Ndërlidhjet

Program qeverisës apo plan dëshirash?


Deputetët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar një seancë plenare, ku presidenti Fatmir Sejdiu prezantoi një informatë për gjendjen e përgjithshme, ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi paraqiti informatën e punës së qeverisë dhe programin qeverisës. Më pas seanca është përshkuar dhe me debate të shumta ndërmjet pozitës dhe opozitës.


Kosova ka kaluar testin e saj të parë si shtet i pavarur e sovran, tha sot presidenti Fatmir Sejdiu, në një adresim para Kuvendit dhe opinionit. Sejdiu tha se deri më sot, Kosova është njohur nga 37 vende, përfshirë edhe 7 shtete nga G-8-shi. Si shtet i ri, Kosova, sipas Sejdiut, do të jetë vend i të gjithëve dhe do të jetë shtet i hapur për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, sidomos me fqinjët e saj. Në këtë aspekt, Sejdiu tha se shteti fqinj, Serbia, tenton të organizojë zgjedhje të lira në Kosovë, por Kosova, shtoi ai, nuk mund të jetë qendër votimi e asnjë vendi tjetër. Sejdiu tha se Kosova do të jetë vend demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht.

“Kosova është njohur në të vërtetë nga vende nga të gjitha kontinentet e botës dhe kjo na gëzon pa masë. Tash që jemi shtet i pavarur dhe sovran, kemi mundësinë ta drejtojmë Kosovën në rrugën e zhvillimit strategjik, që ka qenë i vështirë, nëse jo i pamundshëm, në gjendjen e statusit të papërcaktuar. Pasuritë natyrore dhe popullsia e re janë potenciale të zhvillimit të Kosovës në afat të gjatë. Zhvillimi i plotë i tyre bëhet i mundshëm tash që kemi një qeveri sovrane, jo të përkohshme”, tha Sejdiu.

Më pas, pjesa e dytë e seancës i është kushtuar punës së qeverisë gjatë 100 ditëve të para të saj dhe programit qeverisës. Pozita dhe opozita kanë ndarë mendime krejtësisht të kundërta lidhur me programin e Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi tha se ky program mbështetet në katër shtylla, në rritjen ekonomike, implementimin e statusit, qeverisje të mirë dhe zbutje të varfërisë. Sipas Thaçit, ky program i siguron Kosovës zhvillim dhe mirëqenie, duke garantuar të drejta për komunitete dhe zhvillim të kapaciteteve qeverisëse në Kosovën e pavarur.

“Ky program synon t’u përgjigjet kërkesave dhe nevojave të qytetarëve tanë, përmes një politike të përgjegjshme dhe transparente, që do ta shpie Kosovën drejt një rritjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike dhe në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e saj”, tha Hashim Thaçi.

Qeverinë dhe programin e saj e ka mbështetur PDK-ja, parti kjo që udhëheq me ekzekutivin kosovar. Po ashtu, përkrahje qeverisë dhe programit të saj i ka dhënë edhe LDK-ja, parti kjo në koalicion me PDK-në.

Mirëpo, pozita më pas ka hasur në kritika të ashpra të opozitës. Deputeti i AKR-së, Ibrahim Gashi, tha se programi i Qeverisë Thaçi është i ndërtuar mbi bazën e dëshirave e qëllimeve, por nuk ka askund mbulesë se si do të implementohen të gjitha ato projekte kapitale.

“Problemi kryesor te programi i qeverisë është qasja e tij. Aty ka më tepër qëllime që mund të formulohen lehtë në letër, por është mungesa kryesore e ofrimit të mekanizmave të qartë që sjellin deri te qëllimi. Pra, nuk ofron asnjë garanci të prekshme kundër deficitit implementues. Ta zëmë, i tërë raporti përbëhet nga qëllime madhore dhe detaje minore”, theksoi Gashi.

Me kritika të ashpra ndaj programit qeverisës është paraqitur dhe deputeti i AAK-së, Ardian Gjini. Ai tha se qeveria, jo vetëm që nuk ka funksionuar për këto 100 ditë, por, sipas tij, ajo nuk ka as program të saj, pasi që plani i paraqitur sot, shtoi Gjini, i ngjan një plani të ndonjë organizate joqeveritare.

“Ky dokument më tepër i ngjason një dokumenti që do ta kishte përgatitur një OJQ dhe i kishte rekomanduar qeverisë se në cilat pika duhet të fokusohet dhe me çka duhet të merret qeveria. Por, ky program nuk është. Nëse, përpos programit, shikohet edhe strategjia legjislative të cilën ne e kemi marrë më herët dhe bashkohen të dyja, shihet me të vërtetë se nuk ka asnjë sens më të voglin të qeverisjes”, vlerësoi Gjini.

Ndërkohë, Lulëzim Zeneli, deputet i LDD-së, e ka quajtur skandaloz programin e Qeverisë Thaçi. Ai tha se sot po e sheh se kjo qeveri me të vërtetë po funksionon dhe punon ‘ad hok’ pa ndonjë bazë programore.

“Me të vërtetë, a ka qeveria edhe tjetër dokument apo e ka vetëm këtë që do t’i shërbejë si bazë për punën e vet? Nëse jo, atëherë lirisht mund të themi se ky dokument, mund të jetë gjithçka tjetër, vetëm program jo. Edhe një pyetje tjetër, me të vërtetë a kanë marrë pjesë ministrat e kabinetit qeveritar në hartimin e këtij dokumenti? E nëse po, atëherë kjo është më shumë se skandaloze”, pohoi Zeneli.

Ndryshe, opozita ka kritikuar edhe organizimin e seancës së sotme, duke e parë atë si shumë të ngarkuar. Po ashtu, opozita ka kërkuar debat të veçantë vetëm për punën e qeverisë, por kjo nuk është mbështetur nga shumica, andaj debati për programin qeverisës ka mbledhur në vete dhe komentet për punën e qeverisë. Që nga formimi i saj më 9 janar, kjo ishte hera e parë që Qeveria e koalicionit PDK-LDK ka paraqitur punën dhe programin e saj para Kuvendit.
XS
SM
MD
LG