aty. Megjithatë, Kosova nga ky proces ka dalë pa pasoja të mëdha.

Procesi është menaxhuar mirë, në momentin kur është ngritur aktakuza, falë bashkëpunimit të Haradinajt e të tjerëve që vullnetarisht janë dorëzuar. Dhe, në të njëjtën kohë, tani kur janë shpallur të pafajshëm, unë besoj në kënaqësinë e të gjithë kosovarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Pas dy proceseve gjyqësore në Hagë ndaj ish-komandantëve dhe pjesëtarëve të lartë të UÇK-së, procesi nxori si përfundim se nuk ka prova se janë kryer krime lufte apo krime ndaj njerëzimit, siç akuzoheshin ata. Çfarë rëndësie ka ky fakt për luftën e UÇK-së për lirinë e Kosovës?

ILIR DUGOLLI
Rëndësia është e jashtëzakonshme, sepse nuk është konfirmuar se është bërë ndonjë krim kundër njerëzimit, se UÇK-ja ka ndërmarrë dhe ka kryer ndonjë krim kundër njerëzimit. Ato dy dënimet që janë shqiptuar si në këtë proces, ashtu edhe në atë paraprak, kanë të bëjnë me keqtrajtim, përdorim të trajtimit të vrazhdë, jo njerëzor, ashtu siç përkufizohet. Por, për vetë luftën e UÇK-së, vërtet e konfirmon se ajo çfarë është zhvilluar në Kosovë, nuk ka qenë asgjë tjetër përveçse një luftë mbrojtëse.

Ndonëse kjo për ne nënkuptohet, për audiencën e jashtme nuk vetëkuptohet gjithmonë. Kjo është më se e rëndësishme dhe, në fund të fundit, e konfirmon se vërtet lufta e udhëhequr nga UÇK-ja në Kosovë ka qenë jo vetëm luftë mbrojtëse, por ka qenë luftë, që, sipas përkufizimit, ka qenë e drejtë, ku pjesëmarrësit e saj janë përpjekur maksimalisht që t’u përmbahen rregullave dhe zakoneve të luftës.

RADIO EVROPA E LIRË
A e ka zbardhur procesi i Hagës përfundimisht luftën që zhvilloi UÇK-ja dhe populli i Kosovës?

ILIR DUGOLLI
Unë nuk mund të them se e ka zbardhur sa duhet. Megjithatë, kemi pasur të bëjmë me akuzat që prokuroria nuk ka arritur t'i zbardhë anët e duhura të kësaj lufte, madje nuk i ka kontribuar jo vetëm zbardhjes së fakteve të mirëfillta të kësaj lufte, por edhe një procesi të përgjithshëm të pajtimit, të cilit Tribunali i Hagës është dashur t'i kontribuojë.

Një prej funksioneve që është synuar të realizohet përmes Tribunalit të Hagës ka qenë që të shërohen plagët e së kaluarës, duke e trajtuar në mënyrë të drejtë të kaluarën dhe krimet e kryera nga cilado palë. Për fat të keq, përshtypja është se Tribunali ka përfunduar shumë më tepër në balancime politike, është përpjekur që në njëfarë forme të ketë kuota nga të gjitha palët; kështu që ka përfunduar duke balancuar mes gjitha palëve dhe në atë që mund të quhet njëfarë lloj ekuivalence morale dhe nxjerrje e vijës së përafërt të përgjegjësisë së të gjithëve.

Pra, unë nuk besoj se ka bërë sa duhet për këtë procesin e përgjithshëm të pajtimit dhe të zbardhjes. Por, në rastin tonë është me rëndësi se, megjithatë, figurat kryesore që kanë qenë të akuzuara nga Tribunali i Hagës, janë shpallur të pafajshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Haradinaj është edhe një politikan i rëndësishëm në skenën politike kosovare. Si e shihni ju politikën kosovare, pas kthimit të Haradinajt?

ILIR DUGOLLI
Nuk besoj të ketë ndonjë person që nuk e mirëpret kthimin e tij në Kosovë, në skenën politike, në familjen e tij, në mbarë Kosovën. Kështu që unë mendoj se hapësira për të vepruar është aty. Nuk do mend se ai i ka munguar partisë së tij dhe mendoj se do ta freskojë partinë e tij, do ta freskojë ndoshta edhe opozitën më gjerë, tani kur ka nevojë për opozitë të fortë, për institucione të forta.

Unë shoh hapësirë të madhe që varet nga qasja të cilën ai do e zgjedhë dhe nga mënyra se si do të veprojë. Mendoj se ka hapësirë të madhe për të vepruar dhe për t'u angazhuar.

Në të njëjtën kohë, duhet të theksoj edhe një gjë, që është tejet e rëndësishme që zoti Haradinaj i kthehet jetës politike si një person i shpallur i pafajshëm, i kthehet jetës politike i barabartë me të tjerët. Ka pasur ndoshta edhe anën tjetër fakti i akuzës - kështu që tani jo vetëm si një hero i luftës, por ai i kthehet skenës politike si një akter që duhet të përballet me akterët tjerë në baza të barabarta të ofertës, që ai ia prezanton votuesit kosovar. Kështu që në këtë drejtim, unë shoh hapësirë të madhe si për atë, ashtu edhe për të gjithë të tjerët, që vërtet dinamizojnë skenën politike edhe më tej.
XS
SM
MD
LG